ELBASAN – I dehuri rrëzohet nga ballkoni i katit të katërt duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia e Elbasanit bëri të ditur ngjarjen e rëndë, të ndodhur mesditën e djeshme, në lagjen “5 Maji” të qytetit. Fatmir Hoti, 53 vjeç, babai i dy fëmijëve, sipas policisë, është kthyer në gjendje të dehur në banesë dhe pas pak minutash ka ndodhur dhe fatkeqësia. Ai ka dalë në ballkonin e shtëpisë së tij, në katin e katërt të pallatit, dhe prej andej ka përfunduar në tokë. Familjarët e tij e kanë gjetur pa jetë 53-vjeçarin, ndërsa policia ka nisur menjëherë hetimet. Nga verifikimet e kryera për ngjarjen rezulton se gjithçka ka qenë aksidentale. Nga pija duket se Hoti ka humbur kontrollin, duke u mbështetur shkujdesur në parmakët e ballkonit. Nga ekspertët e policisë është etiketuar ngjarje aksidentale. m.s











