Elvis Roshi sherr me kreun e PS në Kavajë: Ta pres gjuhën

Jul 8, 2012 | 11:44

Kreu i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi

Incidenti në Asamblenë socialiste. Spiropali: Kërkojmë bashkim.

Kreu i Bashkisë: Jua pres gjuhën, ju nxjerr të gjithëve jashtë.

Një takim që ishte planifikuar të zhvillohej dje paradite në Kavajë me anëtarë të Asamblesë socialiste të rrethit, ku ishin ftuar dhe drejtues të FRESSH-it, është shoqëruar me incidente dhe kërcënime. Duke parë zhvillimet në Forumin Rinor Socialist në këtë rreth, deputeti socialist i qarkut të Tiranës që mbulon zonën e Kavajës, Dashamir Peza, kishte thirrur një takim për t’i diskutuar nga afër problemet dhe shqetësimet e të rinjve. Drejtuesit e FRESSH-it të zgjedhur në komuna dhe bashkitë e Kavajës dhe Rrogozhinës u ftuan të ishin të pranishëm në një takim që u zhvillua në një nga sallat e hotel “Ballkan”, në pronësi të kryetarit të Bashkisë së këtij qyteti, Elvis Roshi. Emri i kreut të bashkisë së Kavajës, u bë i njohur për të gjithë nga historia e sajuar e rrëmbimit të ish bashkëshortes së tij, Griselda Zaimi, histori me tw cilwn u njoh dhe Parlamenti Europian. Por, pa nisur mirë, ky takim është cilësuar nga vetë përfaqësuesit e FRESSH-it si jashtë çdo procedure. E ftuar nga kryetari i PS-së së rrethit Kavajë, Xhavit Halili, në mbledhje ishte dje dhe kryetarja e FRESSH-it, Elisa Spiropali. Por prezenca e Elisës duket se nuk i ka pëlqyer kryetarit të Bashkisë, i cili ka nisur të debatojë dhe kërcënojë kreun e PS, Halilin. “T’i nuk ishe i autorizuar të ftoje njeri në këtë takim, Nuk po diskutojmë problemet e FRESSHit”, mësohet të ketë thënë Roshi. Por, si Halili, ashtu dhe Spiropali, nuk janë pajtuar me këtë reagim të kreut të Bashkisë. Spiropali e ka kundërshtuar mbledhjen si jashtë çdo procedure.
“Të gjitha procedurat janë të parregullta për këtë mbledhje. Zhvillimi i mbledhjes në lokalin e kryetarit të Bashkisë nuk është normale, mund të bëhej në një zyrë partie”, mësohet të ketë thënë Spiropali në mbledhjen e djeshme. Duke iu drejtuar organizatorëve të këtij takimi, Spiropali është shprehur se objekti i tij mund të jetë çdo temë apo problematikë, por s’mund të diskutojë çështje që i takojnë Forumit Rinor. “Drejtuesit e FRESSH-it kishin një shqetësim dhe e kanë shprehur në letrën e tyre, e cila po shqyrtohet nga unë, por dhe nga kryetari i Partisë Socialiste, kryetari i Asamblesë Kombëtare, zoti Ruçi, dhe për këtë do të ketë një përgjigje. Për këtë nuk mund të bëhen presione”, mësohet të ketë thënë Spiropali. Por, kryetari i Bashkisë së Kavajës, Roshi, i tensionuar nga kjo situatë dhe nga reagimi i kreut të PS-së së rrethit Kavajë, nga kryetarja e FRESSH-it, Spiropali, por dhe nga drejtues të Forumit Rinor në komunat e këtij rrethi, ka kërkuar që ata të ulen që të nisin mbledhjen, pasi sipas tij, ai ishte i zoti i lokalit dhe e drejtonte ai çdo gjë. “Jua qep gojën po të dua! Ose rrini si duhet, ose dilni jashtë” i është drejtuar Roshi kreut të PSsë së rrethit Kavajë, Halili, ndërsa ka reaguar dhe Spiropali. “S’mund të trajtohet partia në këtë mënyrë. Neve na duhet bashkimi, dhe jo shkarkimi. Kjo është shkelje flagrante. Ne duhet t’i zgjidhim problemet tona me urtësi dhe sipas procedurave që janë përcaktuar në statutin e PS dhe të FRESSH-it. Kjo mbledhje nuk mund të zhvillohet me këtë frymë”, është shprehur kryetarja e FRESSH-it. Më pas drejtuesit e FRESSH-it në Kavajë kanë dalë nga mbledhja, e cila nuk arriti të zhvillohej për shkak se dhe drejtues të PS në Kavajë dhe Rrogozhinë dolën jashtë sallës. Mbledhja nuk arriti të merrte një vendim për çështjet që do të trajtonte. Mësohet se drejtuesve të FRESSH-it në rrethin e Kavajës u është kërkuar para mbledhjes që të tërhiqnin firmat e tyre nga kërkesa që i kanë dërguar Kryesisë së PS, kreut të saj, Edi Rama dhe Gramoz Ruçit.

Peza: Pati një keqkuptim për objektin e mbledhjes
Deputeti socialist i qarkut të Tiranës që mbulon rrethin e Kavajës, Dashamir Peza, e cilësoi keqkuptim dhe aspak incident atë që ndodhi dje në mbledhjen e thirrur prej tij. Sipas deputetit socialist, mbledhja ishte thirrur me objekt diskutimi çështje të diskutimit organizativ të PS në rrethin e Kavajës, por nuk kishte të bënte me të rinjtë e FRESSH-it. “Ka pasur një keqkuptim në këtë takim. Unë kisha lënë një mbledhje që ditën e mërkurë me drejtuesit e partisë në komunat dhe bashkitë e rrethit të Kavajës dhe kryetarët e FRESSH-it të rrethit Kavajë. Në mbledhje ka ardhur dhe Elisa, sepse ka kujtuar se kishim një axhendë tjetër të mbledhjes, në lidhje me FRESSH-in. U sqarua se axhenda e mbledhjes nuk ka lidhje me ato shqetësime që Elisa kishte parasysh. Elisa u largua dhe ne vazhduam mbledhjen siç e kishim paracaktuar”, u shpreh Peza, i kontaktuar në telefon nga gazeta “Panorama”. Deputeti socialist mohon se qëllimi i mbledhjes ishte presioni apo diskutimi rreth letrës së drejtuar nga të zgjedhurit e FRESSH-it në selinë qendrore të Partisë Socialiste. “Kam përshtypjen se kishte një keqkuptim. Ajo mendonte se kishim një mbledhje me tjetër tematikë. Tematika e mbledhjes sonë ishte një bashkëbisedim për situatën dhe organizimin e partisë në komuna dhe bashkitë e rrethit Kavajë ku u ftuan të gjithë të zgjedhurit”, u shpreh deputeti socialist që mbulon qarkun e Kavajës. Më 25 maj të këtij viti, konferenca e Forumit Rinor në rrethin e Kavajës zhvilloi zgjedhjet, ku me 156 vota u zgjodh kryetar i këtij forumi Elton Derjaj. Në këtë konferencë, gjashtë kandidatët për kreun kombëtar të FRESSHit shpalosën platformat e tyre, ndërsa deputetët e zonës mbështetën të gjithë procesin e fushatës dhe zgjedhjeve në këtë forum.

Shkarkimi i kryetarit Elton Derjaj
Në letrën e drejtuesve të FRESSH-it të Kavajës denoncohej shkarkimi nga detyra i kreut të këtij forumi në këtë rreth, Elton Derjaj, nga sekretari për rininë dhe emigracionin pranë Kryesisë së PS, Erion Veliaj. Sipas firmëtarëve të kësaj kërkese drejtuar Edi Ramës, Gramoz Ruçit dhe Elisa Spiropalit, Derjaj, i zgjedhur nga konferenca e rrethit me shumicë të cilësuar votash, u shkarkua në mënyrë ilegjitime nga Veliaj vetëm sepse ishte kundër listës së paraqitur në Asamblenë Kombëtare të FRESSH-it të zhvilluar pak javë më  parë në Tiranë.

Malaj: Shkarkimet në FRESSH, mentalitet i vjetër dhe i dëmshëm
Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, reagon ndaj zhvillimeve në Forumin Rinor Eurosocialist, veçanërisht pas Asamblesë Kombëtare të këtij forumi. Malaj shprehet se tendenca për të shkarkuar ata që mendojnë ndryshe në Forumin Rinor tronditin rëndë besimin e të rinjve për këtë forum, duke pasur pasoja të rënda dhe në punën e partisë, por dhe në rezultatet zgjedhore të ardhshme. Duke reaguar në adresën e tij në rrjetin social “Facebook”, Malaj kërkon të tregohet kujdes ndaj veprimeve të tilla arbitrare. “Përpjekjet për të shkarkuar të ‘pabindurit’ apo për të krijuar shembuj frike për të tjerët, së bashku me modelin e deformuar të meritës dhe karrierës, janë shqetësime serioze, të cilat shtrembërojnë cilësinë e investimit jo vetëm te të rinjtë. Shkarkimet, pezullimet apo çdo përqasje tjetër që deformon rëndë besimin e të rinjve, janë fenomene të reja, thelbësisht të vjetra si mentalitet dhe shumë të dëmshme për të ardhmen”, shprehet Malaj. Sipas anëtarit të Kryesisë, Partia Socialiste ka pasur një eksperiencë të mrekullueshme të forumeve rinore, të vetorganizuara, që i kanë zgjedhur kurdoherë vetë drejtuesit e tyre, që kanë promovuar vetë kolegët e tyre, duke qenë gjithnjë pjesa më dinamike e zhvillimeve dhe fitoreve të PS. “Tendencat për t’iu kufizuar lirinë e të shprehurit, tendencat për t’iu kufizuar mundësinë për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, mentalitetet ndëshkuese deri përjashtuese sa herë që mendimet apo reagimet e tyre nuk u pëlqejnë ndonjë individi me pushtet partiak apo qeverisës janë investimi më i keq jo vetëm për të rinjtë, por edhe për vendin”, shprehet Malaj.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura