Eksplozivi, para vrasjes së Megit

Feb 8, 2012 | 12:25

Policia: Makina u ble në Laprakë dy ditë para sulmit me armë te “Komuna e Parisit”, lekët ishin pa paguar.

C4 në makinën e të dashurës së Gocajt, anulohet shitja e benzit.

Një histori e koklavitur qëndron pas makinës me targa gjermane, në të cilën u gjet një sasi eksplozivi të hënën në mbrëmje, në Tiranë. Makina në përdorim të shtetases Ada Thaçi ishte blerë nga Aleksandër Gocaj dy ditë para 2 shkurtit, kur persona të paidentifikuar qëlluan 27-vjeçarin me armë zjarri tek “Komuna e Parisit”, duke e lënë atë të plagosur në shpatull, si dhe duke vrare 25-vjeçaren e pafajshme Megi Jokiçi. Dy ditë para se të plagosej, Gocaj kishte blerë makinën tip “Benz” në shasinë e së cilës u zbuluan 400 gramë eksploziv C4, mbrëmjen e së hënës. Sipas Policisë, Gocaj, bashkë me të dashurën Ada Thaçi, kishin blerë automjetin me targa gjermane KCJ 337, në një servis që ndodhet në Laprakë të Tiranës. Ata ende nuk i kishin dhënë paratë pronarit që ua kishte shitur. Për shkak se Gocaj mbeti i plagosur më 2 shkurt dhe më pas u mbajt në spital, makina gjatë këtyre ditëve është përdorur nga e dashura e tij Ada Thaçi, 23 vjeçe. Mbrëmjen e së hënës, kur u zbulua sasia prej 400 gramësh eksploziv poshtë shasisë, mjeti ishte parkuar poshtë pallatit ku banon e dashura e Gocajt, e cila jeton me nënën dhe motrën e saj, në rrugën “Hamdi Cenoymeri”, në Kombinat. Eksplozivi sipas Policisë është zbuluar nga personi që më 31 janar 2012 i kishte shitur makinën çiftit. Ai ishte telefonuar nga Ada Thaçi që të vinte të merrte makinën mbrapsht, pasi i dashuri i saj kishte ndërruar mendje dhe ishte tërhequr nga ideja për ta blerë. Burime nga grupi hetimor thanë që ka qenë pikërisht pronari i servisit, personi që ka zbuluar sasinë e C4, kur po kontrollonte mjetin pasi do ta merrte sërish mbrapsht. Nisur nga këto rrethana, ai është shoqëruar të dëshmojë në Policinë e Tiranës, ku është pyetur me hollësi për njohjen e tij me Aleksandër Gocajn, bisedat që kanë bërë ditën kur është blerë makina, fakti që ende nuk i kishte marrë paratë dhe arsyen e kthimit të saj. “Shitësi” i makinës është pyetur edhe për momentin kur e zbuloi sasinë e eksplozivit në shasinë e makinë “Benz”, me targë KCJ 337 dhe për arsyen e kontrollit të imtësishëm të saj.
HETIMI
Grupi hetimor i Policisë së Tiranës, që heton dy atentatet ndaj Aleksandër Gocajt dhe të dashurës së tij, ka dyshime të forta që eksplozivi i gjetur në makinën e Ada Thaçit mund të jetë vendosur prej disa ditësh aty. Sipas Policisë, fakti që sasia prej 400 gramësh C4 ende nuk kishte shpërthyer, edhe pse “sinjalin” e merrte me telekomandë, do të thotë që nuk kishte objektiv 23-vjeçaren Thaçi, por vetë Aleksandër Gocajn. Të njëjtat burime thanë dje se dyshohet që eksplozivi është vendosur në shasinë e mjetit para se Gocaj të plagosej tek “Komuna e Parisit”, në Tiranë, por autorët nuk kanë gjetur momentin e përshtatshëm për të telekomanduar shpërthimin. Makina që prej ditës që është blerë nga Gocaj, është përdorur nga e dashura e tij Ada Thaçi dhe, sipas Policisë, kjo mund të jetë arsyeja që eksplozivi nuk është shpërthyer. Dhe në pamundësi të atentatit me C4, autorët i bënë atentat me armë zjarri 27-vjeçarit, mbrëmjen kur u vra aksidentalisht Megi Jokiçi. Gjithashtu grupi hetimor ka ngritur dyshime në lidhje me ngjarjen edhe në drejtim të personit që i ka shitur makinën Gocajt, i cili po ashtu zbuloi eksplozivin në kohën kur ishte telefonuar nga Thaçi, për ta rimarrë makinën e shitur. Objektivi i atentatit ka qenë 27-vjeçari nga Mati, i cili sipas Policisë dhe Prokurorisë ka precedentë penalë në fushën e trafiqeve dhe në disa ngjarje të ndodhura në Veri të vendit. Sipas burimeve nga hetimi i çështjes, Aleksandër Gocaj është i ekspozuar në më shumë se një konflikt, ndaj është e vështirë të përcaktohet se cila nga palët është po e sulmon atë në ngjarjet e fundit të ndodhura në Tiranë.
EKSPLOZIVI
Një sasi prej 400 gramësh lëndë plasëse ishte vendosur në makinën e të dashurës së shtetasit Aleksandër Gocaj, 27-vjeçarit i cili javën e kaluar shpëtoi nga atentati ku gjeti vdekjen vajza e pafajshme, Megi Jokiçi. Tritoli në makinë është zbuluar mbrëmjen e së hënës rreth orës 20:30, në zonën e Kombinatit në Tiranë, pranë shtëpisë së të dashurës së Gocajt, Ada Thaçit, duke alarmuar banorët dhe Policinë e Tiranës. Policia tha se një sasi prej 400 gramësh C4 u zbulua në shasinë e automjetit tip “Benz”, me targë KCJ 337, në përdorim të shtetases Ada Thaçi, 23 vjeç dhe u arrit të çaktivizohej nga ana e ekspertëve xhenierë dhe antieksploziv.

Aleksandër Gocaj mbahet pa ruajtje në Spital
TIRANE – Deri dy ditë më parë, Aleksandër Gocaj mbahej në ruajtje në spital nga dy punonjës policisë të Komisariatit Nr.2 të Tiranës, ndërsa mbrëmjen e djeshme ai ishte “vetëm”. Sipas mjekëve të Spitalit Ushtarak, Gocaj mund të qëndrojë aty edhe për dy ditë sa të përfundojë mjekimin dhe më pas mund të largohet. Mjekët thanë dje se 27-vjeçari nga Mati, përveç plagës në krah, ka pasur edhe një plagë të lehtë në këmbë, më shumë në formën e një gërvishtjeje nga predha e automatikut, që nuk i është ngulur në mish. Aleksandër Gocaj prej mbrëmjes së të enjtes, pasi kreu një operacion, ndodhet i shtruar në pavijonin e Kirurgjisë, në Spitalin Ushtarak. Gocaj, i njohur edhe me pseudonimin “Mente Koçi”, duke qenë se është edhe dëshmitari kyç i ngjarjes dhe dëshmia e tij mund të zbardhë të gjithë ngjarjen, është ruajtur për rreth 5 ditë nga dy punonjës policie të Komisariatit Nr.2 të Tiranës. Ndërsa mbrëmë punonjësit e policisë ishin larguar, pasi aq kishte qenë afati i përcaktuar që ata të qëndronin me shërbim tek dera e dhomës së tij. Aleksandër Gocaj është një prej miqve më të ngushtë të ish-efektivit të forcave speciale, Halit (Donald) Dedja, i cili u vra në dhjetor të vitit 2010. Sipas burimeve nga Policia, Gocaj ishte krahu i djathtë i Dedjes dhe ka qenë pranë tij në shumë incidente e ngjarje të rënda që kanë tronditur Burrelin, por edhe Tiranën pas vitit 1997.

Vrasja e Eleni Bashos, dosja delegohet në polici

Prokuroria: S`ka prova të mjaftueshme për emrin e autorit
Prokuroria e Tiranës vendosi të delegojë në polici për zbulim autori dosjen penale në lidhje me vrasjen e laborantes dentare, Eleni Basho. Ajo u qëllua me tre plumba pistolete pranë banesës së saj në Shkozë javën e kaluar, ndërsa ngjarja ka mbetur pa autor. Disa ditë pas ngjarjes së rëndë ku gjeti vdekjen 36-vjeçarja, nga provat dhe dëshmitë e grumbulluara Prokuroria ka vlerësuar se nuk ka elemente për identifikimin e autorit të ngjarjes. Për rrjedhojë, dosja është deleguar në polici për plotësim me provat e nevojshme në lidhje me identifikimin e autorit të ngjarjes. Pistat hetimore që mbështet policia në lidhje me ngjarjen, kanë të bëjnë me një grabitje të mundshme apo me një vrasje për motive të dobëta, e cila lidhet me tradhtinë apo xhelozinë. Më 2 shkurt, në orën 19.35, Eleni Basho po kthehej në banesën e saj në Shkozë, kur është qëlluar tri herë me armë nga pas. Tre plumbat depërtuan trupin e gruas, duke e lënë atë të vdekur në vend. Në vendin e ngjarjes, policia gjeti çantën e paprekur me rreth 2 mijë euro brenda saj, ndërkohë që menjëherë nisën hetimet në lidhje me ngjarjen. Viktima rezultonte si laborante në një klinikë private të sajën, ndërsa pak kohë më parë kishte shitur aksionet e saj në kompaninë “Nova Dental Albania” me vlerë 70 mijë euro. Sipas Prokurorisë, pista e vrasjes për shkak të biznesit u hetua dhe rezultoi se personat me të cilët kishte të bënte Eleni Basho në biznes nuk kishin mosmarrëveshje, pasi detyrimet financiare ishin pranuar nga të dyja palët. Nga marrja në pyetje e bashkëshortit të viktimës, shtetasit Ilia Basho, policia nuk arriti të siguronte asnjë informacion apo provë që t’i shkonte në ndihmë hetimit të ngjarjes. Po kështu koleget e Eleni Bashos apo edhe ortaku në biznes nuk dhanë ndonjë ndihmë për hetimin e ngjarjes. Sipas grupit të hetimit, në dosje janë administruar disa dëshmi, sipas të cilave 36-vjeçarja ka pasur kontradikta me të shoqin, por që gjithçka ka mbetur në këtë stad për shkak të mungesës së provave.                         tr.so

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura