Ekspozita, 111 vepra “Made in Britain” në Tiranë

Jun 1, 2012 | 15:13

Vepra të: Mat Collishaw, Jake Chapman, Adam Chodsko, Sarah Lucas, ekspozuar në Galerinë e Arteve

Zhvillimet e artit britanik, në Galerinë e Arteve.

Veprat e shkëputura nga Koleksioni i Këshillit Britanik në Londër u përkasin 29 autorëve.

Kur Damien Hirst eksploronte temat e dashurisë, jetës dhe vdekjes, kur Sarah Lucas eksperimentonte me portretin e saj apo vëllezërit Chapman satirizonin çdo lloj dhune, në Shqipëri ende imponoheshin tema me partizanë.
As që bëhej fjalë për mediume si instilacioni apo video-projeksioni, madje edhe fotografia konsiderohej si një medium i dorës së dytë. Me rënien e sistemit filloi një periudhë e gjatë e kërkimit të vetes, por koha kishte fluturuar dhe kolegët e huaj tashmë kishin kaluar në etapa të reja. Për të treguar se çka ndodhur prej viteve 1980-2010 në arenën e artit bashkëkohor në Europë, për herë të parë në Tiranë vjen ekspozita “Made in Britain”, e cila sjell për publikun shqiptar një pjesë nga Koleksioni i Këshillit Britanik në Londër (1980 – 2010). Sipas drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima, ekspozita ‘Made in Britain’, një nga më të njohurat dhe më të kushtueshmet në Europë, vjen si kërkesë specifike e Galerisë Kombëtare të Arteve, duke bërë të mundur, që me ndihmën e Ambasadës së Britanisë së Madhe të sillte në Tiranë rreth 111 vepra në pikturë, skulpturë, grafikë, fotografi, instalacion e video-art, që përfshijnë një hark kohor prej 30 vitesh. Sipas Shimës, 29 autorët që vijnë para publikut shqiptar janë ndër më të njohurit e më të rëndësishmit e dhjetëvjeçarëve të fundit në skenën e artit pamor, fitues çmimesh, apo përfaqësues lëvizjesh të rëndësishme artistike. Mes tyre mund të përmendim Damien Hirst, Sarah Lucas, Tomma Abts, Phillip Allen, Keith Arnatt, Helen Chadëick, Jake dhe Dinos Chapman, Adam Chodzko, Mat Collishaw etj. Ekspozita do të jetë e hapur deri në datën 5 gusht.
Koleksioni
Kjo ekspozitë është përzgjedhur nga Koleksioni i Këshillit Britanik, i cili numëron mbi 8500 piktura, skulptura, vizatime, akuarele, printime dhe fotografi, instalacione komplekse multimedia e punë në video, që nga dekadat e para të shekullit XX deri në ditët tona. Sipas drejtorit të GKA-së, Rubens Shima, qëllimi kryesor i kësaj ekspozite, e cila ka shëtitur edhe në shumë vende të tjera të botës, është tregimi i artit britanik për publikun shqiptar si dhe njohjen e tij prej një audience të re. Nga njëra punë në tjetrën pasqyrohet jo vetëm ndryshimi që ka ndodhur në artin bashkëkohor britanik këto 30 vjet, por edhe ndryshimet që kanë ndodhur në shoqërinë britanike. Nga vepra e vitit 1980 e artistëve Gilbert & George “Intellectual Depression”, e deri te puna e Gary Hume “Sister Troop”, tregohet se si në shumë raste arti ka qenë në krye të këtyre ndryshimeve sociale. Sipas organizatorëve të ekspozitës, gjatë tri dekadave të shkuara arti bashkëkohor në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të pamohueshme ka marrë mbi vete një pozicionim më të ndjeshëm social në raport me shoqërinë britanike. Një arsye për këtë mund të jetë shfaqja e një brezi të ri dhe ambicioz artistësh në fillim të viteve ‘90, me një shpirt më sipërmarrës, të njohur në mënyrë kolektive si YBA (young british artists, në shqip: artistët e rinj britanikë) që përfshinte mes vetes artistë si Michael Landy, Jake dhe Dinos Chapman, Damien Hirst, Sarah Lucas, dhe Gillian Wearing. Faktorë të tjerë, të tillë si fillesa e çmimit “Turner” në 1984 (Turner Prize është çmimi i parë i dizenjuar vetëm

Vepra të: Mat Collishaw, Jake Chapman, Adam Chodsko, Sarah Lucas, ekspozuar në Galerinë e Arteve

për artistët e rinj bashkëkohorë në Mbretërinë e Bashkuar); hapja e “Tate Modern” në vitin 2000 (galeria e parë publike dedikuar krejtësisht artit modern dhe bashkëkohor në Mbretërinë e Bashkuar); fuqizimi i industrisë artistike, reklamative dhe dizajnit, sidomos pas hapjes së Galerisë Saatchi në 1985; dhe heqja e pagesës së hyrjes në muzetë dhe galeritë publike në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2001, kanë luajtur rolin e tyre specifik në afrimin e artit bashkëkohor drejt një publiku shumë herë më të madh se më parë; drejt një publiku i cili shpeshherë nuk ka pasur as njohuri fillestare të artit pamor e as eksperienca me të. Arti bashkëkohor është bërë një industri primare në Mbretërinë e Bashkuar, duke mos qenë më domeni i një elite të vogël, të edukuar e shkolluar, por i prekshëm, i hapur dhe i marketuar në mënyrë aktive për një audiencë të gjerë publike gjithmonë e më shumë e tërhequr prej tij.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura