Emigrantët në Itali, si do informohen për sigurimet

Feb 7, 2012 | 11:24

Emigrantët që jetojnë në Itali dhe që duan të marrin informacion lidhur me atë çka garanton legjislacioni shqiptar për mbrojtjen sociale apo sigurimet shoqërore në veçanti, mund ta bëjnë këtë pa ardhur në Shqipëri. Tashmë, falë marrëveshjes që Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka me institucionin simotër në Itali, informacioni mund të garantohet përmes tri zyrave që Patronati ACLI ka hapur. Në këto zyra do të punojnë punonjës shqiptarë që jetojnë në Itali dhe do t’u ofrojnë emigrantëve informacion lidhur me  mundësinë e plotësimit të periudhave të sigurimeve sipas legjislacionit shqiptar, verifikimit të vjetërsisë në punë, si dhe llojet e ndryshme të përfitimeve që jepen nga ligjet shqiptare. Puna për të vijuar me këtë nismë të marrë nga ISSH-ja duket se po ecën me hapat e duhur dhe pikërisht dje, pranë këtij instituti nisi edhe trajnimi i operatorëve që do të punojnë në tri sportelet e para që Patronati ACLI ka hapur, ndërkohë që pritet që numri i sporteleve të rritet në vijim. Dje, specialistët e punësuar në këto zyra, si dhe përfaqësuesit e ACLI-t në Tiranë dhe në Shkodër filluan një trajnim disaditor me specialistët e ISSH-së. Këtë takim e ka përshëndetur edhe drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, Vjollca Braho. “Besoj se zgjerimi i bashkëpunimit tonë do t’i krijojë mundësi emigrantëve të informohen për procedurat e plotësimit të periudhave të sigurimit të kaluara, të pambuluara me kontribute për sigurimet shoqërore, si dhe për t’u përfshirë në kushte përfitimi nga legjislacioni i sigurimeve shoqërore në momentin e lindjes së të drejtave për çdo lloj përfitimi”, u shpreh Braho. Nga ana tjetër, ajo nënvizoi se informatizimi i sistemit të sigurimeve shoqërore synon krijimin e llogarive personale për çdo kontribut-pagues, duke lehtësuar procedurat e informimit të emigrantëve me historikun e tyre kontributiv në Shqipëri dhe të drejtat që u lindin nga kjo marrëdhënie. Krijimi i mundësive për emigrantët vjen në një kohë që edhe interesi i këtyre të fundit është rritur. Gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të ISSH-së, nga marrëveshja me Patronatet INAS-CISLI dhe ACLI në Itali ka pasur rreth 250 kërkesa nga ana e emigrantëve shqiptarë për të verifikuar vitet e punës që kanë të investuara në Shqipëri dhe për të konfirmuar saktësinë e dokumentacionit që ata kanë.

© Panorama.al

Te lidhura