Ekzekutimi në ish-Bllok, akuza: Po mbaron afati i arrestit, s‘ka prova

Aug 24, 2011 | 12:48

TIRANE – Prokuroria ia ka deleguar policisë për plotësim me prova dosjen penale të ngjarjes së ndodhur në qershor të këtij viti në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku u vra me armë zjarri 32-vjeçari Nadien Zeneli. Burime nga organi i akuzës kanë thënë se, ndonëse një person është arrestuar dhe po mbahet në burg në lidhje me vrasjen, dosja nuk ka provat e nevojshme për dërgimin e saj në gjykatë. Pas ngjarjes së ndodhur më 13 qershor 2011 në mbrëmje, ku Nadien Zeneli u qëllua me pistoletë në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, policia ndaloi shtetasin Marklen Haka, nën dyshimin se ai ishte autori i ngjarjes. Natën e krimit, veç vrasjes së Nadien Zenelit, nga të shtënat në vendin e ngjarjes mbetën të plagosur edhe shtetasit Tafë Mandri, 23 vjeç, dhe shtetasi Bledar Miho, 25 vjeç. Ata u dërguan në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe mbijetuan, ndërkohë që Nadien Zeneli gjeti vdekjen. Më 28 qershor, 15 ditë pas vrasjes në ish- Bllok, policia ndaloi shtetasin Marklen Haka gjatë një aksioni të zhvilluar në Krujë. I riu 23-vjeçar doli para gjykatës në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime dhe, për shkak të rrezikshmërisë së madhe të akuzës për vrasje, u la në arrest me burg. Mirëpo, prokuroria thekson se 23- vjeçari nuk është i akuzuar zyrtarisht për krimin, pasi nuk ka prova për një gjë të tillë. Policia ka vetëm një element në duart e saj, gjurmën e telefonit celular të të arrestuarit, që tregon se ai ndodhej në zonën e ish- Bllokut kur ndodhi vrasja e Nadien Zenelit. Sipas prokurorisë, i riu ka mohuar autorësinë e krimit dhe për mungesë të provave dosja është kthyer në polici për plotësim. Burimet nga organi i akuzës kanë thënë se afati 3-mujor i hetimit po përfundon dhe policia ende nuk ka referuar prova të reja në lidhje me ngjarjen në fjalë. Sipas organit të akuzës, shtetasi i arrestuar Marklen Haka është person në hetim dhe ndaj tij zyrtarisht ende nuk është ngritur akuzë, për shkak të mungesës së provave të nevojshme për implikimin e tij direkt në ngjarje. Veç të dhënave për praninë e tij në zonën e ish- Bllokut në Tiranë, duke iu referuar gjurmimit të telefonit celular, policia ka referuar edhe deklarimet e dy vajzave që ndodheshin me Nadien Zenelin dhe miqtë e tij, megjithatë prokuroria ka vlerësuar se ato janë prova të pamjaftueshme për faktimin e akuzës dhe për dërgimin e çështjes para gjykatës. Sipas prokurorisë, zgjatja e afatit të paraburgimit për Marklen Hakën është e pamundur nëse policia nuk referon prova të reja.

© Panorama.al

Te lidhura