Eksportet e vendit tonë me Kosovën kanë zëvendësuar ato me Greqinë, duke u renditur të dytat. Gjatë viteve 2010-2011 është vënë re një riorientim drejt Kosovës, ku eksportet zënë 7.4% të totalit të eksporteve të Shqipërisë. Ndërkaq, heqja e tarifave doganore me vendet e rajonit ka rritur ndjeshëm shkëmbimet tregtare të vendit. Protokolli shtesë i marrëveshjes së tregtisë së lirë me 8 shtetet e CEFTA (Central European Free Trade Agreement) ka hyrë në fuqi në muajin shkurt. Nënkomiteti për Bujqësinë dhe Çështjet sanitare e fitosanitare në tregtinë e produkteve bujqësore organizoi dje takimin e radhës në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga të gjitha këto shtete. Zv. ministri i Bujqësisë, Ndoc Fasllia, në fjalën e tij prezantoi shifrat për Shqipërinë në veçanti, lidhur me marrëdhëniet tregtare të Shqipërisë në kuadrin e CEFTA-s. “Volumi i shkëmbimeve tregtare në kuadrin e CEFTA-s përfaqëson rreth 11% të totalit të eksport-importeve në Shqipëri. Përpara zbatimit të kësaj marrëveshjeje, tregtia me vendet e CEFTA-s përfaqëson vetëm 2.6% të totalit të shkëmbimeve tregtare në shkallë vendi”, tha Fasllia. Ai shtoi se volumi i shkëmbimeve tregtare me vendet e CEFTA-s në këto 3 vitet e fundit është rritur me 65%. Eksportet shqiptare në tërësi për vitin 2010 janë rritur me 49%, ndërsa në vitin 2011 janë rritur me 22%. Sipas zv. ministrit të Bujqësisë, vetëm eksportet bujqësore në 2011-n janë rritur në total me 32%, ndërsa importet me vetëm 8%. “Jam i bindur se ne të gjithë së bashku kemi përpara sfida të reja me të cilat ne ballafaqohemi edhe në kuadrin e përpjekjeve për integrimin në BE. Heqja e tarifave në tregtinë rajonale ishte veprimi paraprak shumë i rëndësishëm i ndërmarrë për nxitjen e tregtisë ndërmjet vendeve tona”, tha Fasllia.











