KORÇE – Emigranti, peng për pesë orë për borxhin e pashlyer prej 18 mijë lekësh. Gentian Kocka ishte kthyer për pushime, por ai është ndeshur me pronarin e firmës private të mermerit, të cilit i kishte lënë pa shlyer paratë e mallit që kishte marrë më parë prej tij. Nga hetimet paraprake rezultoi se pasi kishte blerë mermer në një firmë private në fshatin Bitinckë të rrethit të Devollit, Kocka ishte larguar pa shlyer detyrimet. “39-vjeçari nga fshati Cipan i rrethit të Devollit, Gentjan Kocka, i ka pasur si detyrim një shumë relativisht të vogël pronarit të firmës së mermerit, Kosta Hoxha. Por kjo nuk e ka ndalur këtë të fundit që ta mbajë peng atë për disa orë”, bëri të ditur Policia e Korçës. Burime të Policisë bënë të ditur se ngjarja e ka zanafillën rreth një vit më parë, kur emigranti ka blerë te pronari i firmës mermer për disa punime që ishte duke kryer në banesën e tij. Por ai nuk i ka shlyer shumën për mallin që kishte marrë. Dy ditë pasi është kthyer nga emigrimi, 39-vjeçari është takuar me pronarin e mermerit, i cili nuk e kishte harruar borxhin. Mësohet se Kosta Hoxha kishte çuar njërin prej punonjësve të tij për të thirrur emigrantin. Pasi janë takuar, Kocka është mbajtur peng në një magazinë të firmës për më se 5 orë nën presionin e vazhdueshëm për të paguar detyrimin e tij. Sipas Policisë, ai është detyruar nga pronari i firmës dhe punonjësi i tij 22-vjeçar Klajdi Hysi që t’u telefonojë familjarëve dhe t’u kërkojë që të sigurojnë shumën e nevojshme për ta liruar. Gjatë kohës që ai është mbajtur i izoluar, i janë marrë si garanci portofoli e telefoni. Ai është lënë i lirë me kusht që të shlyente detyrimin. Emigranti është drejtuar në Komisariatin e Policisë së Devollit ku ka denoncuar pronarin e firmës së mermerit dhe punonjësin e tij të implikuar në këtë veprim. Pas denoncimit të kryer, u arrestuan shtetasit: Kosta Hoxha, 51 vjeç, administrator i një firme private mermeri në Devoll, si dhe punonjësi e kësaj firme, 22-vjeçari Klajdi Hysi, banor i fshati Bitinckë në Devoll. dh.d











