Moti, Topi: Bashkëpunim pa dallime politike

Feb 14, 2012 | 11:54
Presidenti Bamir Topi

TIRANË- Koordinim ne kohe te veprimeve, bashkepunim pa dallime politike ne perballimin e emergjences, solidaritet dhe humanizem nga te gjithe ne ndihme te familjeve te izoluara nga bora. Ky eshte mesazhi i dhene sot nga presidenti i vendit, ndersa ka kontaktuar me drejtuesit e pushtetit vendor, Shtabin e Emergjencave dhe struykturave qendrore për situatën më të fundit në zonat problematike të vendit, izoluar prej ditësh nga bora.

Kreu i shtetit ka vlerësuar punën e bërë nga drejtuesit e pushtetit vendor dhe ka bërë apel për bashkëpunim e komunikim të pandërprerë mes tyre dhe autoriteteve qendrore, per ndihme e solidaritet tej dallime politike.

Zyra e Presidentit njofton se Topi mori sot kontakte direkte me drejtuesit e pushtetit vendor në Tropojë, Krumë, Kukës, Mirditë, Mat, Bulqizë, Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë, Dibër, Korçë, Librazhd dhe Elbasan.

Gjithashtu Presidenti Topi kontaktoi edhe me drejtues të njësive vendore më në vështirësi përfshirë kryetarët e komunave Lekbibaj, Shalë, Kelmend, Margegaj, etj.

Presidenti Topi pati biseda informuese edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Drejtorin e Emergjencave Civile, si dhe drejtues të tjerë të lartë të përfshirë në përpjekjet për përballimin e kësaj situate.

Në këto kontakte direkte Presidenti Topi u interesua me detaje për gjendjen aktuale në njësitë vendore të prekura nga gjendja e fatkeqësisë natyrore, për jetën e banorëve aty, masat e marra për lehtësimin e gjendjes si dhe problematika të tjera të lidhura me to.

“Presidenti Topi vlerësoi punën e admirueshme të drejtuesve të pushtetit vendor për t’iu ndodhur pranë qytetarëve, punën e ushtrisë, policisë, njësive të emergjencës, të shërbimit spitalor dhe arsimor, të njësive të furnizimit me energji, të medias elektronike, si dhe të të gjithë punonjësve të tjerë, të cilët, pavarësisht nga vështirësitë dhe rrethanat e jashtëzakonshme, kanë bërë gjithçka në mbrojtje të jetës së banorëve të rrezikuar dhe përballimit të situatës me sa më pak humbje”- thuhet ne njoftim.

Ai nxiti autoritetet qendrore e vendore të vazhdojnë komunikimin intensiv midis tyre, për koordinimin në kohë dhe me efektshmërin ë e duhur të masave të emergjencës, për t’u ardhur në ndihmë sidomos zonave të izoluara si dhe familjeve që janë në kufijtë e mbijetesës.

Presidenti Topi apelon çdo njësi dhe ent shtetëror, çdo parti politike dhe institucion, që tej dallimeve politike, të fokusohen në bashkëpunim e mirëkuptim në përballimin me sukses të kësaj situate emergjente. Në një demokraci dhe shoqëri të lirë nuk ka asgjë më prioritare dhe më të rëndësishme sesa jeta e qytetarëve dhe siguria e tyre.

Njëherësh Presidenti Topi apelon kompaninë shtetërore dhe ato private telefonike të marrin çdo masë të mundshme për të siguruar komunikim të panderprerë në çdo zonë të vendit, si dhe bën thirrje biznesit privat të dëshmojnë solidaritet dhe humanizëm në ndihmë të qytetarëve në nevojë.

© Panorama.al

Te lidhura