Orikum/ Viktima me precedentë. Policia: Dyshime për përfshirje në trafiqe.
Sokol Veizi qëllohet në lokal nga një person i maskuar.
Tronditet nga ekze-kutimi mafioz qyteti i Orikumit. Peshkatari 41-vjeçar, Sokol Veizi, u qëllua për vdekje me dy plumba pistolete mesnatën e së shtunës nga një person që dyshohet se ka qenë i porositur. Kjo pistë është hedhur nga Policia e Vlorës, nisur nga rrethanat në të cilat ka ndodhur vrasja e babait të dy fëmijëve. Ngjarja e rëndë është shënuar rreth mesnatës, ndërsa Veizi po pinte i vetëm në një prej lokaleve buzë bregut të detit në Orikum. Ndonëse është periudhë pushimesh, në lokalin që frekuentonte Veizi nuk kishte shumë njerëz, veç pak personave në brendësi të tij dhe të vetmit dëshmitarë kanë qenë në pjesën e brendshme ose në baret përreth. Burime nga grupi hetimor dhe dëshmitarë okularë pranë zonës ku ndodhi krimi, tregojnë se viktima ka qëndruar për një kohë i vetëm, i pashoqëruar nga askush. Në një moment pranë tij ka shkuar një person që ka pasur kokën e mbuluar dhe, sapo i është afruar Veizit, ka nxjerrë pistoletën dhe i ka qëlluar një herë në këmbë. Dyshohet se ky veprim është kryer prej tij për të shmangur një mundësi arratisjeje nga ana e 41-vjeçarit. Ndërsa peshkatari ishte i gjakosur, autori e ka tërhequr zvarrë deri te makina e Veizit. Në gjendje të plagosur, personi i maskuar i ka kërkuar Veizit që të nxirrte nga makina dokumentet e automjetit. Pasi ka saktësuar se bëhej fjalë për të njëjtin person që kishte plagosur në këmbë, autori i ka drejtuar pistoletën në kokë, duke e qëlluar këtë herë për vdekje. Në këtë moment e ka lënë në tokë viktimën dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, i hipur në një motor. Këto të dhëna të mbledhura nga specialistët e krimit në Policinë e Vlorës kanë hedhur dyshimet për një krim të tipit mafioz. Mendohet se autori ka qenë i porositur për kryerjen e vrasjes, nisur nga fakti se ai ka verifikuar nëse bëhej fjalë për të njëjtin person, para se ta qëllonte me plumb kokës. Burimet sqarojnë se vrasja e 41-vjeçarit Sokol Veizi mund të jetë kryer për hakmarrje, pasi ky i fundit njihej në Orikum si person me precedentë penalë, pasi ka plagosur, grabitur dhe dyshohet të jetë marrë me trafikim të lëndëve narkotike.
Deri në orët e mbrëmjes Policia e Vlorës kishte shoqëruar në komisariat 9 persona, të dyshuar ose dëshmitarë, për të zbardhur ngjarjen e rëndë që tronditi qytetin bregdetar. Deri tani Policia nuk ka arritur të krijojë ndonjë pistë të mundshme për shkaqet e kryerjes së krimit. Fillimisht u dyshua se bëhej fjalë për një vrasje të shkaktuar nga një debat i çastit, por orët në vazhdim pas krimit sollën sigurimin e dëshmive të shumta. Ato zbardhën momentin e fundit kur një person i mbuluar për të mos u identifikuar, edhe pse në kushtet e errësirës e qëlloi për vdekje Sokol Veizin.
Viktima, peshkatar me dinamit
Sokol Veizi, i cili njihej si peshkatar në zonën e Orikumit, vepronte me anë të lëndëve plasëse për të zënë peshqit. Këtë fakt e konfirmon Policia dhe banorë të qytetit që e njihnin 41-vjeçarin. Ata thonë se si familje nuk kishin hasmëri, ndërsa vetë Veizi ishte futur në burg për vjedhje dhe për zënie me persona të tjerë. Ndonëse njihej si person problematik, ai nuk ka precedentë për vepra të rënda penale, që ta lidhin krimin me persona konkretë.
ORIKUM/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











