
Vritet për gjakmarrje kryeplaku i Fshatit të Ri në Bushat të Shkodrës. Dy vjet pasi u lirua nga burgu për një vrasje të vitit 2000 është marrë hak ndaj 40-vjeçarit Lulash Qarri.
Policia e Shkodrës konfirmon se dyshimet mbi krimin janë hedhur mbi familjarë të viktimës së Qarrit, tre prej të cilëve janë shpallur në kërkim.
Krimi ndodhi në mes dëshmitarësh, pranë godinës së komunës Bushat, rreth orës 10:30 të ditës së djeshme. Qarri, banor i zonës Mali i Jushit, siç njihet ndryshe Fshati i Ri, kishte dalë në qendër të komunës për të pirë një kafe. Në momentin kur i është drejtuar makinës së tij ka ndjerë se po i afrohej një person, i cili i shkoi nga pas duke mbushur armën. Menjëherë autori ka qëlluar 4 herë në drejtim të Qarrit. Ky i fundit, ndonëse i plagosur, në përpjekje për t’u shpëtuar plumbave të tjerë, e ka goditur autorin e ngjarjes me derën e makinës dhe ka tentuar që të largohet me vrap. Por, autori e ka ndjekur dhe i ka shtënë dhe 4 herë të tjera. Viktima është rrotulluar nga goditjet e plumbave, duke përfunduar në kanalin bri rrugës kryesore të komunës Bushat. Pas kësaj, autori është larguar me shpejtësi në drejtim të paditur. Si pasojë e 6 plumbave të marrë në trup, 40-vjeçari Lulash Qarri ka humbur jetën në vend dhe sipas Policisë ka qenë i kotë dërgimi i tij në spital.

Dëshmitarët në vendngjarje kanë qenë të parët ata që kanë njoftuar Policinë, e cila ka mbërritur në Bushat për të zbardhur krimin e rëndë. Sipas uniformave blu, 40-vjeçari është qëlluar nga një distancë e afërt dhe kjo ka bërë që Qarri të ketë 6 plagë plumbash në trup, të cilat kanë qenë fatale për jetën e tij. Pas identifikimit të viktimës, Policia ka parë që emri i Lulash Qarrit, i cili thirrej edhe me emrin Niko, nuk ishte i panjohur për ta. Në dosjet e Policisë rezulton se ky shtetas në vitin 2000 ka vrarë shtetasin Kolë Qosja, në vendin e quajtur Bishti i Jukës në rrethin e Lezhës, vrasje për të cilën Qarri në vitin 2001 është dënuar nga gjykata me 13 vjet burg. Kështu që një nga pistat kryesore mbi ngjarjen, të ngritura nga grupi hetimor është motivi i hakmarrjes, por gjithsesi nuk përjashtohet mundësia edhe e ndonjë grindjeje të ditëve të fundit. Si rezultat i veprimeve të para hetimore dhe marrjes së dëshmive prej personave të pranishëm në afërsi të vendit të ngjarjes, Policia ka bërë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të tre personave të dyshuar: N.Qosja, A.Qosja dhe G.Qosja, gjeneralitetet e të cilëve për arsye hetimi nuk jepen të plota. Megjithatë, nga burime të Drejtorisë së Policisë së Shkodrës mësohet se të tre të kërkuarit janë kushërinj të viktimës Kolë Qosja. Forca të shumta policie kanë ushtruar kontrolle nëpër zonat fqinje më vendin ku ndodhi ngjarja, por pa arritur të bien në gjurmët e autorëve.
Dekreti që e liroi nga burgu
Ka qenë data 22 prill e vitit 2010, që solli lirinë e Lulash Qarrit, të cilit i kishin mbetur dhe 4 vite burg për akuzën e vrasjes. Presidenti Bamir Topi firmosi dekretin e faljes për 367 të dënuar, mes tyre dhe Qarri. “Lulash Ndue Qarrit, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër me vendimin nr.242, datë 30.10.2001, ndryshuar me vendimin nr.16, datë 23.01.2002 të Gjykatës së Apelit Shkodër, i falet dënimi i mbetur”, u shpreh Presidenti në dekretin e firmosur prej tij.
Krimi i Qarrit në 2000
Rreth 12 vite më parë, Lulash Qarri akuzohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin Kolë Qosja, ngjarje e cila ka ndodhur në vendin e quajtur “Bishti i Jukës”, atu ku ndahen kufijtë administrativë të rrethit të Shkodrës me rrethin e Lezhës. Pas kësaj ngjarjeje Lulash Qarri u prangos nga policia dhe në vitin 2001, Gjykata me vendim të formës së prerë e dënoi atë me 13 vite burg. Pasi ka bërë rreth 8 vite burg, falë një amnistie të Presidentit Bamir Topi në prill të vitit 2010, kur i kishin mbetur dhe 4 vite burg, Qarri fitoi lirinë. Liri, e cila në fakt i mori jetën ditën e djeshme, ndërsa ai lëvizte i lirshëm në qendër të komunës së Bushatit.Lulash Qarri, kryeplak
Megjithëse me precedent penal dhe i dënuar për krimin e vrasjes, kjo nuk e ka penguar Lulash Qarrin që të kryejë punët e kryeplakut në fshatin e tij të lindjes, në Fshatin e Ri, ose siç njihet ndryshe zona e Malit të Jushit. Këtë fakt e pohojnë bashkëfshatarë të Qarrit, sipas të cilëve ata e njihnin për kryeplak të zonës 40-vjeçarin. Pas interesimit të djeshëm në komunën Bushat, përfaqësues të saj e mohuan faktin që Lulash Qarri të ketë qenë pjesë e administratës së kësaj komune në funksionin e kryeplakut. “Ne nuk kemi asnjë dokument që të provojë se Qarri ishte me detyrë kryeplak”, thanë ata, nisur nga procedura që emërimin dhe pagesën e bën komuna.
SHKODER/ RITVAN DIBRA
© Panorama.al











