
TIRANË- Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani ka njoftuar se në kuadër të situatës së emergjencës zonave të bllokuara u vihet në dispozicion një fond në total prej 400 milionë lekësh që do të përdoren në mënyrë ekskluzive vetëm për kontraktimin e mjeteve që do të punojnë për pastrimin dhe hapjen e rrugëve të bllokuara.
Nishani ka numëruar me radhë komunat dhe zonat që do të përfitojnë nga fondi i vënë në dispozicion dhe ka kërkuar veprim të shpejtë dhe angazhim total.
“Ky fond tashmë i alokuar në destinacionin e komunave, bashkive, por edhe administratës së qarqeve është i destinuar të përdoret vetëm për hapjen e rrugëve për të kontraktuar mjete nga kompanitë private për të hapur akset e rrugëve rurale, për të kontraktuar direkt mjete private për hapjen e rrugëve të komunave, kurse fondi i prefekturave do të përdoret vetëm për furnizimin me karburant të mjeteve që do të nevojiten nga drejtoritë rajonale që asistojnë në këto akse”- tha ai.
Sipas tij, gjatë takimeve me shtabet e emergjencës propozimi kryesor i kryekomunarëve ka qenë të kishin një fond financiar, pasi ka qenë më e lehtë të kontraktonin mjete për hapjen e rrugëve.
Nishani i ka bërë apel banorëve të zonave të bllokuara për bashkëpunim. “I adresohem banorëve të zonave që na nevojitet angazhim dhe solidaritet për përballimin e problematikave. Ata të angazhohen për të pastruar catitë e banesave nga sasia e madhe e borës, pasi ky është rrezik evident”- tha ai.
© Panorama.al











