
Euxhen Muka, shijakasi i arrestuar për “bashkëpunim në vrasje” të 29-vjeçares Rolanda Kaja, e mohoi edhe para trupit gjykues akuzën.I riu nëpërmjet avokatit të tij pranoi se kishte vetëm njohje shoqërore, por jo më tepër, si me autorin kryesor, Lefter Keçin, ashtu edhe me Kajën. Ai u paraqit dje në Gjykatën e Durrësit për të mësuar masën e arrestit, pas prangosjes së të premtes. Por, gjyqtari Astrit Faqolli ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për lënien e tij në burg pa afat, duke e cilësuar si të ligjshëm arrestimin e 26-vjeçarit Muka nga ana e sektorit të Luftës Kundër Krimit ndaj personit, duke mos marrë për bazë deklarimet e avokatit të të arrestuarit. Euxhen Muka është arrestuar në mbrëmjen e datës 17 qershor, ndërsa i akuzuari kryesor për vdekjen e Rolanda Kajës, shtetasi Lefter Keçi, është shpallur në kërkim. 29-vjeçarja Kaja nga Kryevidhi i Kavajës është gjetur në një kanal në rrugën Ishëm-Gjiri Lalëzit, 45 km larg nga Durrësi, gjysmë e dekompozuar. Seanca e vlerësimit të masës së sigurisë ndaj 26-vjeçarit Euxhen Muka është zhvilluar dje në orën 14:30. Gjyqtari Astrit Faqolli është njohur fillimisht me pretendimet e Prokurorisë lidhur me akuzën e ngritur ndaj shtetasit Muka dhe më pas ia ka dhënë fjalën avokatit Avenir Stermasi si dhe të arrestuarit Muka. Prokurorja Ornela Rrumbullaku ka kërkuar që gjykata ta cilësojë të ligjshëm arrestimin, duke dhënë edhe një sërë deklarimesh, të cilat janë vlerësuar si prova për palën akuzuese. Konkretisht, Rrumbullaku ka pohuar se viktima Rolanda Kaja, e cila ka punuar për një kohë të gjatë në lokale të ndryshme në plazhin e Durrësit, kishte njohje me shtetasit Euxhen Muka dhe të kërkuarin Lefter Keçi. Organi akuzës ka thënë se ka zbardhur bisedat telefonike të të dy djemve me gruan e divorcuar dhe se në to thuhet se provohet autorësia e krimit të kryer në bashkëpunim mes dy të akuzuarve. Prokurorja u shpreh se denoncimi për humbjen e shtetases Rolanda Kaja, gruas së divorcuar dhe nënës së dy fëmijëve, e ka bërë një shoqja e saj, me të cilat viktima kishte shoqëri të ngushtë. Sipas përfaqësueses së akuzës, janë zbardhur edhe bisedat telefonike të bëra nga viktima me persona të ndryshëm dhe në mes tyre edhe me dy djemtë e akuzuar. Rolanda Kaja, e divorcuar tre vite më parë, kishte dy fëmijë. Djalin, sipas Prokurorisë, e ka nën kujdestari ish-burri, kurse vajzën tre muajt e fundit e kishte lënë në një banesë në Kënetë. Prokuroria ka kërkuar që Euxhen Muka të marrë si masë sigurie atë të arrestit në burg, kërkesë që është marrë në konsideratë nga gjyqtari Astrit Faqolli. Nga ana tjetër ka reaguar avokati Avenir Stermasi. Ai ka pohuar se masa shtrënguese “arrest me burg” është shumë e rëndë, duke përjashtuar mundësinë e pjesëmarrjes së klientit të tij në krim. Madje Stermasi ka shkuar edhe më tej, duke pohuar se askush nuk mund të akuzohet për vrasjen, pasi ende nuk ka ndonjë provë bindëse. “Edhe sot nuk kemi në dorë aktin e ekspertizës mjeko-ligjore, në të cilën thuhet shkaku i vdekjes”, ka thënë avokati, i cili duket se kishte mundur të bindte klientin e tij të mos shprehet për asgjë, duke ia lënë atij mbrojtjen në këtë seancë. Avokati ka pranuar se Muka ka shoqëri me të kërkuarin Lefter Keçi, si dhe ka pasur njohje me viktimën Ronada Kaja, por ka shtuar se vajza mund të ketë vdekur në mënyrë natyrale, mund të jetë vetëhelmuar ose edhe të ketë bërë vetë ndonjë injeksion vdekjeprurës. Mbrojtja ka pohuar se nuk ka asnjë prove për të fajësuar shtetasin Euxhen Muka si bashkëpunëtor në vrasjen me dashje të shtetases Rolanda Kaja.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ











