Lëndë plasëse poshtë mjetit, shpëton çifti i të rinjve dhe fëmija 2 vjeç.Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00 të së premtes, kur 29-vjeçari Mario Hasani zbuloi në diskun e makinës së tij një sasi të konsiderueshme lënde eksplozive dhe dy granata. Burime të Policisë bënë të ditur se të riut i kishin vendosur gjatë natës 1.6 kilogram tritol dhe dy kapsolla ndezëse, ndërsa motivi i kësaj ngjarjeje, që mund të ishte kthyer në tragjedi për familjen Hasani, ende nuk dihet. Paraprakisht dyshohet për ndonjë implikim të mundshëm të tij në Greqi në pazare droge, gjë që mund të ketë shkaktuar edhe tentativën për hakmarrje. Kjo pasi, sipas Policisë, Hasani ka qenë emigrant në Greqi dhe është dënuar në këtë shtet për trafik droge. Burime policore bënë të ditur se ngjarja është regjistruar në fshatin Xarrë të Sarandës, por fatmirësisht lënda plasëse që i ishte vendosur mjetit “Opel Astra”, ngjyrë gri, me targa greke, është zbuluar pa shpërthyer. “Një pako e mbështjellë me plastmasë të bardhë u gjet e vendosur te disku i gomës së pasme të një mjeti tip ‘Opel Astra’ me targë YHI 5178, pronë e shtetasit Mario Hasani, nga fshati Xarrë. Pakoja është zbuluar nga vetë familjarët në momentin kur 29- vjeçari ka hipur në mjetin e tij dhe do ta lëvizte atë për ta nxjerrë nga vendi ku e kishte lënë të parkuar”, bëri të ditur Policia e Sarandës. Sipas dëshmisë së dhënë nga vetë drejtuesi i makinës, ata kanë sinjalizuar policinë menjëherë sapo kanë pikasur pakon që ishte lidhur te disku i gomës. Blutë mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe bënë izolimin e zonës ku ndodhej mjeti, ndërsa kërkua ndihmë nga specialistë xhenierë nga Tirana për të bërë të mundur çaktivizimin e lëndës dhe granatave të gjetura në pakon e mbështjellë. “Në orët e vona të së premtes, rreth orës 22:00, specialistë të ardhur nga Tirana kanë realizuar çaktivizimin e lëndës, e cila rezultoi të ishte rreth 1.6 kg, e dyshuar si ajo e llojit tritol, si dhe dy ndezëse, ku siguresat e tyre ishin lidhur me tel në diskun e gomës së pasme të mjetit”, thanë burime të Policisë. Blutë nisën menjëherë hetimet për të zbuluar autorët e vendosjes së lëndës eksplozive. Mësohet se nga policia e Sarandës janë shoqëruar në Komisariat 10 persona, banorë të fshatit Xarrë, por, pasi janë marrë në pyetje, ata u lanë të lirë. Burime policore bënë të ditur se shënjestra e këtij atentati nuk ka pranuar të ketë konflikte me persona të tjerë, ndërsa ai nuk figuron as i skeduar në listën e personave problematikë në Sarandë. Bashkë me gruan dhe djalin vetëm 2 vjeç, ai ishte bërë gati për të shkuar në Konispol. I pari që ka hipur në makinë ka qenë Mario Hasani. Por, sapo ka nisur makinën për të dalë nga parkimi, bashkëshortja e tij ka dëgjuar një këputje teli. Kjo ka bërë që të vëzhgohej se çfarë i kish ndodhur pas makinës. Kur u përballën me një pako të mbështjellë me plastmasë të vendosur te disku i njërës prej gomave të pasme, ata sinjalizuan menjëherë policinë. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se lënda është vendosur gjatë orëve të natës, por ende nuk jepen të dhëna të tjera në lidhje me hetimin.
Policia: I dënuar për drogë
Policia e Sarandës ka nisur hetimin në lidhje me aktivitetin e personit të shënjestruar për atentat. Por, blutë nuk kanë mundur të zbulojnë të dhëna që mund ta përfshijnë 29-vjeçarin Hasani në veprimtari kriminale në Sarandë. E vetmja e dhënë e siguruar prej tyre ishte fakti se Hasani kishte qenë i dënuar në Greqi për trafik droge. Ai kishte qenë emigrant prej shumë vitesh në këtë shtet, ndërsa ishte kthyer tre vjet më parë në fshatin e lindjes, menjëherë sapo ishte liruar nga qelia. Burime të Policisë bënë të ditur se 29-vjeçari ishte punësuar në një rezervat peshku. Gjatë hetimit nuk ka rezultuar që ai të ketë pasur konflikte as në punë dhe as në fshat, duke përforcuar kështu dyshimet për një hakmarrje të mundshme të personave për çështje
që kanë lidhje me trafikun e drogës.
SARANDE/ SHPRESA DINE
© Panorama.al











