
KORÇË/ Autorët i zunë pritë të dyshuarit si vrasës me pagesë. Policia: Ngjarja për hakmarrje
Myderi Verdha qëllohet me breshëri automatiku në Qafë-Plloçë
Ekzekutohet në mes të rrugës nacionale 50-vjeçari. Myderi Verdha, emër i njohur për Policinë e Korçës dhe i dyshuar si vrasës me pagesë, u qëllua me 32 plumba pasditen e djeshme. Krimi ndodhi në një prej akseve rrugore me më tepër lëvizje në qarkun e Korçës, ndërsa autorët arritën të largoheshin. Vrasja, e ngjashme me skenat mafioze, u regjistrua në kthesën e parë të Qafë-Pllocës përgjatë aksit rrugor Korçë-Pogradec. Viktima i identifikuar si Myderi Verdha, banor i fshatit Leshnicë në Pogradec, është kapur në befasi nga persona ende të paidentifikuar, të cilët pasi i kanë ngritur pritë, kanë zbrazur mbi automjetin e tij breshëri plumbash automatiku. Sipas të dhënave në vendngjarje, mësohet se viktima ishte duke udhëtuar nga qyteti i Pogradecit në drejtim të Korçës kur i është zënë pusi në afërsi të Plloçës, në një prej kthesave mes humnerës. Teksa ka qenë duke ecur në krahun e tij të rrugës mendohet se Verdhës mund t’i jetë prerë rruga, ndërsa nga disa shkëmbinj në krahun e djathtë të makinës kanë nisur të shtënat. Vrasja është regjistruar rreth orës 15:30 të pasdites së të martës, ndërsa burime zyrtare të Policisë konfirmojnë se është duke u hetuar në pistën e hakmarrjes.
Mendohet se disa persona kanë zënë pusi, teksa Verdha ka qenë duke drejtuar automjetin e tij tip “Benz” me targa PG 5477 B dhe kanë qëlluar në drejtim të tij me automatik. Nga vendngjarja është konstatuar se viktima ka nxjerrë edhe armën e tij, tip “Pistoletë” që mbante me vete, por nuk ka mundur të qëllojë në drejtim të ekzekutorëve dhe është vrarë me armë në dorë. Tentativa e tij për t’u vetëmbrojtur nuk ka mundur t’i shpëtojë jetën, pasi nga verifikimet e para në vendngjarje ekspertët e krimit kanë nxjerrë përfundimin se nga arma e viktimës nuk ka dalë asnjë plumb dhe karikatori ka qenë i mbushur. Përmes një njoftimi zyrtar, Policia ka bërë publik krimin e ndodhur: “Në datë 31.01.2012, rreth orës 16:00 është marrë njoftim që në një nga kthesat e
Qafë-Plloçës/Pogradec, është gjetur i vrarë me armë zjarri, brenda në mjetin e tij, shtetasi Myderi Safet Verdha, rreth 50 vjeç nga fshati Leshnicë-Pogradec. Menjëherë pas marrjes së njoftimit u ngrit grupi hetimor dhe shkoi në vendngjarje, ku po punohet intensivisht për identifikimin e autorëve, si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”.
Ndonëse nuk ka të dhëna mbi autorët e ngjarjes, për Policinë e Korçës krimi ka pasur si motiv hakmarrjen. Sipas të dhënave, 50-vjeçari Verdha rezulton një person me precedentë penalë. Ai ka qenë i akuzuar për veprën penale të vrasjes (për të cilën nuk është dënuar asnjëherë), gjë që ka çuar blutë e qarkut të Korçës në hetimin ndaj personave me të cilët ai mund të ketë pasur konflikte. Pistat e hetimit janë ngritur, por prioritet i është dhënë asaj të hakmarrjes, për shkak të konflikteve të dhunshme që ka pasur shpesh me persona të tjerë. Burime jozyrtare të Policisë kanë sqaruar se sipas të dhënave nuk bëhet fjalë për një person të vetëm, i cili mund të ketë kryer të gjithë krimin, por për një skenar të paramenduar mirë dhe të organizuar në mënyrë tepër të qetë.
Arrestimi I VERDHëS në VITIN 2010
Në mes të korrikut 2010, Policia e Qarkut Korçë arrestoi Myderi Verdhën pas 2 orësh luftë. Sipas të dhënave të asaj kohe, Verdha ishte person në kërkim si i dyshuar për vrasjen e Azem Gorës, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2001. Arrestimi i Verdhës u bë në fshatin Leshnicë të Pogradecit, aty ku dhe jetonte. Policia bllokoi një arsenal armësh. Me gjithë akuzën dhe dyshimet për një sërë krimesh, Verdha ishte i lirë, deri në momentin kur u ekzekutua.
DYSHIMET
Duket se dhe vetë viktima 50-vjeçare ka pasur dijeni për ndjekjen që po i bënin personat, të cilët për Policinë janë të paidentifikuar. Prania e armës e konfirmon këtë fakt. Megjithatë, ai nuk arriti ta vinte në përdorim atë. Policia e njihte Myderi Verdhën prej vitit 1991 si person me precedentë penalë, ndërsa ndaj tij janë hedhur një sërë akuzash për vrasje, por asnjëherë të provuara zyrtarisht nga drejtësia.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











