
TIRANË- Pasi prokuroria dhe më tej policia zbardhi se ngjarja që u deklarua si ndër më shokueset ishte një trillim i pastër i vetë gruas, kreu i bashkisë së Kavajës i është drejtuar shqiptarëve me një letër, ku kërkon ndjesë publike dhe falje per tmerrin e shkaktuar opinionit nga nje lajm i pavertete.
Pa përmendur motivet që e kanë shtyrë bashkëshorten në gjithë këtë trillim makabër, Roshi falenderon gjithë ata që i qëndruan pranë, duke i numëruar me radhë, që nga qytetarët e thjeshtë, miqte e PS dhe mediat, dhe vlerëson maksimalisht punën e policisë, prokurorisë dhe mjekëve që zbardhën të vërtetën.
Më poshtë letra e Elvis Roshit
Deklaratë ndjesë për opinionin publik
Në emër të familjes sime, babait, nënës, vëllait, motrës dhe të afërmnve, si dhe në emrin tim i kërkoj ndjesë opinionit publik për tmerrin e lajmit të djeshëm që sot rezultoi i pavërtetë.
I kërkoj ndjesë bashkëqytetarëve të mi që ndanë me mua orët më të vështira duke na qendruar pranë gjatë gjithë kohës, kur për ne e vërteta ishte tjetër nga sa doli. Ndjesë të vecantë miqve të PS-së që nuk u kursyen ne solidaritetin me familjen sime.
Falenderoj prokurorinë dhe mjekët e përfshirë në zbardhjen e ngjarjes. Ata bënë gjithshka me shpejtësi, profesionalizëm dhe mirësjellje njerëzore. U kërkoj ndjesë edhe atyre për gjithë atë stres.
Falenderoj edhe median për vëmendjen e vecantë. Kërkoj të na falin për mundimin e tyre dje të gjithë gazetarët e kameramanët që qëndruan me orë deri natën në rrugën para shtëpisë.
Çdo njeri mund ta kuptojë fare mirë gjendjen shumë të vështirë ku unë vetë ndodhem.
E vetmja gjë që premtoj me bindjen më të thellë është angazhimi im maksimal për t’u shërbyer qytetarëve kavajas dhe qytetit tim, me të cilin ndjehem sot në një borxh edhe më të madh.
Edhe njëherë ndjesë të gjithëve.
Me respekt
Elvis Roshi
© Panorama.al











