Elbasan, e pickon gjarpri në krah, humb jetën 6-vjeçarja

Jul 9, 2011 | 10:25

ELBASAN – E pickon gjarpri, humb jetën 6-vjeçarja. E mitura ndërroi jetë të enjten, gjatë transportimit për në spitalin kirurgjikal. Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites së të enjtes, në fshatin Zavalinë të komunës me të njëjtin emër, rreth 40 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Vajza e vogël, bashkë me nënën e saj, të cilat banonin në fshatin Hajdaran, shumë pranë Elbasanit, kishin shkuar që në muajin qershor te gjyshja e së miturës në Zavalinë, pasi e ëma ndihmonte familjen në punët e prodhimit të stinës në arë. Nga burime të policisë dhe spitalit të Elbasanit mësohet se 6-vjeçarja I. Xhaka ishte duke luajtur shumë pranë oborrit të shtëpisë kur është pickuar nga një gjarpër në krah, pickimi i të cilit ka qenë i menjëhershëm. Kjo ka bërë që vajza të qajë nga dhimbja e pickimit e më pas të bjerë pa ndjenja në tokë. Ka qenë daja e vajzës në fshatin Zavalinë që bashkë me nënën e saj i kanë dhënë ndihmën e parë, por duke parë që krahu po nxihej dhe ënjtej, kanë marrë një makinë të rastit dhe janë drejtuar për në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Por, fatkeqësisht, vajza e vetme e familjes Xhaka nuk ka mundur të jetojë. Ajo ka ndërruar jetë në dalje të Gjinarit, rreth 22 kilometra pa mbërritur në qytetin e Elbasanit. Edhe pse familja ka shkuar në spital me vajzën ajo ka vdekur gjatë rrugës dhe mjekët nuk kanë mundur dot të ndërhyjnë. Mjekët në spitalin kirurgjik të Elbasanit e konfirmojnë vetë faktin se vajza ka shkuar e vdekur në spital. 6-vjeçarja Xhaka sapo kishte mbaruar klasën e parë bashkë me nënë e saj, të cilat kishin pak vite që jetonin në fshatin Hajdaran të komunës Shushicë në rrethin e Elbasanit, ishin nisur te prindërit e nënës në Zavalinë, pasi babai i vajzës prej vitesh emigrant punonte me sezone në Greqi, kështu që nënë e bijë kishin vendosur që këtë verë ta kalonin në fshat. Mjeku reanimator Behar Gjevori bën apel që me urgjencë pacientët duhet t’i drejtohen qendrës shëndetësore më të afërt në raste të tilla e më pas të marrin mjekimin e specializuar në spital. “Spitali disponon të gjitha medikamentet e duhura si edhe serumin antivipera”, pohon mjeku.                      m.s

Këshillat e mjekut

“Të gjithë fëmijët, të cilët banojnë në zona rurale, por edhe të rriturit, të evitojnë daljet në pikun e nxehtësisë. Në rast se pickohen nga ndonjë insekt, ta lidhin menjëherë vendin, me qëllim që helmi të mos qarkullojë në trup, e më pas t’i drejtohen poliklinikës më të afërt apo dhe spitalit”.

© Panorama.al

Te lidhura