Ekzekutohet në mesnatë pronari i diskos “Tekila”

Feb 24, 2012 | 12:41

Viktima Almir Cani

ELBASAN/ Familjarët: E thirrën në emër nga poshtë ballkonit. Dyshime për konflikt në lokal.

Almir Cani qëllohet në mesnatë, pasi mbylli diskon.

Ekzekutohet pronari i disko “Tekilës” në qytetin e Elbasanit. Almir Cani, 37 vjeç, u qëllua me dy plumba pistolete rreth 1 orë pas mesnatës të së mërkurës. Ai kishte pak minuta që ishte ngjitur në shtëpinë e tij, një kat mbi diskon, në lagjen “Dyli Haxhire”, kur është thërritur për t’u ekzekutuar nga autorët, ende të paidentifikuar. Policia ende nuk ka zbardhur motivet e vrasjes, duke e cilësuar deri më tani mister. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 00:50 të ditës së djeshme, ku viktima është identifikuar shpejt si Cani, pronar i diskos që ndodhet pranë gjimnazit “Kostandin Kristoforidhi”. Babai i një fëmije ka gjetur vdekjen nga një plumb i marrë në kokë, ndonëse autori ka qëlluar dy herë ndaj tij. Shtetasi Almir Cani, banor i Elbasanit, sipas të afërmve të tij ka qenë në banesë kur e kanë thirrur, pikërisht mbi diskon që ai e kishte të hapur prej 10 vitesh. Ai kishte mbyllur diskon dhe është ngjitur në shtëpi. Në këtë çast, dikush e ka thërritur nga poshtë banesës në emër, dhe 37-vjeçari ka dalë i qetë. Duket se ai nuk ka pasur asnjë prapamendim mbi çfarë do të ndodhtë, me mendimin se mos ndoshta dikush e kishte kërkuar për të prenotuar lokalin e tij. Asgjë nuk është e qartë në këtë moment, sepse viktima ka zbritur shpejt, pasi ka parë nga ballkoni personat që e thërrisnin. Familjarët e tij kanë pohuar në polici se kanë dëgjuar një të shtënë, prindërit dhe nipi i tij kanë dëgjuar një të shtënë, por kanë menduar se mos ndoshta është ndonjë kapsollë. E shtëna e dytë ka detyruar familjarët të dalin menjëherë jashtë dhe të shohin trupin e shtrirë në tokë të njeriut të tyre. Menjëherë këta të fundit e kanë dërguar për në spitalin kirurgjik të Elbasanit, por 37-vjeçari nuk ka mundur dot të jetojë dhe ka gjetur vdekjen. Menjëherë Policia nisi hetimet për të zbardhur ngjarjen në fjalë, e cila konsiderohet “vrasje me paramendim”.

Disko “Tekila” në pronësi të viktimës

Burime zyrtare të Policisë bëjnë të ditur se menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan ekspertë të Antikrimit, si edhe një grup hetimor, ndërsa nisën edhe shoqërimet e para për në polici të më shumë se 15 personave, dëshmitarë apo të dyshuar për këtë ngjarje. Gjatë orëve të para të mëngjesit, Policia e Elbasanit deklaroi se autori është identifikuar ndërsa po punohet për kapjen e tij. Viktima Cani rezulton person pa precedentë, çka ka vështirësuar punën e hetuesve në lidhje me motivet e krimit. E vetmja pistë deri tani është ajo e një konflikti të çastit që mund të kishte ndodhur mes pronarit të diskos dhe autorëve. Vetë të afërmit e Almir Canit ndjehen akoma të shokuar për vrasjen e tij. Prej rreth 10 vitesh Cani menaxhonte lokalin poshtë banesës së tij. Rreth kësaj periudhe ai është vënë në akuzë për shfrytëzim prostitucioni, por që u shpall i pafajshëm. Familjarët e 37-vjeçarit thonë se Almiri nuk kishte asnjë problem. Sipas tyre, nuk kishte konflikte me njeri, pasi po të ishte kështu, ai do të ruhej dhe nuk do të dilte në mesnatë jashtë shtëpisë. Ata nuk kanë ditur as ndonjë sherr dhe ka qenë tronditës fakti kur 37-vjeçari u gjet i pajetë në hyrjen e pallatit ku jetonte bashkë me familjen.

2 here është qëlluar në drejtim të Almir Canit, por sipas Policisë, ai ka gjetur vdekjen nga një plumb i vetëm që e mori në kokë. Asnjë gëzhojë nuk është gjetur në vendin e ngjarjes.

Autorët marrin celularin dhe gëzhojat
Sipas burimeve jozyrtare mësohet se gjatë momentit që Canin e kanë thërritur poshtë banesës së tij kanë qenë dy persona. Pasi e kanë vrarë, autori apo autorët kanë marrë nga vendi i ngjarjes edhe gëzhojat, si edhe celularin e viktimës. Mësohet se ata nuk kanë pasur as kohë t’i flasin Canit, pasi sapo ky i fundit ka dalë në derë kanë qëlluar menjëherë në drejtim të tij. Gjithsesi, këto janë hipoteza të marra nga vendi i ngjarjes, por ende po verifikohen nga policia.

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura