Ëndrra e Specias: Do ta marrim Bogdanin

Jul 8, 2011 | 10:48

Tifozët e Specias kanë nisur të bëjnë festë kur në median italiane është përhapur lajmi se Erjon Bogdani ishte pranë kalimit te skuadra që militon në Lega Pro (Kategoria e Tretë). Aq i bujshëm ishte lajmi, saqë në harkun e pak orëve bëri xhiron në gjithë mediat italiane sportive. Megjithatë, gëzimi i tifozëve të Specias, se do të shihnin me fanellën e skuadrës së tyre një qendërsulmues të shkëlqyer si shqiptari, zgjati vetëm pak orë. Vetë futbollisti ka pohuar për “Panorama Sport” se lajmi është i pavërtetë dhe se nuk e kishte idenë se si kishte lindur e gjithë kjo histori. Jam në dijeni të lajmit, por edhe vetë u befasova. Nuk ka asgjë të vërtetë në këtë mes. Nuk kam pasur asnjë kontakt me përfaqësues të klubit të Specias dhe aq më pak të kem ndonjë marrëveshje me ta”, ka thënë gjiganti kuqezi. Erjon Bogdani synon që të luajë të paktën edhe për dy sezone të tjera në Serinë A. Një sezon është e sigurt se kjo do të ndodhë, pasi në rastin më të keq ai do të vazhdojë të qëndrojë te Çezena, me të cilën ka edhe një vit kontratë. Ai po përpiqet që të rinovojë marrëveshjen edhe për një vit tjetër, por drejtuesit e klubit bardhezi nuk janë dakord me këtë ide. Për këtë motiv, Bogdani ka vendosur të hyjë në bisedime edhe me klube të tjera që interesohen për shërbimet e tij. Për 34-vjeçarin ka pasur një interesim të vazhdueshëm nga Bolonja dhe Atalanta, por futbollisti ka hezituar të japë një përgjigje përfundimtare.

© Panorama.al

Te lidhura