
Ekzekutohet me katër plumba në sy të gruas një 44-vjeçar nga Kosova. Skënder Spahia, 44 vjeç nga Prishtina, është qëlluar nga një distancë fare e afërt nga dy persona ende të paidentifikuar. Sipas Policisë, ngjarja e rëndë është regjistruar afër mesnatës, në zonën e Shkëmbit të Kavajës, në hyrje të pallatit, në të cilin çifti kishte edhe shtëpinë. Jetesa e Spahisë në disa shtete të Evropës ka hedhur dyshimet për një ngjarje që ka si motiv larjen e e hesapeve për implikim në trafiqe.
Ngjarja
Mësohet se Spahia, së bashku me gruan, shtetase bullgare, dhe një të njohur të tyre kishin darkuar në një prej restoranteve të qytetit bregdetar dhe sapo janë kthyer për në banesën e tyre, në një prej pallateve të reja, dy persona, të cilët u kishin zënë pritë në hyrje të pallatit kanë qëlluar disa herë mbi 44-vjeçarin duke e lënë të vdekur në vend. Bashkëshortja e tij, 34-vjeçarja me inicialet D.B., është dëshmitarja e vetme që mund të hedhë dritë mbi misterin e kësaj ngjarjeje. Gruaja ka qenë së bashku me 44-vjeçarin në mjetin tip “Citroen” me targa AA 635CG, që drejtohej nga ky i fundit në momentin e ekzekutimit, por fatmirësisht nuk është lënduar nga plumbat që ekzekutorët derdhën mbi bashkëshortin dhe mjetin. Në deklarimin e saj për policinë, gruaja është shprehur se nuk ka qenë në dijeni të faktit që Skënderi të ketë pasur ndonjë konflikt me persona të ndryshëm, ndërsa ka ndihmuar blutë dhe grupin hetimor, duke i orientuar për kapjen e ekzekutorëve. Mësohet se kanë qenë dy persona që i kanë zënë pritë 44-vjeçarit dhe se që të dy kanë hapur zjarr drejt tij. Sipas rrëfimit të 34-vjeçares, makinës i janë afruar në errësirë dy persona dhe në momentin që viktima ka hapur derën i kanë qëlluar disa herë me armë zjarri. Gruaja ka dëshmuar se nuk ka pasur asnjë debat mes palëve, ndërsa ekspertët konstatuan katër gëzhoja plumbi në vendin e ngjarjes. Sipas saj, autorët ishin me kapele dhe të dy ishin të armatosur. Pasi janë siguruar se shënjestra e tyre ka gjetur vdekjen, autorët, të ndihmuar edhe nga errësira, janë larguar pa problem nga vendi i krimit. Në bazë të përshkrimit të dhënë nga bashkëshortja e viktimës u shoqëruan disa persona të dyshuar dhe u ngritën postblloqe të shumta në qytet.
Hetimet
Ende nuk ka një version zyrtar nga Policia për të kaluarën e viktimës, por nga burime konfidenciale mësohet se 44-vjeçari është person me precedentë në disa vende të Europës. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se janë ngritur disa pista dhe po hetohet për aktivitetin e viktimës dhe konfliktet e mundshme të tij që ka pasur jo vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe në vendet që viktima ka jetuar dhe punuar, sidomos në Zvicër e Gjermani. Për këtë Policia e Durrësit ka kërkuar bashkëpunimin e homologëve të tyre në këto vende. Sipas Policisë, nuk përjashtohet përfshirja e tij në ndonjë rrjet të trafikimit dhe shpërndarjes së narkotikeve në bregdet dhe jo vetëm. Grupi hetimor që po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes thotë se një ndër pistat kryesore është që 44-vjeçari të jetë ekzekutuar për larje hesapesh, pa përjashtuar këtu edhe pista të tjera. Trupi i pajetë e 44-vjeçarit është dërguar në morgun e qytetit nga ku mjekët deklaruan se ai kishte marrë katër plumba, tre në gjoks dhe një në kokë. Ekspertët thonë se autorët kanë qenë të saktë, pasi i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme të Spahisë, ndërsa nuk është cenuar aspak gruaja që ndodhej në sedijen e parë.
Ndalohet për armëmbajtje pa leje miku
Policia e Durrësit ka ndaluar për armëmbajtje pa leje shokun e 44-vjeçarit Skënder Spahia, i cili ka shoqëruar çiftin në darkën e fundit. Sipas Policisë, ai është ndaluar pasi i është gjetur me vete një armë, për të cilën nuk kishte leje. Emri i tij nuk bëhet i ditur, por ai është një prej personave që do të ndihmojë policinë për të hedhur dritë mbi të kaluarën e Spahisë, për shkak dhe të afrimitetit që kishte me të.
Rojet e pallatit, asnjë dëshmi për autorët
Rojet e pallatit kanë qenë ata që lajmëruan Policinë e Durrësit për krimin. Këtë fakt e pohojnë burimet e Policisë, sipas të cilave bëhet e ditur se rojet private kanë qenë larg vendit ku ndodhi vrasja, por që janë afruar me të dëgjuar zhurmat. Megjithëse ishin të parët në vendngjarje, ata nuk kanë dhënë ndonjë dëshmi të rëndësishme për policinë, pasi kanë deklaruar se nuk kanë parë asnjë person të dyshimtë.
Spahia, me shtëpi vere në Durrës
Shtetasi kosovar, Skënder Spahia, kishte blerë një apartament në te Shkëmbi i Kavajës, shumë pranë bregdetit. Nga të dhënat e Policisë mësohet se 44-vjeçari, bashkë me shtetasen bullgare kishte mbërritur në Durrës nga Kosova prej pak ditësh. Shtëpinë në plazh ai e frekuentonte gjatë stinës së verës, ndërsa muajt e tjerë udhëtonte jashtë. Konfirmohet nga policia e Durrësit se Spahia kishte disa vite që ishte banor i përhershëm i qytetit bregdetar, sidomos pas blerjes së shtëpisë së re, shumë pranë detit, në Shkëmbin e Kavajës. Megjithëse kanë tentuar të marrin deklarime nga ana e banorëve të tjerë të zonës policia nuk e ka arritur këtë, për shkak se pallati ishte thuajse i braktisur në këtë periudhë. Vetëm me ardhjen e plotë të stinës së nxehtë zona mbipopullohet nga banorët që i kanë banesat e tyre ose ata që i marrin me qira gjatë sezonit turistik.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











