Ema Andrea largohet nga “Orkidea”

Jul 15, 2012 | 13:18

Aktorja e njohur Ema Andrea  nuk do ta moderojë sërish emisionin “Orkidea” në “Albanian Screen” në sezonin e ri. Pas dy sezonesh punë me këtë program, ajo ka mbyllur përfundimisht kontratën me këtë ekran, për faktin se pritshmëritë nuk kanë qenë aq të mira për suksesin e këtij emisioni të pasditeve. Pedagogia e lëndës  “Plastika”, në degën e Dramës në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, për herë të parë provoi të shfaqej me një emision të sajin të pasditeve nga e hëna në të premte, në ekranin e “Albanian Screen”, duke e provuar veten si moderatore televizioni. Andrea duket se i ka hyrë vonë karrierës televizive, duke bërë realitet ëndrrën e saj të hershme për të qenë pjesë e televizionit. Edhe pse që në fund të sezonit të kaluar ajo u komentua si një moderatore jo shumë e pëlqyer, u përpoq të thyente tabu, ndërsa realizoi një spot televiziv në breg të detit, ku shfaqet e veshur me rroba banjo të zeza e shtrirë në shezlon. Nuk dihet nëse pas këtij largimi Ema do të provojë një format tjetër televiziv. Po ashtu, nuk dihet se kush do e zëvendësojë në sezonin e ri “Orkidea”, një program i konceptuar si një grup rubrikash në pesë petalet e orkidesë, ku e fton publikun të njihet me rregullat e Galateos.

© Panorama.al

Te lidhura