Elbasan, rektori pezullon profesorin e Matematikës

Jul 6, 2012 | 13:46
Rektori i Universitetit të Elbasanit, Liman Varoshi

Pezullohet nga detyra si pedagog në universitetin “Aleksandër Xhuvani” profesori i Matematikës, Pëllumb Kllogjeri, i arrestuar dy ditë më parë për marrje ryshfeti nga studentët.
Këtë fakt e pohoi dje rektori i universitetit, Liman Varoshi, në një konferencë për shtyp, pas arrestimit të pedagogut ditën e martë. “Deri në përfundimin e Gjykatës në lidhje me ecurinë e mëtejshme të këtij procesi hetimor, ne si rektorat urgjentisht morëm masat dhe duke e gjetur në kundravajtje të plotë me moralin tonë universitar, ky pedagog do të pezullohet nga puna, sepse ai nuk mund të ushtrojë profesionin e pedagogut për sa kohë është në proces hetimor. Ne do ta ndjekim hap pas hapi këtë proces, deri në zbardhjen përfundimtare të implikimit të pedagogut për korrupsion. Gjithsesi, ne masën paraprake të pezullimit nga puna e morëm që në momentin e veprimit amoral që ky pedagog kreu në provimin e lëndës së Matematikës”, tha Varoshi. Ndër të tjera, rektori ka dashur të sqarojë dhe komentin e një dite më parë në lidhje me penalizimin e studentëve apo cilitdo institucion që hedh baltë mbi figurën e universitetit. Varoshi ka deklaruar se “asnjë student nuk do të penalizohet, pasi vetë unë i kam kërkuar studentëve që t’i denoncojnë rastet e korrupsionit, duke i garantuar edhe anonimatin, pasi qëndrimi ynë është që të luftojmë korrupsionin, duke bashkëpunuar edhe me organet kompetente”. Sipas rektorit të Universitetit të Elbasanit, “gjithnjë kemi qenë në krah të studentëve dhe se toleranca do të jetë gjithnjë te studentët. Pavarësisht se imazhi i universitetit ka pësuar këto dëmtime që mund të vijnë në raste të tilla, mund të them se pjesa e aftë profesionalisht nuk ka munguar në universitetin tonë”. Një risi në aktivitetin e universitetit, për të shmangur rastet e korrupsionit është dhe ngritja e një Task-Force. “Nëpërmjet saj, i gjithë kontrolli i studentëve do të hyjë në sistem, që nga momenti që ai frekuenton fizikisht në auditor, në punimin e një ESE-je etj., si edhe notat përfundimtare do të hyjnë të gjitha në sistem, duke qenë tërësisht i monitorueshëm dhe i kontrollueshëm, duke mos pasur mundësi për ndërhyrje apo raste korruptive”, përfundoi Varoshi. Sot pritet që Gjykata e Elbasanit të vlerësojë masën e sigurisë ndaj pedagogut Pëllumb Kllogjeri.

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura