TIRANË- “Përqendrim në sektorin e energjisë dhe energjisë së rinovueshme si mundësinë e parë dhe më të madhe për garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm në vend”. Kështu është shprehur sot kreu i qeverisë, Sali Berisha gjatë një seminari të ERE-s, për sektorin e energjisë, duke garantuar për liberalizim të tregut, si kusht i suksesit.
Në fjalën e tij, Berisha ka deklaruar se zhvillimet në këtë fushë përbëjnë drejtimin më themelor në projektin “Shqipëria një vend me zhvillim të qëndrueshëm”.
“Liberalizimi i tregut është kusht i të gjitha kushteve për zhvillimin në këtë sektor, ne nuk kemi frikë nga liria, ne i besojmë asaj dhe jemi të bindur se sa më shumë të zgjerojmë hapësirat e saj në të gjitha fushat e jetës, por vecanërisht në ekonomi, aq më i qëndrueshëm do të jetë zhvillimi i ekonomisë dhe aq më të sigurta do të jenë investimet e huaja”- tha Berisha.
Ai ka garantuar se qeveria do të jetë shumë e ndjeshme dhe do të bëjë gjithçka për realizimin e praktikave më liberale. “ERE dhe Kuvendi janë të vendosur të marrin të gjitha hapat për të vendosur standardet më liberale të tregut energjetik”- tha Berisha.
Sipas tij, një nga kriteret është edhe dixhitalizimi i këtij sektori, si truri i sistemit të zhvillimit të ekonomisë.
“Energjia është një nga mundësi e para dhe të mëdha për ta shndërruar vendin në një vend të bazuar në energjinë e rinovueshme, cka besohet universialisht se ka epërsi në qëndrueshmërinë e zhvillimit në raport me energjitë e tjera. Për këto arsye qeveria shqiptare është përqendruar në këtë fushë dhe mendoj se një hark kohor 3 vjecar ia doli të ndezë një garë të paprecedentë në historinë e një vendi. Investimet në këtë fushë po rriten me shpejtësi, janë investuar 650 milionë euro, miliarda të tjera janë në investim në vitet që vijnë, në spektrin e tyre 300 HEC të shtrira në mbarë vendin, ka fare të vogla, por ka dhe projekte ndër më të mëdha në Evropë si ai i kaskadës së Devollit”- theksoi Berisha.
© Panorama.al











