Elbasan, Sindikata e Metalurgëve: Të premten presim rrogat nga Kurum!

Feb 22, 2012 | 11:56
Metalurgët në protestë

ELBASAN – Një nga kërkesat kryesore të metalurgëve të firmës turke “Kurum” është që ata të mos dalin në asistencë, por të paguhen me 60 për qind të pagës deri në nisjen rregullisht të punës në këtë firmë. Ky ka qenë edhe motivi i një takimi organizuar ditën e djeshme me këshillin sindikal të Metalurgëve, të cilët kanë parashtruar tri kërkesa kryesore rreth situatës së krijuar si pasojë e mosmarrjes së pagave nga ana e kompanisë turke “Kurum”. I pranishëm në këtë takim ka qenë edhe kryetari i Federatës së Sindikatave të Industrisë, Tafë Koleci, i cili ka premtuar metalurgët se pagat e tyre të prapambetura do të merren, si edhe në muajin mars puna do të rinisë rregullisht. Koleci ka deklaruar për mediat se punonjësit kërkojnë me këmbëngulje që të zbatohet kontrata kolektive, e cila është firmosur deri në vitin 2013, dhe kjo është një kërkesë e drejtë. “Gjatë një marrëveshjeje mes firmës turke dhe Ministrisë së Ekonomisë ne kemi rënë dakord që kompania të japë pagat deri në ditën e premte, në rast të kundërt ne do të vazhdojmë protestat tona”, ka thënë Koleci. Gjithashtu, mësohet se shkak i ndërprerjes së punës së firmës turke “Kurum” është rritja e çmimit të energjisë elektrike në këtë kompani, por Koleci deklaron se “ne nuk bëhemi palë as me kompaninë as me qeverinë, ne do të luftojmë me këmbëngulje që të fitojmë të drejtat tona, edhe pse kemi marrë një siguri nga kompania, se në fundin e muajit mars do të nisë puna nga ana e metalurgëve, gjithsesi në rast të kundërt do të vazhdojmë grevën”. Metalurgët kërkojnë sipas kontratës kolektive të punës të paguhen me 60 për qind të pagës së tyre dhe jo të dalin në asistencë. Në rast se kërkesat e metalurgëve nuk realizohen, ata kanë paralajmëruar një protestë masive ditën e hënë të javës tjetër.                                      m.s

© Panorama.al

Te lidhura