Ekzekutohet palestinezi i fabrikës së çimentos, djali i kreut të Partisë Popullore

May 10, 2012 | 12:41
Anwar Rizik

Shpëton për mrekulli djali 5-vjeçar, ndaloi në oborr para se babai të hapte derën.

Viktima, zv.drejtor i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë.

Një shtetas palestinez, zv.drejtor i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, mbeti i vrarë në një atentat me eksploziv në derën e banesës së tij, vetëm pak metra larg Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Anwar Rizik, 43 vjeç, zëvendësdrejtor i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, gjeti vdekjen rreth orës 07:35 të mëngjesit të djeshëm, nga një sasi e konsiderueshme tritoli që ishte vendosur në portën e vilës dykatëshe ku ai banonte me qira. Ngjarja e rëndë ndodhi në kohën kur ai po dilte nga shtëpia, fillimisht për të dërguar djalin 5-vjeçar në kopsht e më pas, për të udhëtuar drejt punës së tij në Fushë-Krujë. Por nuk ka arritur të bëjë asnjë hap përtej portës prej hekuri, pasi sapo ka tërhequr dorezën e saj për ta hapur, një shpërthim i fuqishëm e ka lënë të vdekur në vend. Fatmirësisht, djali i tij i mitur, edhe pse ndodhej vetëm 2-3 metra larg tij, nuk ka pësuar asgjë nga shpërthimi. Ndërsa 43-vjeçari Anwar Rizik, i cili prej një viti kishte marrë edhe shtetësinë shqiptare, ka mbetur i vrarë në mënyrën më makabre, duke pësuar gjymtime në pjesë të ndryshme të trupit. Gruaja e tij shqiptare, Elda Ferracaku, e alarmuar nga ngjarja ka nxituar të lajmërojë policinë, nëpërmjet sallës operative. Ndërsa për shkak të distancës së afërt me vendin ku ndodhi shpërthimi, por edhe të alarmuar nga ajo çfarë kishte ndodhur, në vendin e ngjarjes kanë shkuar të parët personeli i Ambasadës Amerikane.
SHPERTHIMI

Porta e baneses ku ndodhi shperthimi

Zëvendësdrejtori i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, shtetasi palestinez, Anwar Rizik, mbeti i vrarë në mënyrë tragjike mëngjesin e djeshëm, nga një shpërthim i fuqishëm eksplozivi të vendosur në portën e shtëpisë së tij. Ngjarja përhapi panik në zonën përreth, edhe për faktin se 43-vjeçari nga Palestina banonte shumë pranë Ambasadës Amerikane. Ngjarja ndodhi rreth orës 07:35 të mëngjesit, tek sheshi që krijohet mes rrugës që të çon nga Liceu Artistik për në Qytetin Studenti në Tiranë. Anwar Rizik, 43 vjeç, nga Jerusalemi ishte duke dalë nga banesa e tij me qira, dhe kur ka hapur portën e jashtme të oborrit ka aktivizuar mekanizmin e shpërthimit të eksplozivit. Sipas Policisë, eksplozivi ishte vendosur në mes, në bashkimin e dy kanatave të portës. Fillimisht u dyshua se eksplozivi përbëhej nga një granatë dhe një sasi e dyshuar si tritol, e cila ishte vendosur për t’u aktivizuar në mënyrë mekanike nga hapja e portës. Por më vonë, ekspertët e Ambasadës Amerikanë që kryen ekzaminimin, arritën në përfundimin se eksplozivi ishte vetëm tritol. Anwar Rizik punonte dhe jetonte prej rreth 14 vitesh në Shqipëri. Grupi hetimor i Policisë së Tiranës ka sekuestruar disa kamera private sigurie të vendosura në vendin e ngjarjes, por ka rezultuar se ato nuk kishin fokusuar asgjë. Ndërkohë pritet konfirmimi i Uashingtonit zyrtar për të marrë kamerat e sigurisë që ndodhen në murin rrethues të Ambasadës Amerikane, tek të cilat hetuesit kanë mjaft shpresa për të gjetur pamjet e autorit, duke qenë se ndodhen në një distancë prej rreth 20 metrash nga shtëpia e shtetasit palestinez.

Bashkëshortja ishte në shtëpi
Në momentin kur ndodhi shpërthimi në vilën dykatëshe ku banonte me qira familja e shtetasit palestinez Anwar Rizik, aty ndodhej edhe bashkëshortja e tij nga Lushnja, Elda Ferracaku, bashkë me djalin e vogël 1-vjeçar. Ajo nuk ishte nisur ende në punë, në një kompani cigaresh, ku ishte e punësuar si ekonomiste dhe ndodhej në katin e dytë të banesës. Ndërsa 43-vjeçari ishte nisur para, në mënyrë që të dërgonte djalin e madh, 5 vjeç, për në kopsht, pastaj do të shkonte në punë.

Shpëtoi djali, vetëm 5 vjeç
Policia dhe të afërmit e familjes Rizik, kryesisht familjarët e bashkëshortes së tij, Elda Ferracaku, e konsiderojnë një mrekulli faktin që djali 5-vjeçar i shpëtoi shpërthimit që i mori jetën babait të tij. Sipas tyre, Rizik ka dalë bashkë me të birin nga shtëpia dhe është drejtuar për tek porta ku ishte vendosur eksplozivi. Por në një moment djali i është shkëputur nga dora duke u kthyer 2-3 metra mbrapsht për të marrë një lodër që kishte në tokë. Pikërisht në këtë kohë ka ndodhur edhe shpërthimi, që mund të kishte pasur pasoja edhe më tragjike.

Varrimi: Ceremoni mortore në Jerusalem
TIRANE – Ambasada Palestineze do të bëjë një ceremoni të shkurtër mortore në Aeroportin e Rinasit, gjatë pritjes së familjarëve të Anwar Rizik dhe, më pas, një tjetër ceremoni në Ambasadë. Ndërsa varrimi do të bëhet në vendin e tij të lindjes, por pa ndonjë datë të përcaktuar, pasi kjo varet nga procedurat hetimore dhe ekspertiza mjekoligjore. Burime nga Ambasada Palestineze thanë dje se një grup biznesmenësh janë nisur për të ardhur në Shqipëri, si dhe vëllai i tij, Rami Rizik, i cili do të vijë nga Katari. “I prisnim që të vinin sot në orën 11:00, por për shkak të një problemi që ka linja ajrore që vjen nga Turqia, ata do të vijnë në orën 19:00”, thanë burimet nga Ambasada Palestineze.

Familjarët: U vra për konkurrencë në biznes
Viktima, djali i ish-kreut të Partisë Popullore të Palestinës
Anwar Rizik ishte biri i një gjenerali të madh në Palestinë, Fouad Rizik, gjithashtu sekretar “jetëgjatë” i Partisë Popullore atje. Kjo është një parti socialiste, me themele mbi Partinë Komuniste Palestineze. Babai i Rizik ka vdekur në vitin 2008, në moshën 73-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë, ndërsa një vit më vonë Anwar Rizik erdhi në Shqipëri. Partia e të atit ishte një nga katër përbërësit kryesorë të Frontit të Bashkuar Kombëtar, që organizoi Intifadën e parë, një rebelim kundër Izraelit. Ndaj, lajmi i vdekjes së tij është publikuar edhe në lajmet e televizioneve dhe sajteve më në zë palestineze, siç është “Maannews”. “Vritet në Shqipëri djali i sekretarit të Partisë Popullore – Anwar Rizik nga Beit Jala”, është një nga titujt e këtij sajti, duke e shoqëruar lajmin edhe me një foto familjare, ku shfaqet bashkëshortja dhe disa gra me të zeza, të afërme të saj. (http://www.maannews.net/arb/ View Details. aspx?ID=484150). “Djali ynë u vra nga një bombë në hyrje të oborrit të shtëpisë, e vendosur nga persona të panjohur. Shpërthimi i saj shkaktoi vdekjen e Anwar Rizik”, njoftuan të afërmit e tij, si dhe kolegë të ish-gjeneralit që punoi për shumë vite si politikan i Partisë Popullore në Palestinë. Sipas raportimeve online, humbja e Anwar ka sjellë dhimbje dhe trishtim në qytetin ku ai lindi dhe u rrit, Beit Jalta. Të afërmit e tij shtuan se Rizik pati dëshirën dhe iniciativën që të punonte në një kompani të madhe biznesi, për të krijuar një të ardhme më të mirë. Ndërkaq, sajti i lajmeve “Maannews.net” i referohet një burimi pranë familjes, duke deklaruar: “Familjarët kanë deklaruar njëzëri se konkurrenca e krijuar së fundi ndërmjet kompanive të çimentove në Shqipëri mund të ketë çuar në vrasjen e Anwar. Edhe pse ai nuk ka pasur të bëjë aspak me këto mosmarrëveshje, e kanë bërë Anwar viktimë të tyre”. Më tej raportohet se familjarët nuk e kanë ende të sigurt se kur mund të bëhet transporti i arkivolit me trupin e të ndjerit drejt Palestinës, për shkak të procedurave të hetimit, si dhe largësisë mes dy vendeve. “Megjithatë, ajo që dihet saktë është fakti që Anwar do të vijë të prehet përfundimisht në varrezat e Beit Jala”, thuhet në lajmet palestineze.                            el.il

Konsulli palestinez: Anwar nuk kishte konflikte, fabrika po

Abass: Anwar Rizik s’ka pasur konflikte personale

Konsulli palestinez Abass dje në vendngjarje

Flet Abass, miku i zv.drejtorit të fabrikës:  E takova një ditë para vrasjes, s’ishte i shqetësuar
Konsulli i Ambasadës Palestineze në Tiranë, Mohammed Abass, është personi i fundit që e ka takuar zëvendësdrejtorin e fabrikës së çimentos, Anwar Rizik, pasditen e së martës një ditë para atentatit.
Sipas mendimit të tij, motivi i vetëm i vrasjes së djeshme ka qenë konkurrenca. Ai thotë se ka pirë një kafe me të dhe kanë biseduar gjatë, por në asnjë moment 43-vjeçari nga Palestina nuk dukej i shqetësuar. Madje Abass shprehet se asnjëherë miku i tij Rizik nuk i kishte folur për ndonjë problem, pasi nuk kishte probleme me askënd dhe ishte njeri i respektuar nga të gjithë. Duke mos dashur të nxitohet për të arritur në përfundime para se hetimet të zbulojnë një shkak konkret për ngjarjen, konsulli palestinez ngjarjen e djeshme e lidh vetëm me konfliktet e vazhdueshme që kanë pasur banorët e Fushë-Krujës me pronarët e fabrikës së çimentos. “Problemet e pronësisë atje ju tashmë i dini, sepse i keni pasqyruar edhe vetë në media. Por Anwar Rizik nuk kishte lidhje me asnjë problem që ndodhte atje”, u shpreh Mohammed Abass, gjatë një interviste për gazetën “Panorama”.
Prej sa kohësh njiheshit me zv.drejtorin e fabrikës së çimentos, Anwar Rizik?
E njoh prej vitesh. Që kur unë kam ardhur me shërbim në Ambasadën Palestineze në Tiranë. Për arsye se edhe ai ishte një shtetas palestinez, kemi pasur marrëdhënie shumë të mira. Ishte një njeri i shkëlqyer, një mik mjaft i mirë. Ai është palestinez, i lindur në Jerusalem.
Kur e keni takuar për herë të fundit?
Dje (të martën) pasdite e takova. U ulëm për të pirë një kafe, biseduam dhe më pas ai u nis për në shtëpi. Ka një familje të mrekullueshme.
Prej sa kohësh jetonte në Tiranë Anwar Rizik?
Po bëhen afro 14 vjet që ai ka ardhur në Shqipëri, si biznesmen dhe si inxhinier mjaft i zoti. Që prej vitit 1999, ai jeton në Tiranë. Këtu u njoh edhe me bashkëshorten, me të cilën ka dy djem. I madhi është 5 vjeç dhe i vogli është një vjeç. Bashkëshortja e tij është nga Lushnja, me profesion ekonomiste.
A ju kishte folur ndonjëherë Rizik për ndonjë konflikt apo diçka që nuk shkonte në punën e tij?
Asnjëherë. Ai ishte njëri i mrekullueshëm, nuk kishte konflikte me askënd. Edhe dje që u takuam, folëm gjerë e gjatë, por nuk më tha se kishte ndonjë konflikt. Jam i befasuar nga e gjithë kjo që ka ndodhur.
Ju keni ndonjë dyshim rreth motiveve që sollën këtë ngjarje?
Dyshimet tona të vetme lidhen me problemet që ka pasur vazhdimisht fabrika e çimentos në Fushë-Krujë. Por jo ai vetë. Ai nuk ishte pronar, që të mbante përgjegjësi për atë që ndodhte atje. Problemet e pronësisë atje ju tashmë i dini, sepse i keni pasqyruar edhe vetë në media. Por Anwar Rizik nuk kishte lidhje me asnjë problem që ndodhte në fabrikë. Për të, të gjithë ata që e njohin kanë respekt, sepse ishte njeri i përsosur. Unë nuk dua të nxitohem për të thënë diçka zyrtare, qoftë edhe nga ana e Ambasadës Palestineze, derisa autoritetet shqiptare, Policia dhe Prokuroria të zbulojnë motivin e ngjarjes nëpërmjet hetimeve.
Deri tani ju kanë komunikuar diçka autoritetet shqiptare?
Interesimi i tyre është i dukshëm. Zyrtarët më të lartë të shtetit kanë komunikuar me ambasadorin tonë. Por deri tani asgjë konkrete. Duhet verifikuar gjithçka me hollësi dhe më pas të arrihet në konkluzione.

Ambasada Palestineze
“Mesazhi i vetëm zyrtar i Ambasadës Palestineze është që të zbardhet e vërteta sa më shpejt dhe autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe mjaft tragjike të vihen para drejtësisë. Por do të them kjo ngjarje e rëndë, në rast se do të rezultojë të ketë lidhje me konfliktin në fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë, mund të ishte parandaluar, sepse autoritetet kanë qenë në dijeni të problemit. Dhe kjo që ndodhi, mund të dëmtojë edhe imazhin e vendit tuaj për investitorët e huaj, pasi do të ndihen të rrezikuar”, u shpreh konsulli Mohammed Abass.

Kolegët e punës
Pasi kanë mësuar lajmin për ngjarjen tragjike ku mbeti i vrarë zv.drejtori Anwar Rizik, kolegët e tij më të afërt dhe aksionerë të fabrikës së çimentos së Fushë-Krujës, kanë shkuar në vendin e ngjarjes, për t’iu gjendur pranë familjes së tij. Mes personave e kolegëve më të afërt të Rizik, dje në shtëpinë e tij ishte edhe një prej aksionerëve nga Brazili. Ai mban të njëjtin qëndrim me përfaqësuesit e Ambasadës, që ngjarja ka lidhje me konfliktin e pronësisë në Fushë-Krujë, por ashtu si ata përjashton nga probleme të tilla vetë të ndjerin Rizik, pasi sipas tij, ai ishte njeri i qetë dhe që nuk kishte konflikte me askënd.

RENEA shoqëron 16 të dyshuar në Fushë-Krujë
Pas ekzekutimit me eksploziv në Tiranë të palestinezit Anwar Rizik, zëvendësdrejtor i një prej fabrikave të çimentos në Fushë-Krujë, forcat speciale RENEA nisën një aksion për të shoqëruar personat që kanë pasur probleme të vazhdueshme pronësie për fabrikën. Forca të shumta të policisë së komisariateve të Krujës dhe Durrësit, të mbështetur nga RENEA zbarkuan në fshatin Zall, ku kryen kontrolle për eksploziv. Burime nga Policia thanë se u shoqëruan 16 persona si të dyshuar, të cilët u transferuan për t’u marrë në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Të njëjtat burime thanë se pjesa më e madhe e të shoqëruarve janë persona që kanë pasur edhe probleme të mëparshme me policinë, si të dyshuar për vendosje eksplozivi në zona të ndryshme të Fushë-Krujës. RENEA ka kontrolluar edhe banesën e shtetasit Ylli Zalla, i cili disa muaj më parë është arrestuar dhe vazhdon të jetë në qeli, i akuzuar si posedues i një sasie të konsiderueshme lënde plasëse, kryesisht tritol. Forcat speciale dhe Policia lokale kanë kontrolluar çdo centimetër të banesave të tyre, por edhe kasollet e bagëtive dhe zonat rreth shtëpive, për të zbuluar nëse kishin fshehur lëndë eksplozive, por mësohet se nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Ngjarja që ndodhi mëngjesin e djeshëm në Tiranë, fare pranë Ambasadës Amerikane, vjen pas një serie konfliktesh të dhunshme mes banorëve të fshatit Zall dhe kompanisë që ka në pronësi fabrikën, për çështje të pronësisë mbi tokën. Deri tani numërohen të paktën 12 ngjarje me vendosje eksplozivi për këtë konflikt, në rrugët që lidhin këtë fabrikë me rrugën nacionale, urën, linjën hekurudhore dhe shtyllat e tensionit të lartë që furnizojnë me energji këtë fabrikë.

Bomba me eksploziv, jo granatë
Ekspertët antieksploziv të Ambasadës Amerikane, të cilët asistuan gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ku mbeti i vrarë shtetasi palestinez Anwar Rizik, konfirmuan mbrëmë në një raport të detajuar se lënda plasëse që shkaktoi shpërthimin, është tritol. Ndryshe nga verifikimet paraprake që u kryen në vendin e ngjarjes, fare pranë Ambasadës Amerikane, sipas të cilave u dyshua se shpërthimi kishte ardhur nga një granatë dhe një sasi tritoli e lidhur në mënyrë artizanale, ekspertët amerikanë e kanë përjashtuar granatën. Sipas tyre, ka qenë një sasi e konsiderueshme tritoli që ka shkaktuar shpërthimin, por jo granatë.

Zona e vëzhguar: Kamerat s‘kapën autorët
Tiranë – Kamera e një parkingu përpara banesës ku ndodhi shpërthimi i djeshëm me pasojë vdekjen e 43-vjeçarit palestinez, është bllokuar nga policia në cilësinë e provës materiale. Burimet nga grupi hetimor kanë thënë dje se imazhet e marra nga kamera në fjalë janë sekuestruar dhe janë marrë në shqyrtim menjëherë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në shtëpinë përdhese, ku jetonte me familjen zv.drejtori i fabrikës së Fushë-Krujës. “Nga shqyrtimi i këtyre pamjeve është konstatuar se në imazhet e regjistruara nuk duken lëvizje të dyshimta para portës ku besohet se ka qenë e vendosur bomba”, thanë burimet e Policisë. Sipas tyre, pas dështimit të zbardhjes së ngjarjes me anë të kësaj kamere, janë kërkuar kamerat e Ambasadës Amerikane, por për të parë regjistrimet e tyre, deri mbrëmë vonë nuk kishte mbërritur ende autorizimi i nevojshëm nga autoritetet amerikane në SHBA.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura