Ekspozita e perbashket/ Tre piktorë, freski në “DidArt”

Jun 10, 2011 | 9:20

Në këto ditë me mot të çuditshëm qershori, galeria “DidArt”, vijon serinë e ekspozitave të saj, me të tjerë emra të njohur të pikturës shqiptare. Kësaj here ofron peizazhe, natyra të qeta, por edhe kompozime. Piktorët Adrian Çene, Aleksandër Dragoti dhe Lekë Tasi vijnë në një ekspozitë të përbashkët në galeri “DidArt”. Konceptuar si një e vetme, ekspozita nxjerr në pah gjithashtu veçantitë e secilit piktor. Adrian Çene prezantohet para artdashësve me 5 piktura në gjininë e peizazhit. Aleksandër Dragoti, vjen me tri natyra të qeta të abstraguara dhe në format të madh. Ndërsa piktori aq i veçantë, Lekë Tasi, nuk heq dorë nga stili i tij, duke u prezantuar para artdashëse me pesë piktura në gjininë e kompozimit. Pikturat që i përkasin të gjitha vitit 2011, janë realizuar në teknikën e vajit mbi kanavacë. Ekspozita hapet me datë 8 qershor dhe do të presë vizitorët deri në fund të muajit.

© Panorama.al

Te lidhura