EMISIONI VETTING
Pyetja e rëndësishme që ngrihet është: Sa janë të ardhurat që mund të sigurohen në këtë drejtim nga qeveria shqiptare dhe agjencitë e administrimit kolektiv?
Sipas ekspertes së të drejtës së autorit, Mirlinda Çollaku, nëse do të zbatohej ligji, do të kishim shumë të ardhura për agjencitë dhe për artistët.
“Në një studim modest që unë kam bërë në bashkëpunim me Komisionin Europian para disa viteve, ku na është kërkuar të bëjmë një vlerësim se sa është potencialisht ky tregu i agjencive dhe administrimit kolektiv, rezultati ka qenë një shifër e përllogaritur midis 30 -50 milionë euro. Ky studim ka qenë vetëm për tregun e muzikës dhe të filmit, të ardhura këto që do të duhet të grumbulloheshin nëpërmjet mekanizmave të administrimit kolektiv dhe t’i shkonin në fundore, artistëve, autorëve dhe krijuesve në këtë vend” tha ekspertja Çollaku.
Ka një listë subjektesh që duhet të paguajnë të ardhura për të drejtat e autorit, të cilat do ti jepnin një perspektivë tjetër krijimtarisë artistike.
“Sipas INSTAT-it, sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe sipas Tatimeve, përllogaritet që subjektet përdoruese që e kanë detyrim, bazuar në këtë ligj, që konsiderohen subjekte përdoruese të drejtës së autorit, janë diku te 30 mijë. Këtu hyjnë radiot, televizionet, që janë kryesoret, bare, restorante, hotele, klube dhe çdo subjekt tjetër tregtar, i cili e përdor në sfond në një mënyrë apo në një tjetër, muzikën apo veprat e përdorura nga e drejta e autorit”, u shpreh avokatja Mirlinda Çollaku.
Sipas informacioneve të siguruara nga “Vetting”, nga këto 30 mijë janë rreth 100 subjekte që e paguajnë në vit këtë detyrim, pra një shifër relativisht e ulët. Kjo ndodh për shumë arsye, por peshën kryesore e ka Ministria e Kulturës, Drejtoria e së Drejtës së Autorit, e cila ka inspektorë të cilët kryejnë monitorimin në terren. Mesa duket institucionet shqiptare nuk e kanë marrë seriozisht këtë ligj për ta zbatuar pasi Drejtoria e së Drejtës së Autorit me 10 inspektorë raporton se inspekton diku te rreth 300 subjekte në vit, që sipas llogarive i bie tre inspektime në muaj.
“Në një ditë, në tetë orë punë, një inspektor minimalisht mund të bëjë tetë inspektime të tilla. Po si justifikohet që një inspektor bën tre të tilla në muaj? Si justifikohet pagesa e këtij inspektorati të tërë në Ministrinë e Ekonomisë, ku praktikisht ata njerëz rezulton, qëndrojnë nëpër zyra dhe nuk bëjnë asnjë punë. Produkti është që masivisht ky ligj nuk po zbatohet në territor. Produkti është që, autorët dhe artistët janë ndër më të varfërit në Evropë, përfitojnë jashtëzakonisht shumë pak pagesa për shkak se këtu të ardhurat nuk mblidhen dhe sepse pse ky ligji i pazbatueshëm, këtu sigurisht përgjegjësinë e kanë institucionet shtetërore që kanë për detyrë ta monitorojnë këtë treg, të cilët nuk e bëjnë”, tha ekspertja Çollaku.
Gjetjet nga ekspertja dhe analizat e “Vetting” konfirmohen edhe nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, që thekson se Drejtoria e së Drejtës së Autorit është një institucion me mangësitë të theksuara. Auditimi ka zbuluar boshllëqe në strukturë, mungesë të protokolleve të standardizuara për inspektimet dhe monitorimet, si dhe mungesë të dokumenteve të rëndësishme strategjike.
Në komunikimin që gazetari i “Vetting” pati me drejtorin e përgjithshëm të Albautor, konkretisht Zotin Erion Muka, ky i fundit kishte rezerva për punën e institucioneve shtetërore.
“Unë jam në dijeni që ne jemi vendi me pagesat më të ulëta në rajon, për shpërblimin e të drejtës autorit. Dhe kur them më të ulta, shumë herë, dhjetëra herë më të ulëta se sa Mali i Zi, Serbia apo Maqedonia apo Rajoni, tani apo Kroacia. Problematikat kryesore janë, paguesit më të mëdhenj të drejtës së autorit janë televizionet, të cilët nuk paguajnë apo paguajnë vlera qesharake, që janë totalisht të papërfillshme. Por, përveç kësaj ka një problem që nuk funksionon një zinxhir institucionesh, për të cilat ne i kemi, pyetja juaj pse s’i denonconi? Patjetër, janë denoncuar prej vitesh. Dhe unë sapo kam ardhur, kam bërë dhe unë denoncimet e mia që janë një, AMA në momentin kur në ligjin e vet organik, që secili subjekt, i cili do të licensohet për transmetim, si transmetues apo si ritransmetues apo dhe të rilicensohet, duhet që të ketë, duhet të ketë patjetër autorizimin për përdorimin e veprave të mbrojtura”, tha për “Vetting” Drejtori Muka.
Dështimi me strategjinë 2022-2025 për të Drejtën e autorit
Në maj 2022, do të miratohej Vendimi i Këshillit të Ministrave për Strategjinë Kombëtare të Pronësisë Intelektuale, e cila sipas auditit do të miratohej me shumë vonesë dhe do të linte përsëri në rrëmujë kompetencat ligjore midis institucioneve.
Vetë strategjia e miratuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë zbulon se Shqipëria duhet të përshtasi ligjin për të drejtën e autorit me tri direktivat e Bashkimit Europian. E para është direktiva “Për përdorime të caktuara të lejuara të veprave pa autor”, e dyta direktiva “Mbi disa përdorime të lejuara të veprave të caktuara dhe fusha të tjera të mbrojtura nga e drejta e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to në përfitim të personave të cilët me aftësi të kufizuara në leximin e materialeve të printuara” dhe e treta “Amendimi i Direktivës mbi afatin e mbrojtjes të të drejtave të autorit dhe disa të drejtave të lidhura me to”.
Nga gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulohet se strategjia ka patur mangësi që në krijimin e saj, duke ruajtur mbivendosjen e kompetencave ligjore, të cilat ruajnë gjendjen e kaosit në këtë sektor.
Auditi konstaton se Ministria e Kulturës nuk ka ngritur Bordin e Arbitrazhit, i cili sipas ligjit duhet krijuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet aktorëve të së drejtës së autorit. Drejtoria e të Drejtës së Autorit (DDA) justifikon mosveprimin duke deklaruar se kriteret ligjore e bëjnë këtë organ të pazbatueshëm, pasi ligji kërkon 20 arbitra me mbi 10 vite eksperiencë, por KLSH-ja e klasifikon rekomandimin si të pranuar, por të pazbatuar.
Raporti evidenton një krizë funksionale mes institucioneve të mandatuara me kontrollin dhe mbrojtjen e së drejtës së autorit.
© Panorama.al












