Emigrimi masiv i mjekëve/ Akademiku Fuga për Panorama TV: Metodë barbare ajo që thotë kryeministri për bllokimin e diplomave të studentëve, shkel të drejtat e njeriut

Mar 25, 2023 | 17:50
SHPËRNDAJE

Akademiku Artan Fuga është shprehur se ajo që ka propozuar kryeministri Edi Rama për bllokimin e diplomave të studentëve të infermierisë dhe mjekësisë në mënyrë që të mos largohen nga vendi, është një metodë barbare.

kdcfhk

Komentet Fuga i bëri gjatë një interviste për Panorama TV, ku tha se ka mënyra të tjerë për të mbajtur profesionistët në Shqipëri dhe jo të shpikim metoda të padëgjuara më parë.

Ai shtoi se duhet bërë një studim i mirëdetajuar për shkaqet e emigrimeve nga vendi, pasi sipas tij, shkaku nuk është vetëm ekonomia.

“Nuk mundesh dot ti heqësh të drejtën e diplomës një studenti, pasi kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut shumë e rëndë. Ky student ka të drejtë ta hedhi shtetin shqiptar në gjyqë ndërkombëtare. Kemi parasysh që të drejtat janë gjjëja më e shenjtë dhe asnjë arsye nuk është më prioritare se e drejta e njeriut. Thënë kjo, ka mënyra të tjera. Nuk ka nevojë ti shpikim ne, sepse është metodë barbare ajo që thotë kryeministri “ti bllokojmë diplomat”.

Bota i thotë, ti ke ardhur në universitet. Nga taksat e tua apo të prindërve të tu ke shpenzuar kaq. T’i smund ti thuash të tjerëve që kanë paguar për ty mirupafshim se unë po iki. Atëherë i thonë që ti 5 vite do të punosh këtu. Do punosh për të shlyer detyrimet dhe pas 5 vitesh ik në Gjermani pastaj. Nuk të bllokon as duke të penguar ushtrimin e profesionit. Edhe rritja e pagave nuk bëhet direkt, ka ligje ekonomike. Ti do rrisësh pagat për disa profesione të mjekëve që janë më të kërkuarat. Ti do rritësh pagat për disa mjekë që mbajnë shërbimin. Mbi bazën e performancës, rolit që kryejnë, cilësive personale, etj. Një profesionist i mirë është si një pemë me rrënjë rreth të cilës mblidhen edhe kërpudhat…. Por nëse ti thua unë do ju rris pagën të gjithëve, apo do ju bllokoj diplomat, nuk është mirë.

Unë kam njohur njerëz që janë profesionist të jashtëzakonshëm dhe kanë ikur. Pse kanë ikur, sepse ata e siguronin jetën shumë mirë. Nuk ka ikur një njeri i pakualifikuar apo i varfër. Vështirësitë ekonomike janë vështirësi për emigrim, por ikin edhe njerëz që kanë të ardhura. Duhet bërë studim ta financojë shoqëria shqiptare këtë, sepse ka të bëjë me sigurinë kombëtare, me ekzistencën e kombit tonë. Ne vazhdojmë të jemi marksistë në kuptimin më të keq të fjalës. Ai që ikën ka nevojë edhe për shërbim mjekësor, edhe për një teatër, një librari, etj. Nuk duhet gjykuar vetëm ana ekonomike e çështjes, por duhet parë në tërësi”, u shpreh Fuga.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura