Emigrantët, hiqen legalizimet në Ambasadën Italiane

Jun 23, 2011 | 11:26

Duke filluar nga data 1 korrik 2011, përfaqësitë konsullore italiane nuk do të kryejnë më legalizimet tradicionale të akteve publike shqiptare.Ato do të pranojnë vetëm dokumente të pajisura me Apostile nga Ministria e Jashtme shqiptare. Italia i jep fund në këtë mënyrë “bllokadës” 8-vjeçare për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Hagës mes Italisë dhe Shqipërisë. Gjithçka e bëri me dije dje Ambasada Italiane në Tiranë. “Në vijim të vendimit të qeverisë italiane për tërheqjen e kundërshtisë së vënë në 2003-shin ndaj Shqipërisë, Marrëveshja e Hagës që anulon legalizimin e akteve publike të jashtme (apo Marrëveshja mbi Apostilat), hyri tashmë në fuqi mes Italisë dhe Shqipërisë”, thuhet në deklaratën për mediat të Ambasadës Italiane. Sipas saj, aktet publike shqiptare, për të pasur vlefshmëri në Itali, nuk duhet të legalizohen më pranë përfaqësive konsullore italiane, por duhet të jenë të pajisura me vulën e Apostiles nga ana e Ministrisë së Jashtme shqiptare. “Bëhet fjalë për një zhvillim të një rëndësie të madhe që u arrit falë një nisme të Ambasadës Italiane në Tirane që, duke marrë parasysh përparimet e arritura nga Shqipëria në vitet e fundit dhe të liberalizimit të vizave ‘Shengen’, i ka kërkuar Ministrisë italiane të Punëve të Jashtme (në marrëveshje me ministritë e tjera të interesuara, atë të Brendshme dhe të Drejtësisë), për të tërhequr kundërshtinë që bllokonte hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Hagës mes Italisë dhe Shqipërisë”, bëri me dije Ambasada. Procedura e re  do të sjellë për qytetarët shqiptarë një kursim të dukshëm si të kohës, dhe të parave. Impakti do të jetë, pa dyshim, shumë i fortë në popullsinë shqiptare: mjafton të marrësh parasysh që vetëm Kancelaria Konsullore e Ambasadës së Italisë në Tiranë ka kryer deri tani rreth 77 000 legalizime të akteve çdo vit. “Sidoqoftë, ju kujtojmë se për t’u pranuar nga autoritetet italiane, aktet publike (të pajisura me vulën e Apostiles), duhet të jenë të përkthyera në gjuhën italiane. Ky përkthim, detyrimisht duhet të kryhet apo vërtetohet në përputhje me origjinalin nga ana e përfaqësive konsullore italiane (Ambasada Italiane në Tiranë, Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, Konsullata e Shkodrës)”, thuhet në deklaratën për mediat.

77 mije
legalizime të akteve çdo vit janë kryer vetëm nga Kancelaria Konsullore e Ambasadës së Italisë në Tiranë. Me marrëveshjen e re procedura ndryshon plotësisht.

Ndryshimet për legalizimet

Duke filluar po nga data 1 korrik 2011 nuk do të pranohen më përkthimet e kryera nga persona që nuk bëjnë pjesë në listën zyrtare të përkthyesve të betuar shqiptarë (depozituar pranë Ministrisë së Drejtësisë shqiptare).

Për përkthimet publiku duhet t’u drejtohet:
•     Vetë përfaqësive konsullore italiane, të cilat do të kryejnë drejtpërdrejt përkthimet.
•     Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.
•     Një përkthyesi shqiptar të betuar (që bën pjesë në listën e depozituar pranë Ministrisë së Drejtësisë).

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura