
Artistja e Hollivudit mahnitet nga investimi: Do jetë pjesë e dokumentarit për Shqipërinë
Investimi madhështor i fabrikës “Birra Korça” mahnit artisten me famë botërore, Eliza Dushku.Aktorja e Hollivudit ka vizituar dje ambientet e fabrikës së birrës tradicionale të Korçës, që ashtu si dhe vetë artistja e famshme, ka kapërcyer kufijtë me suksesin e saj. Përshtypjet për fabrikën “Birra Korça” kanë qenë maksimale nga ana e aktores së njohur, e cila ka pohuar se ky investim kolosal i kryer në qytetin juglindor do të jetë pjesë e dokumentarit të realizuar prej saj në vendin e origjinës. Në fakt, Dushku, reagimet e para për “Birra Korça” i ka krijuar që prej Festivalit të Birrës që po zhvillohet këto ditë në qytet. Ajo ka provuar shijen e birrës bionde, duke shprehur kërshërinë mbi këtë pije tradicionale nga Korça e origjinës së aktores hollivudiane, me shtetësi shqiptaro-amerikane. Pasi ka provuar vetë gotat e birrës në stendat e “Birra Korça”, ditën e djeshme artistja e njohur ka vizituar nga afër ambientet ku prodhohet kjo pije. Paraditen e së shtunës, së bashku me të dashurin e saj dhe presidentin e “Birra Korça”, Irfan Hysenbelliu, kanë vizituar ambientet e fabrikës së birrës më të madhe jo vetëm në vend, por konkurruese dhe më gjerë. Impresioni për këtë investim madhor është shfaqur hapur në mimikën dhe gjestet e aktores, e cila në çdo çast nuk ka reshtur së përgëzuari për çdo detaj të kësaj fabrike. Në momentin kur ajo, në mënyrë simbolike ka marrë nga zoti Hysenbelliu një kornizë me dy foto të fabrikës “Birra Korça” në fillesat e saj, pikërisht në vitin 1928, dhe një foto ku

pasqyrohej fabrika në gjendjen e saj aktuale, ka pohuar para të gjithë stafit të kësaj fabrike se kurrë më parë nuk ka pasur mundësinë të shohë diçka të tillë. Nuk ka munguar as bujaria e presidentit Hysenbelliu, i cili ka premtuar se “Birra Korça” nuk do të mungojë asnjëherë në shtëpinë e Eliza Dushkut, kjo edhe falë eksportit të pijes në shtetin amerikan. E lumtur për të pasur birrën shqiptare në shtëpinë e saj, aktorja ka vijuar vizitën e saj në të gjitha ambientet, duke parë nga afër procesin e prodhimit të birrës. Në përfundim
të vizitës, vetë artistja Dushku ka shprehur edhe përshtypjet e saj.
Ju sapo keni përfunduar një vizitë te fabrika “Birra Korça”. Cilat janë përshtypjet tuaja në lidhje me të?
Nuk e kisha imagjinuar se mund të ishte një hapësirë kaq e madhe në këtë fabrikë. Çdo gjë është tepër fine dhe precize përsa u përket aparaturave në të cilat fabrikohet “Birra Korça”. Teknologjia që gjendet këtu është optimale dhe duhet vlerësuar.
Çfarë vlerësimi keni për “Birra Korça”?
Pasi e vizitova nga afër, e them me bindje të plotë se kjo pije shumë e rëndësishme do të jetë pjesë e dokumentarit tim.
A jeni krenare për qytetin e origjinës suaj dhe për atë që ai ofron?
Sigurisht që po. Ndjehem krenare që në qytetin tim të origjinës është bërë një investim kaq madhor. Pas kësaj vizite e di që do të kthehem përsëri në Korçë, dhe sigurisht për “Birra Korça”.
Festa e Birrës, mbi 25 mijë veta vetëm në natën e tretë
Mbrëmja e tretë e Festës së Birrës pret mbi 25 mijë persona. Qytetarët me shishet e “Birra Korça” në duar kanë shijuar edhe këtë mbrëmje pijen e qytetit, ndërsa kanë kërcyer nën ritmet e ndryshme të muzikës. Mbrëmjes nuk i kanë munguar as emrat e njohur të muzikës, si: Irma dhe Eranda Libohova apo Elita 5, të cilët e kanë ndezur mbrëmjen me këngët dhe vokalin e tyre. Fundjava duket se ka krijuar më tepër hapësirë dhe mundësi për t’i bërë qytetarët pjesë të kësaj feste, ku mbretëresha mbetet “Birra Korça”. Deri mesnatën e së shtunës vargjet e makinave, të cilat i janë drejtuar festës, kanë qenë thuajse deri në qendër të qytetit. Nga nata në natë shifra e gotave të konsumuara nga “Birra Korça” është rritur pa masë ku deri në mesnatën e së shtunës qytetarët kanë konsumuar më tepër se 30 mijë gota dhe rreth 5 mijë shishe birre. Mes kërcimeve të shumta, këngës dhe atmosferës festive “Birra Korça” është renditur edhe njëherë e para përsa u përket preferencave të qytetarëve, të cilët kanë qëndruar në radhë enkas për të konsumuar këtë birrë. Nuk i ka munguar kësaj nate të tretë as ambasadori Eugen Volfarth, i cili duket se tashmë është bërë një shijues i rregullt i “Birra Korça”. Qyteti i traditës dhe birra e traditës, të alternuara mes tyre, kanë konfirmuar edhe njëherë suksesin e festës të sjellë për qytetarët jo vetëm nga Korça, por nga çdo skaj i botës. Sikundër çdo natë, nuk kanë munguar as qytetarët, të cilët janë shprehur të kënaqur nga festa ku alternohet birra e qytetit me atmosferën e këndshme. “Unë vij enkas nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë festë, pasi kam dëgjuar për të nga një mikja ime e shkollës, e cila prej dy vjetësh vjen për Festën e Birrës. Më pëlqen atmosfera, muzika dhe më duket se vërtet festa është shumë e bukur”, shprehet Alex Lee, shtetas kinezo-amerikan. “Unë nuk dija se çfarë të zgjidhja, por kur pashë që të gjithë njerëzit ishin grumbulluar para tendave ku lexonte ‘Birra Korça’, u drejtova edhe unë për atje. M’u duk intrigues edhe fakti që kjo birrë mbante emrin e qytetit. Është mbrëmja e tretë që unë po e pi dhe nuk e di sa gota mund të kem konsumuar. Më duket e shkëlqyer”, thotë ai.
Sot, mbremja finale
Mbrëmja finale që do të jetë sonte pritet të shënojë edhe fundin e kësaj feste të konfirmuar për suksesin e saj, falë edhe mbështetjes së dhënë nga “Birra Korça”, emri
i së cilës është lakuar në çdo falënderim të bërë nga kryebashkiaku i Korçës apo stafi organizativ drejtuar presidentit të saj, një prej kolonave kryesore të këtij aktiviteti.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











