
U festua dje 65-vjetori i Arkivit të Filmit Shqiptar.
Filmat më të dëmtuar “Ballë për ballë”, “Liri a vdekje” dhe “Në shtëpinë tonë”
Rreth 85% e materialeve të Arkivit të Filmit tashmë janë dixhitalizuar, publiku mund t’i shohë edhe on line, por sfida më e madhe për këtë institucion është ruajtja e origjinaleve.
Drejtoresha e AQSHF-së, Elvira Diamanti, e cila ka bërë një punë të jashtëzakonshme për të gjallëruar jetën e këtij institucioni, duke e bërë atë një faktor të rëndësishëm kulturor përmes aktiviteteve, përkujtimoreve dhe shfaqjeve filmike, tregon problemet që ka Arkivi në vitin e 65-të të jetës së tij.
Cilat janë problemet që shqetësojnë Arkivin e Filmit në këtë 65-vjetor?
Si në të gjitha arkivat e botës, është sindroma e “erës së uthullës”, e cila sa më shumë të thellohet, aq më shumë rrezikshmëri paraqet për materialin filmik. Normalisht e kemi kuptuar që dixhitalizimi nuk është shpëtimi i materialit filmik, por është një akses për publikun, kurse ruajtja e origjinalit është sfida më e madhe që ne kemi. Është njëlloj si të prishet Xhokonda e Da Vinçit, pavarësisht se ekzistojnë sot miliona kopje në botë. Kjo kërkon një sërë kushtesh sa u përket magazinave, fillimisht si ndërtesë, ruajtjes së lagështirës së duhur. Ne kemi hartuar një sërë projektesh dhe kam marrë edhe fjalën e ministrit që do të mbështetemi, por shpresojmë shumë edhe në ndihmën e miqve tanë pranë trupave diplomatike në Tiranë. Sapo mora fjalën nga Ambasada Amerikane dhe nga fondi i ambasadorit se ne do të mbështetemi për problemet që kemi. Projekti ka për qëllim ruajtjen dhe riparimin e origjinalit, jo thjesht në sensin e shpëtimit nga “vdekja”, por këto materiale fare mirë mund të bëhen si të reja, por kërkojnë një fond shumë të madh.
Cilat janë materialet më të dëmtuara?
Në gjendje më të dëmtuar janë tre filma shqiptarë, pasi janë larë me solucionin e gabuar. Bëhet fjalë për filmat “Ballë për ballë”, “Liri a vdekje” dhe “Në shtëpinë tonë”. “Mësonjëtorja” u riparua. Riparimi i tyre kërkon një kosto, por mendoj se nuk është kaq emergjent riparimi i tyre, sesa magazinat ku ruhen negativët. Ne duhet të ruajmë negativin me çdo kusht, pastaj mbi të mund të bësh ç’të duash.
Thatë se keni hartuar projekte, ku konsistojnë ato?

Projektet lidhen me infrastrukturën. Janë disa ndërhyrje të vogla në themelet e godinës për evitimin e lagështirës, pasi jemi në një truall që ka shumë lagështirë. Duhet riparë e gjithë mbështjellja e filmit. Tashmë nuk ruhen më në kuti metalike si i ruajmë ne. Gjithë bota i ka zëvendësuar me kuti plastike, ku janë vendosur dhe preparatet për thithjen e lagështirës, kondicionimi dhe ajo çka është “luks” në gjithë këtë problematikë që ne kemi, është rishikimi edhe një herë i tyre. Ne kemi çuar një akt të vogël në një laborator grek dhe materialet vijnë si të sapoxhiruara, pastrohen vijat, zëri dhe ngjyrat vijnë në kontrastin e plotë.
Ç’i pengojnë këto projekte?
Kërkojnë shumë para.
Sa mund të ishte kostoja?
Është e vështirë t’jua them tani, sepse nuk dua të tremb askënd. E mira është ta fillojmë punën gradualisht. Të fillojmë me godinën që nuk ka ndonjë kosto të madhe, paralelisht tek mbështjellja dhe gradualisht të marrim të gjithë filmat, nga më i dëmtuari, tek më i riu. Unë jam shumë entuziaste, pasi jemi përfshirë edhe në një projekt shumë ambicioz të financuar nga Komisioni Europian, për ruajtjen e trashëgimisë audiovizuale dhe filmike të Ballkanit perëndimor.
Gjatë ceremonisë ju falënderuat Saimir Kumbaron për ndihmën me materiale filmike të pas viteve ’90, si funksionon pasurimi i Arkivit me materiale të reja?
Është në synimet e mia të shtoj materialin filmik, por kjo i përket një kohe më të vonshme, pasi ka probleme shumë më emergjente. Faktikisht ne nuk kemi më një grup xhirimi për të fiksuar atë çka ndodh çdo ditë, si gëzime, ndërtime… Ne këto duhet t’ia marrim dikujt tjetër, nëse na duhet të bëjmë një montazh. Ne jemi pronarë deri në vitin 1990 dhe sigurisht të atyre pak dokumentarëve dhe filmave artistikë që financohen nga QKK. E kemi në prioritetet tona marrjen nga arkiva të tjerë të materialeve mbi Shqipërinë, por edhe kjo ka gjithashtu një kosto. Por edhe sikur ne të kemi një grup xhirimi, do të ishte e vështirë, sepse nuk kemi më laborator filmi. Pra mund të xhirojmë dhe ta ruajmë në mënyrë dixhitale dhe jo në film si kemi ne pasurinë tonë.
Mund të ngrihet një laborator filmi?
Ka një kosto shumë të madhe dhe më vjen shumë keq që e kemi prishur atë që kemi pasur.
Në montazhin që shfaqët, ishin edhe disa minuta të pashfaqura më parë të vitit 1911, si i keni siguruar?
Është një material filmik që i është dhënë ish-drejtorit të Arkivit, Artan Minarolli, nga arkiva e Malit të Zi, në formë CD-je. Janë pamje të Shkodrës nga viti 1911. Është materiali i parë filmik që ne kemi, rreth 12 minuta.
Pasuria e Arkivit të Filmit
• Në fondin e AQSHF-së ruhen rreth 6420 tituj filma shqiptarë dhe të huaj• Mbi 6000 foto historike të trashëguara nga fototeka e ish- Kinostudios, që datojnë që nga fillimet e viteve 1900. Foto të personaliteteve historike, politike dhe kulturore, foto nga Lufta I dhe II Botërore, foto të qyteteve, ngjarjeve historike, artit, si dhe nga historiku i Kinostudios.
• Mbi 4000 negativë fotografikë nga historia e kinematografisë shqiptare dhe aktiviteti i Kinostudios “Shqipëria e re” 1953-1992. Foto nga sheshet e xhirimeve dhe nga skenat e filmit të dorëzuara për çdo film shqiptar të prodhuar. Fotoprova për përzgjedhjen e aktorëve. Postera.
ALMA MILE
© Panorama.al











