
Politikani i njohur nuk përjashton kandidaturën e tij për postin e lartë.
“Emrat e kandidatëve, çështje e aktorëve politikë që negociojnë dhe jo e individëve që vetëshpallen”
Deputeti skicon figurën e kreut të ri të shtetit: Ç’duhet të bëjë në 100 ditët e para.
Ish-kryetari i parë i Parlamentit pluralist shqiptar, Kastriot Islami, thotë se zgjedhja e presidentit të ri duhet të kalojë përmes konsultave dhe negociatave sipas përcaktimeve kushtetuese.
I pyetur nëse ai mund të jetë një kandidat për kreun e shtetit, Islami u shpreh se vetëm në republikat kur Presidenti zgjidhet nga populli kandidatët vetëshpallen.
Javët e fundit kemi Fatos Nanon të vetëshpallur kandidat për President, ndërsa dy emra të tjerë të propozuar nga parti të tjera, si Jozefina Topalli nga demokristianët dhe Neritan Ceka nga PAD. Keni menduar të jeni edhe ju kandidat për Presidentin e Republikës?
Fillimisht më duhet të pohoj se është e rëndësishme të ndërtohet dhe respektohet procesi i zgjedhjes së Presidentit, i cili është i përshkruar qartas në Kushtetutë dhe në Rregulloren e Kuvendit. Po të lexohen me vëmendje këto dy dokumente të rëndësishme, del qartë se proceset e konsultimit dhe përfshirjes se të gjithë aktorëve politikë janë të nënkuptuar dhe të nevojshëm sipas rrethanave. Fryma e Kushtetutës dhe e Rregullores parashikojnë gjithashtu një proces transparent për publikun. Situata pas zgjedhjeve të vitit 2009, konteksti i fitimit të statusit të vendit kandidat pas një shtyrjeje disavjeçare dhe zhvillimet e fundit politike, kanë nxjerrë në pah nevojën për një proces jo vetëm kushtetues, por edhe konsultues, gjithëpërfshirës. Sa për kujtesë, mënyra e zgjedhjes së Presidentit është amenduar me konsensusin maksimal të forcave politike në vitin 2008, duke krijuar të gjithë hapësirat për të mundësuar zgjedhjen e Presidentit me maxhorancë të cilësuar (që në gjuhën e thjeshtuar kjo lloj zgjedhjeje konsiderohet konsensuale), por duke shmangur njëkohësisht (në raundin e katërt e të pestë) mundësinë e një krize politike që do të çonte në zgjedhje të parakohshme, përmes zgjedhjes së Presidentit me maxhorancë të thjeshtë, pra me maxhorancën politike që mban në këmbë edhe qeverinë. Duke iu referuar Kushtetutës, janë të gjitha mundësitë që Presidenti të zgjidhet me maxhorancë të cilësuar, pra në mënyrë konsensuale, në një nga tri raundet e para, dhe nëse kjo do të ishte e mundur, atëherë do të ishte e preferueshme që forcat politike të përpiqeshin ta realizonin që në raundin e parë. Në këtë rast, do të flitej për seriozitet, maturi dhe përgjegjshmëri maksimale të Kuvendit dhe të klasës politike. Përndryshe, Presidenti do të zgjidhej në raundin e katërt, sepse raundi i pestë do të rriste shanset për zgjedhje të parakohshme, që prapë mbetet një opsion gati i pamundshëm.
Cilat duhet të jenë kriteret, sipas mendimit tuaj, që duhet të plotësojnë kandidatët për president?
Zgjedhja e kryetarit të shtetit është çështje maturie, dinjiteti, përgjegjshmërie dhe serioziteti për Kuvendin, për klasën politike dhe për imazhin e vendit. Ndryshe, do të thosha se zgjedhja e Presidentit lidhet më shumë me maturinë, përgjegjshmërinë, seriozitetin dhe moralin e Kuvendit në sytë e publikut e të partnerëve ndërkombëtarë, sesa çështje e një liste kriteresh konkrete që duhet të plotësonin ata që do të konkurronin për këtë post. Megjithatë, disa kërkesa të përgjithshme mund të mbaheshin parasysh në trajtë implicite nga aktorët politikë që zotërojnë mendësinë për të propozuar dhe mbështetur kandidatët për President; kështu për shembull, Presidenti duhet, ndër të tjera: 1) të ketë orientim pro europian e pro euroatlantik, 2) të ketë figurë të pastër politike e me integritet dhe të perceptohet nga publiku për qëndrime të drejta e të ndershme, morale e politike, parimore dhe mundësisht të paanshme politikisht kur bëhet fjalë për çështje madhore të vendit; 3) të ketë treguar gjatë karrierës së tij politike se respekton Kushtetutën, shtetin ligjor, zgjedhjet e lira e të ndershme, institucionet e shtetit dhe ka treguar se di të vendosë interesat e vendit e të integrimit mbi ato partiake e personale; 4) të ketë treguar për çështje të rëndësishme parimësi dhe paanësi politike, duke vendosur interesat e vendit mbi ato partiake; 5) të zotërojë aftësi e kapacitete komunikimi e moderimi me të gjithë aktorët politikë, 6) të ketë treguar aftësi komunikimi me publikun; 7) të zotërojë aftësi dhe eksperiencë të komunikimit e të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, mundësisht edhe të ketë pasur eksperienca të ngjashme në arenën ndërkombëtare; 8) të ketë pasur eksperiencë komunikimi e bashkëpunimi me të gjithë aktorët politikë rajonalë dhe të ketë manifestuar qëndrime konstruktive e bashkëpunuese ndaj të gjitha çështjeve të rëndësishme e delikate që ka kaluar rajoni, e sidomos hapësirat ku jetojnë shqiptarët.
Gjykohet se zgjedhjen e Presidentit forcat politike e lidhin me zgjedhjet e vitit 2013. Cila do të ishte ndërlidhja midis rezultatit të zgjedhjeve në vitin 2013 dhe zgjedhjes së Presidentit?
Të gjitha forcat politike, përmes strategjive e taktikave të tyre, do të përpiqen të maksimalizojnë rezultatin në zgjedhjet e vitit 2013 edhe përmes zgjedhjes së Presidentit. Është tanimë evidente se zgjedhjet e vitit 2013 janë të rëndësishme në shumë aspekte për klasën politike shqiptare, por mbi të gjitha për interesat e shqiptarëve dhe objektivat integrues të vendit. Së pari, është e domosdoshme që zgjedhjet e vitit 2013 përfundimisht të certifikohen në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare demokratike dhe të jenë të pranueshme nga të gjitha palët. Rezultati i tyre do të varet nga shumë faktorë, nga të cilat do të veçoja mënyrën e krijimit të aleancave, cilësinë e programeve dhe të fushatës elektorale, integritetin, performancën dhe profesionalizimin e ekipeve elektorale etj. Por, në cilësinë e zgjedhjeve si edhe në sjelljen e votuesve, do të ndikonte pa asnjë dyshim edhe mënyra se si do të zgjidhej Presidenti, por veçanërisht anësia apo paanësia e tij politike, dhe në këtë kuptim mund të flitej për një ndikim të profilit të Presidentit në zgjedhjet e vitit 2013.
Cili mendoni se do të duhet të jetë objektivi kryesor për Presidentin e ardhshëm?
Është shumë e rëndësishme që në mandatin e ardhshëm publiku shqiptar dhe partnerët ndërkombëtarë ta shikojnë institucionin e Presidentit si një “tavolinë apo vatër” të konsultimeve e moderimeve jo vetëm të të gjitha institucioneve të shtetit, por edhe të të gjithë aktorëve politikë, socialë e të shoqërisë civile. Pozicioni i Presidentit si simbol i unitetit të popullit lidhet kryesisht jo me mënyrën e zgjedhjes së tij, por më faktin sesa do të jetë në gjendje Presidenti, me sjelljet dhe veprimet e tij, të kthehet në një moderator të paanshëm dhe në një institucion gjithëpërfshirës për të gjitha çështjet madhore të vendit, natyrisht duke respektuar Kushtetutën dhe ndarjen e pushteteve. Gjykoj se prioritet i prioriteteve për Presidentin e ardhshëm duhet të jetë drejtësia, sepse Prokuroria dhe sistemi i gjykatave duhet të kthehen në mekanizma të pavarur politikisht dhe profesionalë, që luftojnë ashpërsisht korrupsionin dhe krimin e organizuar, që duhet të përbëjnë një objektiv madhor edhe për institucionin e Presidentit, për më tepër që është edhe kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Presidenti, me autoritetin e tij dhe duke u shndërruar në një figurë të unitetit të popullit, duhet të angazhohet maksimalisht edhe për realizimin e zgjedhjeve të vitit 2013, në përputhje të plotë me standardet demokratike. Presidenti duhet të jetë proaktiv dhe të gjenerojë nisma për bashkëpunimin rajonal, sidomos me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u shndërruar në një figurë që lufton për bashkëpunimin rajonal e integrimin europian të rajonit, kundër të gjitha tendencave nacionaliste dhe ekstremiste anti-europiane.
Zoti Islami, ju folët për kritere, parime dhe prioritete, por nuk më dhatë përgjigje për pyetjen e parë që ju bëra: a do të jeni kandidat për President?
Së pari, duhet të kujtoj se ky proces, sipas Kushtetutës, fillon më 24 maj 2012, dhe në respekt të Kushtetutës, por edhe të Presidentit në detyrë, duhet që debati, konsultimet dhe negocimet institucionale në Kuvend të fillojnë në respekt të afateve kushtetuese, pra pas datës 24 maj 2012, pa mohuar të gjitha takimet e konsultimet midis aktorëve politikë. Së dyti, po t’i referohemi vendeve të tilla si Italia, Gjermania apo Greqia, të cilat e zgjedhin Presidentin nga Parlamenti, rezulton se emrat e kandidatëve për President apo emri i kandidatit konsensual për President ka dalë nga negocimet e konsultimet e aktorëve kryesorë politikë, pa kaluar nga një proces kandidimi individual. Kurse kandidatët shpallen e mbështeten nga partitë politike apo vetëshpallen kandidatë si individë të pavarur vetëm në rastin kur Presidenti zgjidhet nga populli, si për shembull në Francë apo SHBA, e gjetiu. Duke zotëruar një eksperiencë politike mbi 20-vjeçare, aktivitet politik intensiv dhe një karrierë politike relativisht të gjatë, gjykoj se në Shqipëri duhet të ndiqet standardi demokratik perëndimor që e zgjedhin Presdentin nga Parlamenti. Rrathët e konsultimeve mund të jenë 1) brenda maxhorancës, 2) brenda opozitës, 3) midis maxhorancës dhe opozitës, por edhe 4) midis forcave politike. Nëse konsultimet brenda maxhorancës janë të suksesshme, do të rriteshin shanset që nga konsultimet midis maxhorancës dhe opozitës të zgjidhej një President konsensual. Në të gjitha opsionet e tjera, Presidenti me shumë gjasa ose do të zgjidhej në raundin e katërt, ose nëse një rast shumë pak të mundshëm (gati të pamundshëm) mund të kishte zgjedhje të parakohshme nga pamundësia e zgjedhjes së Presidentit.
Ju prej më shumë se 20 vjetësh merreni me politikë, por shumica ju njohin si profesor dhe akademik në fushën e fizikës, cila është më pranë jush, shkenca apo politika?
Karriera ime ka dy pjesë, akademiko-shkencore, që fillon rreth viteve 1976 dhe politike, që fillon vetëm me vendosjen e pluralizmit politik, pra pas vitit 1991. Në themel të karrierës sime akademike qëndrojnë tri momente të rëndësishme: 1) fitimi i titullit “doktor” i shtetit në fushën e Fizikës Atomike e Molekulare, në Universitetin Paris XI në Francë, 2) kryeja e një veprimtarie postdoktorale në universitetin “Justus Liebig” të Giessenit, Gjermani, në kuadër të bursës “Humboldt” dhe 3) fitimi i titullit “profesor” në Universitetin e Tiranës…dhe kam shumë besim që ky është një projekt i suksesshëm…
Si kryetar i parë i Kuvendit pluralist, në këto 21 vjet, sa në koherencë kanë qenë qëndrimet tuaja ndaj çështjeve të rëndësishme të politikës shqiptare?
Është publiku ai që do të duhet të thoshte opinionin e tij për secilin politikan, dhe unë besoj se publiku ka perceptimin e tij për figurën dhe veprimtarinë e çdo politikani, pavarësisht anësive apo preferencave politike. Në mënyrë modeste, do të thosha se po të “skanohej” në këto 20 vjet aktiviteti im politik e mediatik, do të rezultonte prezenca ime në mënyrë sistematike e proaktive në pothuajse të gjithë ngjarjet e rëndësishme politike e sociale të vendit, që nga dita e parë në vitin 1991 kur kam filluar të “merrem me politikë”, duke drejtuar Kuvendin e parë pluralist dhe pa pushim deri me sot. Unë jam bërë anëtar i PSSH në vitin 1996, pa qenë asnjëherë tjetër anëtar i ndonjë partie politike, as para vitit 1991 dhe as deri në vitin 1996. Natyrisht kur PS ka qenë në qeverisjen e vendit angazhimi im ka pasur natyrë të ndryshme nga ajo kur PSSH ka qenë në opozitë. Një gjë mbetet e pandryshuar, gjykimet kanë qenë gjithnjë racionale, qëndrimet janë orientuar nga gjenerimi i ideve dhe projekteve reformuese, argumentet e arsyetimet janë bërë prezente përmes debateve e ballafaqimeve, dhe veprimet politike kanë qenë gjithnjë konstruktive. Retorika populiste, qëndrimet nacionaliste dhe veprimet radikale, jo vetëm nuk kanë qenë pjesë e aktivitetit tim politik, por përkundrazi, janë goditur ashpër prej meje sistematikisht, pavarësisht nëse ato kanë ardhur nga kundërshtari politik apo janë gjeneruar nga forca politike ku unë kam dhënë kontributin tim. Integriteti dhe morali kanë qenë në themel të sjelljes sime politike dhe udhërrëfyes konstant i sjelljes sime në politikë…
Si e shihni sot kontributin tuaj politik dhe mediatik gjatë periudhës 1997-2005, kur PS ka qenë në pushtet?
Kur PSSH ka qenë në qeverisjen e vendit, kontributi im ka qenë në pozicione nga më të rëndësishmet ministrore: si ministër i Jashtëm (dhjetor 2003-shtator 2005), ministër i Financave (shkurt 2002-dhjetor 2003), zëvendëskryeministër (prill 1998- tetor 1998) dhe ministër i Shtetit pranë Kryeministrit (korrik 1997- prill 1998). Gjithashtu, në periudhën mars 1999-dhjetor 1999 kam kryer një nga detyrat më të rëndësishme dhe më të vështira të jetës sime, atë të koordinatorit special të Grupit të Emergjencës së krizës humanitare të Kosovës, që shënoi krizën më të madhe humanitare në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu, më duhet të evidentoj faktin që kam qenë kryetar ose anëtar në të gjitha komisionet kuvendore për hartimin e Kushtetutës dhe ato të reformës zgjedhore. Prezenca ime në media në 20 vjet shfaqet sistematike dhe intensive, mbi 1000 artikuj të botuar në media e shkruar në 20 vjet, ose mesatarisht 4-5 artikuj ideor ose problemor mesatarisht çdo muaj, pothuajse çdo javë prezent ne debatet dhe intervistat e medias elektronike…
Periudha opozitare e një partie nuk është aspak e lehtë për vetë partinë dhe mbështetësit e saj, pasi kërkohet një ringjallje të shpresës. Cili ka qenë roli juaj kur PS ka qenë në opozitë?
PS ka qenë në dy periudha në opozitë, në vitet 1992-1997 dhe tani në periudhën 2005-2013. Kur PS ka zhvilluar një opozitë inteligjente e konstruktive, në vitet 1992-1997, kam dhënë së bashku më shumë kolegë kontributin kryesor për reformimin e PS nga një forcë me prejardhje komuniste në një forcë politike socialdemokrate europiane, deri në anëtarësimin e saj në Internacionalen Socialiste e PSE, reformim që ka luajtur një rol të konsiderueshëm në fitimin e zgjedhjeve në vitin 1997. Në periudhën opozitare 2005-2009, kam qenë shumë aktiv duke dhënë një kontributi konkret për reformën zgjedhore, por duke u angazhuar maksimalisht për integrimin e vendit në NATO e BE. Kurse në periudhën tjetër opozitare, 2009-2011, kam dhënë një kontribut modest për fitimin e statusit te vendit kandidat në BE, duke nxitur nga njëra anë qeverinë për realizimin e të gjitha detyrimeve të Komisionit Europian dhe nga ana tjetër, duke mbajtur qëndrime kritike ndaj të gjitha veprimeve bojkotuese dhe radikale/ekstremiste të opozitës ku unë bëja pjesë, natyrisht i ndërgjegjshëm për koston përkatëse personale, por konsekuent për të bërë të njëjtën gjë që kisha bërë si ministër i Jashtëm në periudhën kur Partia Demokratike në opozitë kryente veprime të ngjashme radikale apo bojkotuese të Kuvendit.
Zoti Islami, ju keni një aktivitet të ngjeshur edhe në organizmat ndërkombëtarë….
Gjatë 20 vjetëve të karrierës sime politike, unë kam përfaqësuar për më shumë se 10 vjet Kuvendin e Shqipërisë si kryetar ose anëtar i delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, duke qenë deputeti i parë dhe deri tani i vetëm shqiptar raportues i kësaj asambleje për Gjeorgjinë (2007-2012) dhe luftën Gjeorgji-Rusi; si dhe në Asamblenë Parlamentare të vendeve të Detit të Zi. Natyrisht janë të shumta kontributet e mia në konferenca dhe aktivitete rajonale e ndërkombëtare, qoftë si ministër i Jashtëm apo i Financave (FMN, BB), por edhe si deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Si një politikan me një karrierë të tillë politike, por dhe mediatike me ndikim në opinionin publik, çfarë do t’i sugjeronit Presidentit të ri për 100 ditët e para të mandatit të tij presidencial?
Po përgjigjem shumë shkurt. Së pari, Presidenti duhet të vendosë marrëdhënie besimi e bashkëpunimi me të gjithë aktorët e rëndësishëm politikë. Objektiv prioritar e madhor i Presidentit në 100 ditët e para të mandatit të tij duhet të jetë angazhimi proaktiv, për të nxitur e mbështetur të gjitha institucionet e shtetit, dhe veçanërisht për të bashkuar e nxitur maxhorancën e opozitën të angazhohen për kryerjen në kohë e me cilësi të të gjitha detyrimeve dhe reformave për fitimin e statusit të vendit kandidat në BE. Në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe të krimit të organizuar, Presidenti duhet të japë kontributin maksimal që të bëhen të gjitha ndryshimet e nevojshme kushtetuese e ligjore për të hequr imunitetin e zyrtarëve të lartë, ministra, deputetë, gjyqtarë etj. Në planin kombëtar dhe rajonal, duke pasur parasysh edhe faktin që këtë vit është 100-vjetori i pavarësisë, Presidenti duhet të jetë proaktiv dhe bashkëpunues me qeverinë dhe institucionet e tjera të shtetit në organizimin e aktiviteteve me impakt kombëtar dhe rajonal. Drejtësia duhet të jetë në vëmendjen kryesore të Presidentit gjatë gjithë mandatit të tij, për një vizion e platformë për një Drejtësi të pavarur, profesionale dhe që perceptohet e ndershme nga publiku duhet të përgatitet e publikohet në 100 ditët e para.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











