
Besart Berisha është i lumtur që karriera e tij ka marrë një rrjedhë tjetër që nga momenti kur ai ka shkuar në Australi, në verën e vitit të shkuar. Kosovari ka shënuar 15 gola deri tani te Bisnbane Roar, duke vendosur edhe një rekord për këtë skuadër. Askush deri tani nuk kishte shënuar 15 gola në një sezon në 22 javë të ligës me fanellën e këtij ekipi. “Jam si në ëndërr. Nuk kisha shënuar asnjëherë 15 gola në një sezon. Kam luajtur në Europë me disa skuadra, por në asnjë moment nuk jam ndjerë kaq mirë sa këtu. Kam punuar shumë për të qenë në formë të mirë sportive dhe tani mund të them se duhet të prisni edhe gola të tjerë, pasi nuk kam ndërmend të ndalem me kaq”, ka pohuar sulmuesi shqiptar për mediat australiane. Lojtari ka qenë pjesë e Kombëtares shqiptare deri para tri vitesh, por loja e tij e dobët kur ai ishte në Europë (te Arminia Bielefeld) bëri që të mos grumbullohej më me kuqezinjtë. Gjithsesi, me golat e shënuar futbollisti mund ta detyrojë trajnerin Xhani de Biazi që ta rikthejë në Kombëtare. “Kam firmosur edhe për dy vite të tjera me Brisbane Roar. Ndihem mirë këtu dhe kam mbështetjen si të familjes, edhe të kolegëve. Golat që kam shënuar janë edhe si rezultat i lojës së mirë që ka zhvilluar skuadra”, tha Berisha.











