
Sado nënvetëdijshëm, i kemi brenda gjithë përjetimet e fëmijërisë. Emili Markgjonaj Mirakaj i ka mbledhur të gjitha e i ka risjellë në romanin e saj të parë autobiografik, “I do sytë e mi?”. Pyetjet dhe përgjigjet e një 5-vjeçareje, që, deri sa i hodhi në letër e i ndau me të gjithë, nuk po gjente dot paqe me veten Për ne, ‘të zakonshmit’, që nga përpara ’90-s kujtojmë me nënqeshje vetëm batuta filmash (edhe këto të rifreskuara natyrisht)apo lutjen disa orëshe për një 5-lekëshe, natyrisht që historitë e së shkuarës kanë pak impakt. Apo, tek e shumta, mund të ndjellin një kuriozitet të atypëratyshëm për t’u shuar krejt më pas, ashtu pa të keq, qoftë edhe me një telefonatë të pavlerë… Ndihesh keq në fakt, që sillesh kaq bosh tek sheh njerëz që gati lotojnë prej kapërdimës që ende edhe sot nuk e çojnë dot deri në fund. Ishin të shumtë të ftuarit në promovimin e librit të Emili Markgjonaj, që lëviznin kokën në drejtim horizontal, tek sa autorja e librit shkëpuste ngjarje a histori që e kishin shpënë deri në nxjerrjen në dritë të romanit autobiografi, “I do sytë e mi?”. I lidhnin shumë të përbashkëta, i kanë përshkuar të njëjtat drithërima, kanë qenë po njësoj të uritur… Të tjerë, (të pakët) që ende nuk iu ishin afruar të 30-tave, gjenin çdo çast diçka më interesante në teknologjinë e avancuar të celularit që kishin ndër duar. Por, në fakt, në çdo rast, sytë pyetës dhe vetë titulli i kopertinës së librit që rrinte duke të parë, ta ngacmonin kureshtjen. Ç’ishte kjo vajzë e vogël me kukull në dorë e me sy të ‘lodhur’ nga rëndesa e kohës? Shikimi i autores, përbri librit, një farë përgjigjeje ta jepte, sepse kishte mbetur po ai edhe pas 35 vitesh, por pyetjet në kokë vazhdonin të mbeteshin, për t’u shuar një nga një pas çdo fjalie e sqarimi të autores.
Ashtu si shumë shqiptarë të tjerë në kohën e krizës së madhe, Emili Markgjonaj emigroi në Itali, vend ku ende edhe sot jeton. Me vrapin e një vajze 20-vjeçareje, nuk është që mund të ndalesh e të shënosh shumë gjëra në letër. Jeton shkarazi, arsimohesh, punësohesh, lind jetë të re… deri sa, një ditë e gjen veten përpara pikëpyetjesh. Kush isha? Pse ika? Nga çfarë kisha frikë?
Po, që të përballej me të gjitha përgjigjet, iu deshën edhe 20 vite të tjera Emilit. Pikërisht, në moshën 40-vjeçare bëri balancet me veten dhe risolli në kujtesë gjithë çka kishte parë, kuptuar e bërë sikur mund të bëjë një fëmijë 5 vjeç. Nëpërmjet saj do të gjejnë veten shumë të tjerë që kanë qenë shokë të saj të lojës e do të kuptojnë rëndesën e diktaturës edhe ata që e lënë dëgjimin vetëm shkarazi t’i prek ngjarjet.
Do të jetë pyetja më e klikuar për ju, por po jua ribëj: Pse dhe kur menduat t’i riktheheshit një kohe të shkuar?
Rikthimi erdhi si vijimësi e një nevoje të brendshme, një bisede me veten, që rezultoi të ishte e gjatë, por nuk ka nisur i planifikuar për t’u kthyer në roman. Nisa të hedhë në letër kujtime, ngjarje, pa pasur një ide të qartë se çfarë forme do të merrte në fund. Njëkohësisht, jua tregoja mikeshave e motrës sime. Është edhe meritë e tyre që arrita ta finalizoj e t’i mbledh bashkë ato copa jete që hidhja njëra pas tjetrës.
A mundet një fëmijë, pas kaq shumë vitesh, t’i ketë kaq të qarta pamjet në kokë?
Mundet me sa duket, janë disa përjetime që nuk u largokan. Edhe pse, vijnë gjithnjë të rifreskuara nga bisedat që bëjmë shpesh me familjarë e miq. Sado që me urrejtje, as unë, e as familjarët e mi nuk i janë rikthyer kurrë asaj kohe, kanë ende në fyt gjithë ngërçin që u ka shkaktuar, sado që ata vetë nuk kishin asnjë lidhje direkte me dëmet që mund t’i bëheshin partisë.
Një tjetër fakt në disfavor të kujtesës është jetesa juaj prej 20 vitesh në Romë…
Po, kam studiuar e punoj në Romë si psikologe në një organizatë ndërkombëtare, por, pavarësisht kësaj, njeriu nuk mund të resht së ndjeri ajrin që e ka rritur, edhe sikur vitet që jetojmë jashtë të ishin dyfish më shumë. Kjo është e pakontrollueshme nga secili prej nesh.
Kolegët tuaj ju ‘ngacmuan’ për një roman të dytë… histori dashurie…?
Është shumë shpejt, librit i duhet koha e tij, koha materiale të cilën unë nuk e kam dhe që për të parën më kanë ndihmuar shumë familjarët e mi. Ajo e kolegëve mund të jetë dëshirë entuziaste, si pasojë e pozitivitetit që përcollën për romanin e parë.
Fragment nga libri
“Megjithëse akoma e freskët në shpirt, ngelem e bindur që rinia nuk kthehet më. E ndërsa toka më rrëshqet nën këmbë, ndërsa dyshimet më pushtojnë trurin, ndihem e mallosur të kthehem atje,… atje ku kam dëshirë dhe frikë të gjej përgjigjet.
Çdo kapitull i kushtohet dikujt ose diçkaje që, në të mirë o në të keq, ka shënuar e ndërruar rrjedhën e jetës sime. Dhe nëse dikush nuk gjendet krejt rehat, -referimet për njerëzit dhe ngjarjet reale janë më se të qëllimshme, – epo… vetë e kanë kërkuar.”
ANI JAUPAJ
© Panorama.al











