EDISON YPI
Duke dalë rrallë te sheshi “Skënderbej” apo në Bllok, rrezikoj të katandisem si ata fukarenjtë e periferisë së Londrës që kanë harruar se Trafalgar Square, Piçadilly Circus, Covent Garden ekzistojnë. Dola një ditë në qendër. Mbeta pa mend. Harroje Tiranën e proletarëve, rreckamanëve, ulçerozëve. Tirana tashmë nuk dallon aspak nga metropolet e botës. Njerëz të shëndetshëm me sjellje dhe veshje si gjithë dynjaja. Femrat më elegante, më të bukura, më me stil, nuk janë më italianet, spanjollet, parizienet e panumërta anembanë Shqipërisë, janë shqiptaret frymëndalëse. Mirëpo, me t’u kthyer në shtëpi, shoh në Fejsbuk një lukuni lehësish që i ishin vërsulur dy fotove të kryetares së Parlamentit. Në garë me shoshoqin për lehje sa më elokuente, komentonin se cilat duhet të jenë, si duhet të jenë dhe sa duhet të kushtojnë veshjet e kryetares së Parlamentit, apo Elisës së modave, si e quajti një hokatar adhurues i saj me kunj ndaj lehësve gjatë një shpotie lidhur me dy fotot.
Njëra nga dy fotot, 15 e kusur vite të shkuara në Bulqizë, shkrepur nga një televizion amerikan, tregon zojushën e atëhershme, zonjën e tanishme, me një T-shirt 5 dollarësh mes një batërdie pluhuri dhe zhurme me male kromi dhe vinça në sfond. Se ça ka të veçantë në këtë pamje dhe veshje absolutisht normale në këtë mjedis pune, lehësat e dinë. Foto tjetër është e këtyre ditëve në Tiranë. Kostum, ndoshta i modës, mbase dhe i shtrenjtë, aty te 500 dollarë. Edhe kjo, mëse normale. Mendjet e painfektuara lusin Zotin që zojusha e T-shirtit dhe zonja e kostumit, si çdo zojushë dhe çdo zonjë shqiptare të vishet me rroba sa më të bukura dhe sa më të shtrenjta. Mendjet e infektuara, përderisa refuzojnë të dyja fotot, me gjasa, pretendojnë që zojusha me T-shirt në Bulqizë duhej të vishte kostum si zonja e Tiranës dhe zonja e Tiranës, kryetare e Parlamentit të vishet me T-shirt si zojusha e Bulqizës. Zot na ruaj. Për më tepër, lehësit e Fejsbukut e thonë troç se zojusha e T-shirtit në Bulqizë, asokohe e sapokthyer nga Amerika, është një fukareshë që e ka fajin vetë ku është katandisur, ndërsa zonja e kostumit është një zengjine ndjekëse e modës. Vetëm Allahu dhe Babafetahu e kuptojnë këtë torollepsje. Për lehësit edhe fukaresha, edhe zengjinia janë të dyja problematike, të dyja të papranueshme.
Të lexosh apo dëgjosh çfarë llomotisin lehësit e Fejsbukut me gjuhën e ‘Zërit të Popullit’, Sigurimit, propagandës së diktaturës, zemrën që të mos ndali, duhet ta kesh sa të kalit dhe mushkërinë që të mos ngeci, jo më të vogël sa të elefantit. Zezona në fjalë që të bën të vësh duart në kokë si “Kuja” e Munchut, duket si udhëtim në kohë, si ‘back to the future’, si shtim i vigjilencës proletare ndaj rrezikut kapitalistik, shfaqjeve borgjeze, armikut të klasës. Si yxhym, si hedhje në sulm, mobilizim me të gjitha forcat dhe rrenat makabre të kontrollit punëtor dhe fshatar ardhur në Fejsbuk nga viti 1976, përforcuar nga celulat komuniste maoceduniste të vitit 1969, syve, veshëve, hundëve të cilëve nuk u shpëton dot as vet’ Dreqi. Sipas lehësave, T-shirti i Bulqizës është tepër i lirë. Kostumi i sotëm, tepër i shtrenjtë. E meqenëse kemi të bëjmë me skaje që refuzohen, me gjasa, ajo çka pretendojnë lehësit është rokada, pra këmbimi i vendeve. Që i bie, kryetarja e sotme e Parlamentit në Tiranë, asokohe aktiviste e MJAFT-it në Bulqizë mes fushës së kromit, zallamahisë së kamionëve, pluhurave dhe zhurmave, telasheve me familjet e minatorëve që u mungonte çdo ditë nga një baba, vëlla, apo kushëri që e zinte përfund galeria, atëherë nuk duhej të vishte T-shirtin modest, por kostumin e sotëm 500 dollarësh. O Abas Ali, ku je? Ndërsa zonja e sotme kryetare e Parlamentit nuk duhet të veshë kurrsesi kostum, por vetëm T-shirt si të zojushës së Bulqizës.
Tmerret deduktive të lehësve s’kanë kufi. Pretendimet halucinante të lehësve të veshjeve të zonjushës së atëhershme, zonjës së sotme, s’ka frymor që i aprovon. Duke përjashtuar Bulqizën dhe Tiranën si skaje të papranueshme nga lehësit, në kërkim të një zgjidhjeje duke u bërë lehësve një lëshim, i bie që modelet dhe çmimet e veshjeve në fjalë të jenë ekzakt në mes të Bulqizës dhe Tiranës, tek një kompromis hiper realistik të T-shirtit me kostumin, mu atje ku kopsat, jakat, mëngët, format, linjat, prerjet, shkartisen si mosmo Zot, si do i shkonin për shtat vetëm Largqoftit. Mirëpo, pikërisht në mes, nga 2 veshje, mbetet 1 veshje, një centaur i frikshëm dhe i padeshifrueshëm, një T-shirt si kostum, ose kostum si T-shirt, çka është nonsens. Pavarësisht se është apo jo dakord Elisa e modave të Bulqizës dhe Tiranës, vendet ku, si për të torollepsurit dhe për normalët mund të ndodhen zgjidhjet e pranueshme, mbeten të jenë:
Qendër e majtë: Diku më afër Bulqizës se Tiranës, që i bie më tepër T-shirt si i Çe Guevarës, se kostum si i Emmanuel Makronit.
Qendër e djathtë: Diku më afër Tiranës se Bulqizës, pra më tepër kostum si i Giorgia Melonit se T-shirt si i Volodymyr Zelenskyt.
Ndjesë, lëçitës të nderuar, dhallin në kokën tuaj s’e solla unë. E gjeta në lehjet e lehësve.
Dhe atje do ta lë. S’ua kam ngenë as dhallit as lehësve. Do vazhdoj të udhëtoj dhe ju ftoj të udhëtojmë, nëpër Shqipërinë fantastike, përrallore, frymëndalëse: Myzeqe, Darsi, Dumre, Pukë, Zadrimë, Devoll, Mirditë, Divjakë, Vjosë, Vlorë, Sarandë, Skrapar, Mallakastër, plot me shqiptarka më të bukura, më të gjalla, më energjike, se Monica Belluçi, Sandra Bullock, Julia Roberts dhe që po hyjnë e dalin me “Benza” dhe “Toyota” nëpër autostrada, tunele, bujtina, hotele, plazhe, dhe plot e plot mrekulli të tjera me të ik menia./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al