Kryeministri Sali Berisha ndodhet sot ne Azerbajxhan, ne kuader te nje vizite zyrtare dy ditore.
Sipas kryeministrise, gjatë vizitës, Berisha do të takojë Presidentin e Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, kryetarin e Kuvendit Oktay Asadov dhe Kryeministrin Artur Rasi-zade, me të cilin do të ketë një takim koke me koke, i cili do të pasohet nga një takim mes dy delegacioneve.
Në vijim, do të nënshkruhet marrëveshja për mbrojtjen dhe nxitjen reciproke të investimeve mes dy vendeve si dhe një Memorandum Mirëkuptimi midis Ministrive të Ekonomisë të dy vendeve, për bashkëpunimin në fushën e industrisë dhe energjisë.
Kryeministri Berisha, gjithashtu, do të takohet edhe me Zëvendëskryeministrin Nadir Huseynov, Ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Azerbajxhanit Shahin Mastafayev dhe me komunitetin e biznesit azerbajxhanas.
“Fokusi i vizitës do të jetë konsolidimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimi i tyre, në mënyrë të veçantë i atyre ekonomike, ku një vend të rëndësishëm do të zënë temat e bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe nxitjes së investimeve”- thuhet ne njoftimin e kryeministrise.
© Panorama.al











