Një prej parashikueseve më të vjetra të motit tregon arsyet e revoltës së qiellit. Elvira Qilimi, metereologia e Forcave Ajrore, shpjegon për masat e huaja që kanë pushtuar Mesdheun e që nuk po vendosin që nuk po vendosin të largohen. Të paktën edhe gjatë qershorit, mos planifikoni gjë për pushime.
Askush prej nesh, për çdo ditë të një muaji tashmë, nuk ka mbetur pa iu ngacmuar nervi prej humorit të luhatshëm të motit. Askush nuk është i bindur nëse duhet ta marrë me vete çadrën e ta tërheqë zvarrë gjithë ditën pa dobi apo të dalë me pantallona të shkurtra e në pasdite ta kalojë rrugën duke ecur strehave të dyqaneve nëpër trotuare. Përveç se ka prishur planet e shumë fundjavave plazhi tashmë, ndryshimet e pamjes së qiellit po shkaktojnë gjithnjë e më dendur edhe ndryshime të pamjes së njerëzve. Një ditë zgjohen të ngrysur, te një tjetër, nëse ndonjë rreze i ka nderuar deri te dritarja, edhe duket ndonjë shenjë buzëqeshjeje. Frymëzuar pikërisht nga kjo situatë, që nuk e mohojmë se as ne nuk i kemi shpëtuar, u lidhëm me njërën prej parashikueseve më të vjetra të motit. Nuk është që ishte aq e thjeshtë sa të gjeje numrin e telefonit e të bëje aq pyetje sa të duheshin për të planifikuar saktësisht datën e pushimeve. Si fillim njëherë, po ju themi që hiqni dorë nga datat e qershorit. I gjithë Mesdheu ka po të njëjtën klimë. Na i rrëfeu duke dalë edhe pakëz jashtë rregullores, Elvira Qilimi, parashikuesja që prej 12 vitesh bën meteorologen e Forcave Ajrore, institucion i Ministrisë së Brendshme. Prandaj edhe nuk ishte aq i lehtë depërtimi në zyrat e këtij institucioni, pa marrë së pari leje nga nivelet më të larta. Por, të shohim se edhe për sa kohë do të zgjasë luhatja jonë e humorit, varësisht asaj të qiellit. Ç’janë këto rryma që na kanë turbulluar ditët dhe kush është Elvira Qilimi?
Çfarë përgatitjeje akademike duhet të ketë mbi shpatulla një njeri për të parashikuar tekat e motit?
Unë kam qenë mësuese fizike dhe e lashë mësuesinë për të bërë parashikuesen e motit, duke e parë këtë fushë si element praktik të aplikimit të shkencës së fizikës. Në punën time kam primar pasionin për punën, duke ditur që me pasion do të arrija të realizoja në mënyrë modeste detyrën që më është caktuar.
Përveç studimeve në fizikë, nevojiten kualifikime të tjera për ta bërë këtë punë?
Natyrisht që duhet të kualifikohesh në kurse speciale, të cilat ne i bëmë me ndihmën e partnerëve të huaj, siç kanë qenë ato të NATO-s prej të cilëve morëm certifikime. Por puna më e madhe mbetet në vullnetin dhe kërkesat që i vë vetes secili individ për të realizuar një detyrë me parametra bashkëkohorë. Megjithatë, shkenca e fizikës e përmban komplet studimin e atmosferës, kështu që thëllimi i informacioneve erdhi nga dëshira për t’u bërë parashikuese, duke ndjekur natyrisht të gjitha hapat e klimatologjisë, elementët e së cilës duhen njohur në mënyrë të imtësishme.
Si funksionon i gjithë procesi i parashikimit të motit? Si realizohet?
Për të parashikuar motin nuk mjafton vetëm puna e një individi, është një proces zinxhir. Si fillim ne marrim të dhëna nga 13 stacionet meteorologjike që kemi në të gjithë Shqipërinë. Në bazë të tyre japim të dhëna çdo 2 orë, nëse situate është emergjente (siç quhet ndryshe, moti është në kondita të këqija), çdo 1 orë nëse moti është i paqëndrueshëm dhe çdo gjysmë ore në rastet e fluturimeve ushtarake. Siç ju thashë, puna fillon nga vëzhguesit e stacioneve në zonat më të larta, pastaj kalon te punonjësi i sallës së të dhënave, mandej te salla operacionale. Prej këtej, të dhënat i transmetohen rrjetit metereologjik europian dhe pastaj të dhënat u vijnë punonjësve satelitorë në kompjutera. Bëhet më pas konsulta në staf. Siç e shihni, nuk është fare proces i lehtë.
Në fakt, më shumë se sa procesi, të gjithë kanë nevojë të mësojnë se çfarë po ndodh me motin? Çfarë kanë qenë këto luhatje që kanë ndodhur gjithë majin?
Shpesh herë, në Mesdhe mbizotëruese është klima mesdhetare. Si rezultat i futjes së elementëve tropikalë, hera-herës moti bëhet i paqëndrueshëm. Pikërisht kjo paqëndrueshmëri na ka ndjekur për rreth 3 javë. Kjo gjendje është shoqëruar me elementë të një moti që në fillim të ditës është i kthjellët dhe në mesditë ka vranësira që japin reshje lokale. Të gjitha këto janë karakteristika të motit tropikal. Janë gjithnjë të përkohshme në intervalin kohor, por përsëriten periodikisht në çdo mesditë. Është pikërisht moment kur anticikloni i verës (më ndjeni në nuk është shumë e kuptueshme, por vetëm kjo është gjuha me të cilën mund t’jua shpjegoj) nuk është vendosur në mënyrë të plotë në pozicionin e tij, duke lejuar kështu hyrjen e rrymave më të ftohta nga Veriu në Adriatik ose hyrjen e rrymave të nxehta nga Azia e Vogël. Kjo përplasje masash jep paqëndrueshmëri.
Ka qarkulluar lajmi se deri në fund të qershorit duhet ta harrojmë plazhin?
Jo, nuk ka për të qenë gjatë gjithë qershorit. Siç ju thashë, këto ndikime janë të paqëndrueshme. Ka për t’u përmirësuar pak ditë dhe për t’u përkeqësuar sërish nga data 10-të. Ne nuk mund të japim një parashikim afatgjatë, por e rëndësishme është që moti do të jetë i ngrohtë, nuk parashikohet të kemi tejkalim të mesatares disavjeçare.
Na ka ndodhur të gjithëve që të nesërmen e ditës që kemi parë parashikimin e motit të jemi zhgënjyer nga pasaktësia e parashikuesve. Çfarë ndodh në të tilla raste? Ku gabohet?
Shkenca e meteorologjisë e përmban në vetvete probabilitetin e paqëndrueshmërisë. Me këtë dua të them që gabimet e bëra janë brenda kufirit të shërbimeve meteorologjike edhe më të fuqishme se sa shërbimet tona.
ANI JAUPAJ
© Panorama.al











