
KORÇE/ “I dhashë 10 mijë lekë atij që i kisha marrë 5 milionë me interes”
Tetë ditë nga zhdukja e 30-vjeçarit Armand Abdullai, Policia e Korçës ka nisur me verifikimin e tabulateve telefonike për të identifikuar personat që kanë komunikuar së fundmi me të. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se nga verifikimi i kryer deri më tani, bazuar edhe në të dhënat e të afërmve, 30-vjeçari ka pasur në përdorim dy numra nga kompani të ndryshme telefonike. Tashmë pritet që të zbulohen kontaktet e tij të fundit, të cilat mund të zbardhin zhdukjen e tij, apo të ngrenë pista të reja hetimi. Një prej personave të marrë në pyetje nga policia është edhe fqinja e tij me inicialet A.D., e cila ka deklaruar se nuk është e vetmja që i ka marrë para borxh Armand Abdullait. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se nga dëshmitë e mbledhura deri më tani, 30-vjeçari i zhdukur i jepte paratë e tij kundrejt një interesi 10 për qind. Ai vepronte në mirëbesim, dhe nuk nënshkruante asnjë deklaratë me personat që iu jepte paratë. Fqinja e Abdullait rrëfeu për “Panorama” se kishte qenë e rregullt në kthimin e interesave dhe nuk kishte pasur asnjë problem me personin që prej tetë ditësh rezulton i zhdukur.
Sa lekë i detyroheshit Armand Abdullait?

I kam marrë 5 milionë lekë të vjetër dhe ia shlyeja ato çdo muaj rregullisht, së bashku me interesat. Nuk kam pasur asnjë problem me të gjatë gjithë kësaj kohe.
Keni dijeni nëse ka pasur persona të tjerë, të cilët kanë marrë lekë me fajde tek ai?
Sigurisht që po, mes tyre edhe komshinj të tjerë të tij. Ndaj unë nuk e kuptoj se pse ai u ka treguar prindërve vetëm për mua dhe jo për të gjithë ato familje që i detyroheshin në shuma të ndryshme. Armandi, pasi u kthye nga Greqia, nisi të merrej me këtë punë dhe të gjithë atyre që i njihte u ka dhënë lekë borxh. Madje, nuk kërkonte as dokumente apo garanci në këmbim të tyre. Tregohej i kuptueshëm me të gjithë, dhe me sa di unë nuk kishte probleme.
Sa ishte interesi që ju paguanit për shumën që i merrnit?
Nuk kemi pasur asnjëherë probleme në këtë drejtim. Binim dakord që në fillim dhe nuk kishim nevojë të firmosnim asgjëkund, pasi kishim aq njohje e besim te njëri-tjetri. Ai i jepte paratë kundrejt një interesi 10 për qind.
A ishte i rregullt si person? Po ju kohët e fundit keni vënë re ndonjë ndryshim?
Ne nuk kemi pasur konflikte ne lagje, edhe pse jetonte i vetëm, nuk ka sjellë asnjëherë probleme. Ka parë gjithmonë punën e tij. Së fundmi di se kishte luajtur shuma të ndryshme lekësh në skedina, madje ditën e fundit më ka marrë mua 10 mijë lekë borxh, pasi më tha se nuk kishte. Por, nuk m’u duk i çuditshëm në sjellje.
Shoqërimet
Deri më tani janë shoqëruar 30 persona për t’u marrë në pyetje, mes tyre edhe një vajzë me inicialet A.F., me të cilën 30- vjeçari ka pasur lidhje intime. Aktualisht vijojnë të jenë dy pista hetimi, ajo e konflikteve me persona të cilët kanë marrë lekë nga Armand Abdullai në formën e fajdeve, si dhe mundësia e largimit të tij në shtetin grek përmes kufirit të gjelbër. Ndërkohë nga policia është gjetur i parkuar në afërsi të lagjes ku banonte edhe automjeti në pronësi të 30-vjeçarit.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











