Ekzekutohet për hakmarrje 49-vjeçari

Aug 7, 2011 | 11:01
Viktima, Besnik Dashja

Ekzekutohet për hakmarrje në derë të shtëpisë një 49-vjeçar.Mëngjesin e djeshëm, qyteti i Shkodrës është tronditur nga krimi i radhës. Viktima është Besnik (Mithat) Dashja, baba i dy fëmijëve, i cili vetëm 6 muaj më parë doli nga burgu ku vuante dënimin për “vrasje”. Ai u qëllua me breshëri automatiku në lagjen “Tophanë” të Shkodrës pranë vendit të quajtur “Çinari i Tophanës”. Autorët janë ende të paidentifikuar për policinë. Ata e kanë pritur viktimën në kohën kur ai sapo ka dalë nga shtëpia e tij me biçikletë, rreth orës 08.00. Sikurse është mësuar nga dëshmitarë okularë në momentin e ngjarjes, sapo Dashja ka mbyllur portën e jashtme të shtëpisë dhe po përgatitej të hipte mbi biçikletë, kur mbi të është qëlluar me breshëri automatiku nga disa persona që në ato momente ndodheshin në një makinë përballë portës së jashtme. Besnik Dashja, i njohur dhe me emrin Mithat, po dilte i qetë nga shtëpia e tij rreth orës 08:00 të mëngjesit të së shtunës. Ai prej rreth 6 muajsh kishte lënë qelitë e burgut, ku kreu dënimin prej 5 vitesh mbi një vrasje të ndodhur në Shkodër. Sipas Policisë, autorët, (numri i të cilëve mendohet të jetë 2) kanë qëlluar në drejtim të 49-vjeçarit. Ata ndodheshin në një makinë, në të cilën kanë pritur derisa viktima e ardhshme e tyre do të dilte nga banesa. Askush nuk i ka pikasur dhe Dashja ka dalë i qetë nga shtëpia. Menjëherë ndaj tij janë derdhur plumbat e automatikut, që e kanë përshkuar në të gjithë trupin. Makina me autorët brenda saj është larguar me shpejtësi, ndërsa 49-vjeçari ka rënë mes pellgut të gjakut. Banorët e zonës sapo kanë dëgjuar krismat, kanë dalë me shpejtësi për të parë se çfarë ka ndodhur duke qenë kështu dëshmitarët e parë të ngjarjes tragjike. Ata janë munduar që t’i japin ndihmën e parë Dashjes, por çdo gjë ka qenë e kotë. Në trup viktima kishte mbi 5 plagë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë bllokuar rreth 12 gëzhoja. Me gjithë ndihmën e parë për ta dërguar me shpejtësi në spital, Besnik Dashja ka ndërruar jetë gjatë rrugës. Plagët e shumta të marra në trup kanë bërë që 49-vjeçari të mos i shpëtojë vdekjes. Një grup hetimor nga Policia dhe Prokuroria e Shkodrës ka nisur me shpejtësi punën për zbardhjen e ngjarjes së rëndë. Në lidhje me këtë ngjarje, blutë e Shkodrës janë treguar të rezervuar, ndonëse burime të Policisë bëjnë të ditur se vrasja ka si motiv hakmarrjen, nisur nga precedenti i mëparshëm për vrasjen e Ylber Bajrit 6 vite më parë. Gjatë ditës së djeshme, u morën në Komisariat mbi 20 persona, por pas dhënies së dëshmive, ata janë lënë të lirë. Të afërm të viktimës së djeshme kanë pohuar se nuk kanë pasur konflikte të tjera, ndërsa krimi ndodhi kur 49-vjeçari qarkullonte i lirë në mes të qytetit, çka nënkupton se ai nuk ruhej, pavarësisht se çfarë kishte ngjarë më parë.

Precedenti i Astrit Kurmemajt

Në mars të këtij viti, një tjetër person i dënuar për vrasje u qëllua në qytetin e Shkodrës. Astrit Kurmemaj, 45 vjeç, u ekzekutua ndërsa i afrohej shtëpisë së tij, pasi kishte dalë me leje nga Burgu i Shënkollit. Ai vuante dënimin për vrasjen e dy personave. Vrasja e tij ka mbetur ende e pazbardhur.

Dënimi i Besnik Dashjes

Besnik (Mithat) Dashja mësohet se kishte pak muaj që kishte dalë nga burgu, pasi ishte dënuar për një vrasje të bërë në vitin 2005. Pikërisht më 4 nëntor të vitit 2005, ai qëlloi për vdekje Ylber Bajrin, (Rustemi). Krimi u shënua pasi si viktima dhe autori ishin konfliktuar prej 1 jave. Për këtë ngjarje, Dashja u dënua me 7.5 vjet burg nga Gjykata e Shkodrës, pasi veprimi i tij u cilësua i kryer në kushtet e tronditjes së fortë psikike. Në dënimin e Dashjes gjykata pati marrë në konsideratë faktin që ai ishte vetëdorëzuar dhe e kishte pranuar vrasjen, për të cilën përfitoi gjykim të shkurtuar. Deri tani, nuk jepet asnjë detaj për autorët, pasi akoma nuk ka ndonjë provë që të implikojë të afërmit e viktimës së Dashjes në këtë krim.

© Panorama.al

Te lidhura