Eksplozivi në makinën e policit, dyshohen kundërvajtësit e gjobitur

Jun 19, 2012 | 13:58
Makina e policit Edvin Zhupa, pas shpërthimit

TIRANE – Eksplozivi i vendosur dy ditë më parë në automjetin privat të policit të Komisariatit Nr. 2, Edvin Zhupa, dyshohet se është hakmarrje e ndonjë kundërvajtësi, të cilit efektivi i Policisë i ka vendosur gjobë apo i ka bllokuar dokumentet e makinës. Pas shpërthimit, Policia e Tiranës sekuestroi në vendin e ngjarjes, pranë rajonit të policisë te “21 Dhjetori”, dhjetëra dokumente automjetesh me emra të ndryshëm, që ndodheshin në makinën tip “Fiat” të Zhupës. Thuajse të gjithë ata persona që kishin emrat në letrat e sekuestruara nga policia, të cilat pas shpërthimit në makinë ishin shpërndarë në asfalt e trotuar, janë shoqëruar dhe marrë në pyetje nga grupi hetimor. Por, sipas burimeve, duke qenë se janë disa persona “të pakënaqur” nga veprime të cilat ata i quajnë abuzive dhe që Edvin Zhupa ka kryer ndaj tyre, ende nuk mund të vihet gishti te ndonjë person konkret, megjithëse të gjithë shihen si të dyshuar. Tashmë pista e vetme që po hetohet nga policia në lidhje me shpërthimin e ndodhur në makinën me targa gjermane të Edvin Zhupës, lidhet me detyrën e tij si punonjës i Patrullës së Përgjithshme. Personat e shoqëruar menjëherë pas ngjarjes, në cilësinë e të dyshuarve, kanë pranuar se e njohin efektivin 36-vjeçar. Madje ata edhe e kanë akuzuar për veprime arbitrare, disa prej tyre duke u shprehur se ai u kishte bllokuar dokumentet e mjeteve prej 2-3 javësh. Kjo konfirmohet edhe nga letrat e shumta që ndodheshin në makinën që u hodh në erë nga eksplozivi. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë thanë se një veprim i tillë është abuziv nëse kryhet nga efektivat e Patrullës së Përgjithshme. Sipas ligjit dhe rregullave, askush përveç punonjësit të Policisë Rrugore nuk ka të drejtë të bllokojë dokumentet e makinës, aq më tepër të mos deklarojë që i ka bllokuar. Edhe pse Patrulla e Përgjithshme ka deri diku atributet e Policisë Rrugore, asnjë efektiv i Patrullës nuk është i autorizuar që të bllokojë dokumentacionin pa thirrur dhe pa u konsultuar me një efektiv Qarkullimi. Nëse konstaton kundërvajtje, punonjësi i Patrullës duhet ta raportojë rastin te Policia Rrugore. Sipas burimeve, kjo është shkelja që i ka kushtuar efektivit Edvin Zhupa jo vetëm hedhjen në erë të automjetit të tij privat, por edhe nisjen e ecurisë disiplinore nga ana e Komisionit të Disiplinës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Rrugore.

Reagon polici: S‘kam asnjë konflikt
Oficeri i policisë Edvin Zhupa në makinën e të cilit u vendos eksploziv mëngjesin e të dielës, ka deklaruar se ka pasur në mjetin e tij vetëm raporte shërbimi dhe jo dokumente makinash të bllokuara. Ai ka deklaruar se nuk ka patur anjë konflikt personal apo familjarë me askënd edhe pse ka 14 vite punë në strukturat e policisë. “Nuk ka pasur asnjë konflikt personal apo familjarë më asnjë njeri. Në makinë kam pasur vetëm raportet e shërbimit, për punën e kryer dhe ngjarjet  e mbuluara, dhe asnjë dokument tjetër të ndonjë mjeti të sekuestruar”.

© Panorama.al

Te lidhura