Gjykata e Tiranës pranoi dje kërkesën e prokurorisë për ekstradimin në SHBA të shtetasit Altin Kore, i akuzuar për trafikimin e 25 kilogramëve kokainë në Amerikë dhe i arrestuar në Aeroportin e Rinasit.Prokurori Besnik Cengu kërkoi dje mbajtjen e të arrestuarit në burg edhe për 30 ditë të tjera, derisa procedura e ekstradimit në SHBA të realizohet. Avokati pretendoi se afati i masës së sigurisë ka kaluar dhe mbajtja e klientit të tij në burg është e paligjshme. Pasi dëgjoi palët, gjykata vendosi pranimin e kërkesës së prokurorisë për ekstradimin në SHBA të shtetasit Altin Kore, 35 vjeç dhe mbajtjen e tij në burg edhe për 30 ditë të tjera. Altin Kore, i shumëkërkuar në Amerikë për akuzën e trafikut të drogës, ra në pranga në Aeroportin e Rinasit, më 25 qershor 2011. Pas ndalimit të tij, gjykata e Tiranës vendosi mbajtjen e 25-vjeçarit në arrest me burg për 60 ditë por, për shkak të formaliteteve të ekstradimit, prokuroria kërkoi dje një muaj shtesë nga afati i parë 60-ditor. Brenda 30 ditëve të ardhshme, gjykata theksoi se prokuroria duhet të plotësojë dokumentacionin përkatës për realizimin e ekstradimit të shtetasit Altin Kore. Ai u shpall në kërkim mbi bazën e një urdhër-arresti nga Interpol Uashington, më 3 mars 2011. Shqiptari ishte shpallur në kërkim, për shkak se më 14 gusht 2008 Gjykata e Teksasit, SHBA, kishte lëshuar një urdhër arresti ndaj tij për akuzat e “trafikimit të lëndëve narkotike” dhe “mbajtje pa leje të armëve”.
Dosja amerikane
Në dosjen amerikane ndaj Altin Kores thuhet se ai është një prej drejtuesve të një organizate kriminale të trafikut të kokainës. Sipas hetimeve, Altin Kore kontaktonte drejtpërdrejt me një furnitor të drogës dhe në total ai dyshohet të jetë përgjegjës për trafikun e 20-25 kilogramëve kokaine. “Në periudhën janar 2007 dhe 14 gusht 2008, në distriktet lindore dhe veriore të Teksasit, Altin Kore ishte anëtar i një organizate droge që shpërndante sasi kokaine me shumë kilogramë”, thuhet në dosjen e palës amerikane. Sipas saj, Kore ishte një prej drejtuesve të organizatës që lehtësonte marrjen e kokainës dhe drejtimin e të tjerëve për ta transportuar dhe shpërndarë atë. Kore kontaktonte drejtpërdrejt me një burim furnizimi për marrjen e kokainës. Më 4 maj 2008, i akuzuari kërkoi 3 kg kokainë nga një burim furnizimi me lëndë narkotike. Kokaina u trafikua në SHBA nga Meksika dhe një here në SHBA, u shpërnda në Dallas, Teksas dhe Indiana. Për më tepër, disa nga lëndët narkotike u dërguan në Shqipëri dhe Itali. Organizata e drogës fshihte drogën në qirinj që dërgoheshin me barkë në Euro%e në kontejnerë ngarkesash. Në total, Kore është përgjegjës për 20 deri në 25 kg kokainë”, thuhet në aktakuzën ndaj 35-vjeçarit.
Kore, agjent burse në kartelin meksikan të drogës
Një kontroll i thjeshtë në sistemin TIMS ka zbuluar praninë e Altin Kores në Rinas, në qershor të këtij viti. Sipas prokurorisë, nga kontrolli në sistemin TIMS rezulton se ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Uashington me datë 03.03.2011, pasi Gjykata e Teksasit në SHBA me vendimin datë 14.08.2008 ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas për veprat penale të ‘trafikimit të lëndëve narkotike’ (lloji kokainë ) dhe ‘mbajtje pa leje të armëve’, parashikuar nga nenet 21 e 18 të Kodit Penal Amerikan. Sipas policisë, shtetasi shqiptar Altin Kore është i pandehur në një proces hetimi të autoriteteve federale amerikane në Dallas. 32-vjeçari nga Shqipëria, ish-agjent burse në SHBA, ekonomist në profesion, ka dalë i implikuar gjatë hetimeve që janë zhvilluar ndaj një karteli meksikan të drogës. Urdhër-arresti ndaj Kores u lëshua kur policia amerikane bëri disa arrestime në Dallas.
Trazhgim Sokolaj
© Panorama.al











