Ekzekutimi i kolateralit apo riskedulimi i kredisë

Jun 3, 2011 | 10:06

BUJAR LESKAJ

Sot, në Shqipëri, është rritur shqetësimi lidhur me kreditë bankare dhe vështirësitë që këto të fundit hasin gjatë procesit të ekzekutimit të kolateralit për ata klientë që nuk kanë shlyer në kohë detyrimet. Duke marrë parasysh faktin që SHBA dhe Europa sapo kaluan një krizë financiare, nga e cila, direkt apo indirekt, u prek edhe Shqipëria, mendoj se shqetësimet lidhur me sistemin bankar janë të rëndësishme jo vetëm për këto të fundit, por edhe për krejt ekonominë. Këtu dua të veçoj se është i rëndësishëm gjithashtu krijimi i një klime të përshtatshme mes bankave dhe bizneseve që financohen prej tyre. Dyshoj se pakkush, qoftë Banka e Shqipërisë, dhe aq më pak sistemi bankar, ndiejnë shqetësimin e duhur lidhur me klimën bankë-biznes.
Ekzekutimi i kolateralit
Kolaterali apo prona e lënë peng në bankë, në mënyrë që kjo ta shesë kur klienti nuk shlyen kredinë, duhet parë gjithnjë e më shumë si një mënyrë për t’i nxitur bizneset dhe individët të shlyejnë kredinë. Duke ndjerë shqetësimin e bankave lidhur me kreditë e këqija, nuk mund ta kundërshtojmë as logjikisht dhe aq më pak teorikisht, këtë praktikë. Por, mendoj se ka gjithmonë hapësira për t’u shfrytëzuar në mënyrë që kredia të mbyllet me shlyerjen e detyrimeve nga bizneset pa shkuar tek ekzekutimi i kolateralit. Natyrisht, gjithmonë do të ketë biznese dhe individë për të cilët janë shterur të gjitha mundësitë dhe shpresat për një përfundim të tillë. Ajo që duhet shmangur është trajtimi i ftohtë i problemit nga ana e bankave. Për mendimin tim, bankat janë në të njëjtën “valle” si dhe bizneset, të cilave dikur u kanë besuar duke u dhënë kredi. Kështu që mendoj se brenda një hapësire të logjikshme duhen gjetur mundësitë për riskedulimin (ristrukturimin) e kredisë për bizneset me probleme në pagesën e kësteve të kredisë bankare. Këtu kam parasysh qoftë riformatimin e kredisë, duke e shtrirë atë në kohë apo edhe duke e lehtësuar atë, pse jo, edhe përmes rishikimit të normës së interesit. Nuk ka pse bankat ta shohin problemin e kredisë pa marrë në konsideratë prekjen e fitimit të tyre. Nëse klienti ka dështuar, edhe banka ka dështuar.
Fitimi justifikon humbjen
Mendoj se nuk është racionale, as afatgjatë, politika e ngurtësimit e të gjithë humbjes te klienti. Nëse do t’u referohemi të dhënave financiare të sistemit bankar gjatë 10 viteve të fundit, kthimi nga kapitali aksioner (ROE) ka qenë dyshifror, madje në nivelet e mbi 20% për 7 vjet resht, nga viti 2001 (23.45%) deri në vitin 2007 (20.32%). Fakti që 3 vitet e fundit ka rënë në nivele poshtë 10%, nuk do të thotë se bankat duhet të alarmohen. Një kredi e keqe nga një biznes nuk u krijua sot, por është krijuar pikërisht gjatë këtyre viteve, kur dhe bankat kanë korrur fitime mbi 20%. Kjo do të thotë që, ashtu siç shijohen fitimet e larta kur kreditë ecin mirë, po kështu duhen përballuar problemet që vijnë nga këto kredi dhe jo të synohet transmetimi i çdo humbjeje te klienti kur shfaqen problemet. Në këndvështrimin tim, një kredi e keqe është problem sa i klientit, po aq dhe i bankës. Është e lehtë për bankën të shmangë një humbje sot, duke i ngarkuar gjithë humbjet te klienti, por kjo, direkt apo indirekt, ka për të ndikuar sistemin bankar dhe ekonominë në të ardhmen e afërt.
Dështimi i disa bizneseve, jo për keqmenaxhimin e tyre.
Që në fillim të artikullit theksova krijimin e një klime të përshtatshme mes bankave dhe bizneseve. Këtu kam parasysh që të dyja palët, në veçanti bankat, duhet të jenë të shqetësuara për problemet e bizneseve, si dhe burimet e vështirësive financiare që ata hasin. Jo çdo biznes që shfaq vështirësi në shlyerjen e kredisë bankare duhet parë sikur ka keqmenaxhuar fondet që i ka dhënë banka si financim. Në kushtet e paskrizës që kaloi ekonomia botërore dhe problemeve të ndryshme që ajo tejçoi, natyrisht, edhe biznesi shqiptar do të prekej dhe do t’i vështirësohej zhvillimi i një aktiviteti të suksesshëm. Parë në këtë këndvështrim, është më e udhës gjetja e rrugëve për të dalë nga situata të tilla. Bankave nuk u lejohet që në kushtet e krizave të lehta si kjo e fundit, t’i zërë paniku dhe të aplikojnë teknika më strikte, duke shtuar problemet për bizneset e goditura. Në rast se banka kalon pa hezitim në ekzekutimin e kolateralit, atëherë kjo është një goditje e rëndë për biznesin shqiptar, dëmtim indirekt për vetë bankat e në përgjithësi për krejt ekonominë. Në këtë drejtim, drejtuesit e bankave, konkretisht menaxherët e kredisë, marrin një rol të veçantë. Ky shkrim synon fokusimin e vëmendjes drejt këtij problemi dhe nuk ka synimin të atakojë drejtues (me origjinë të huaj) të bankave në Shqipëri. Në këtë pikë nuk mund të rri pa përmendur shembullin e mirë, pozitiv, të hapur, inkurajues dhe profesional, të drejtuesve shqiptarë të bankës “Credins”.
Problemi fillon që nga miratimi i kredisë
Meqë kredia e keqe gjatë dy viteve të fundit ka ardhur në rritje dhe ka kapur nivele dyshifrore aktualisht, doja të theksoja që një vend të veçantë në analizën e këtij problemi duhet të zërë dhe burimi i problemit. Gjatë krizës së fundit financiare në SHBA, një ndër shkaktarët kryesorë ishte dhe keqmenaxhimi i vetë bankave. Menaxherët e tyre rritën efektivisht kredinë përtej potencialeve paguese të tregut, me qëllimin e vetëm që të përfitonin shpërblime nga shtimi i volumit të kredisë. Në rastin e Shqipërisë, përveç ndonjë lajmi sporadik, nuk është diskutuar, dhe as përmendur problemi i menaxhimit të bankave dhe sa ka ndikuar ai në problemin e kredive. Në vend të saj është gjetur rruga e fajësimit të bizneseve dhe ndëshkimit të tyre kur nuk shlyejnë në kohë kredinë bankare. Madje, për shkak të dështimeve në disa kredi specifike, bankat aplikojnë praktika strikte dhe ndaj bizneseve, të cilat, ashtu si dhe bankat, nuk kishin mundësi të parashikonin pasojat e krizës së vendeve europiane. Kjo mënyrë menaxhimi, dikur liberale dhe tani strikte, nuk ndikon në krijimin e një klime të përshtatshme.
Banka e Shqipërisë, rol të rëndësishëm në krijimin e klimës
Banka e Shqipërisë, si institucioni qendror bankar në vend, duhet ta luajë në mënyrë më aktive rolin e saj në krijimin e një klime më të përshtatshme. Ky institucion, gjithashtu ka detyrën të analizojë më drejt arsyet e vërteta të problemeve që kanë bankat lidhur me kreditë e këqija. Nuk ka dyshim se një pjesë e këtyre kredive janë burim i keqmenaxhimit. Gjithashtu, nuk ka dyshim që një pjesë e tyre janë për shkak të korrupsionit në kredi që kanë aplikuar oficerët e kredive dhe ndonjëherë deri në menaxherë të kredive në disa banka. Një pjesë e kredive të dështuara tani janë shkak i miratimit të pamerituar të tyre nga menaxherë të bankave, në këmbim të përqindjeve të caktuara ndaj totalit të kredisë. Banka e Shqipërisë, natyrisht, duhet t’i njohë dhe këto probleme, të gjykojë mbi shkallën e zhvillimit dhe mundësinë e minimizimit të tyre në të ardhmen.
Në politikat e këtij institucioni, i rëndësishëm është edhe raporti i huadhënësit (banka) me huamarrësit (bizneset dhe individët), si një raport që duhet të karakterizohet nga sinqeriteti, fleksibiliteti dhe marrëdhëniet afatgjata. Politikat e bankave, mendoj se duhet të shmangin praktikat e ngurta, strikte, por të shndërrohen në praktika më dinamike, në përshtatje dhe në funksion të kushteve të ekonomisë. Banka e Shqipërisë dhe guvernatori, si autoriteti mbikëqyrës, nuk duhet të qëndrojnë indiferentë dhe të shikojnë veç interesat e tyre. Mbikëqyrja bankare ia detyron një veprim të tillë. Nuk ka lobim më të mirë për një guvernator, Këshill Mbikëqyrës të BSH-së, kur i qëndrojnë në kokë probleme të ekonomisë, ku ato të kredisë janë më kruciale.
Banka e Shqipërisë, bankat e nivelit të dytë, bizneset private, institucionet e fiskut, duhet të operojnë si një ansambël. Nuk duhet të gëzohet njeri kur përmbaruesit, ekzekutuesit e kolateralit, përmes veprimeve të dyshimta agresive, por duhet të ligështohen të gjitha subjektet kredi-marrëse, bankat dhe Banka e Shqipërisë.

© Panorama.al

Te lidhura