Ekspertiza, avokati Dino Leli u plagos me plumb në kokë

Aug 9, 2011 | 11:10
Avokati Dino Leli

Ish-avokati i Nehat Kullës, Dino Leli, i cili u plagos dy javë më parë në Tiranë, është qëlluar me plumb në kokë, me qëllim për t’u vrarë, por një mrekulli e ka shpëtuar nga vdekja.Plumbi i pistoletës me kalibër të vogël tip “Miniblow”, që sipas ekspertëve kriminalistë nuk ka pasur mjaftueshëm barut, ka bërë rikoshetë në kockën e kokës së tij, në pjesën e pasme të veshit, fenomen që ndodh në raste mjaft të rralla. Por ky fenomen i ka shpëtuar jetën avokatit 61-vjeçar, pasi plumbi e ka goditur në vesh, duke mos i rrezikuar jetën. Gruaja 53-vjeçare, e arrestuar për plagosjen e Dino Lelit, e ripyetur nga prokuroria, ka shpjeguar të gjithë skemën e ngjarjes, madje ka pohuar se ajo i ka vendosur pistoletën pas koke dhe e ka shkrepur. Fatime Fregja është shprehur gjithashtu se është larguar nga vendi i ngjarjes, vetëm pasi avokati Leli është rrëzuar i gjakosur në tokë. E arrestuara, që pritet të njihet sot me masën e sigurisë në gjykatë, e ka justifikuar veprimin e saj me faktin se nuk donte që t’i ngatërronte djemtë e saj me këtë histori. Ajo ka ngulur këmbë vazhdimisht se avokati e ka ngacmuar, në kohën kur po bisedonin për paratë që ai kërkonte për mbrojtjen e djalit të saj. Në këtë moment, ajo shprehet se është ndier e fyer dhe i ka lënë takim avokatit për të nesërmen, datë 26 gusht në mbrëmje, kur ka marrë edhe pistoletën që mbante në shtëpi pa leje.
DESHMIA
Pas rezultatit përfundimtar të mjekësisë ligjore, në një raport që iu bashkëngjit dosjes hetimore për plagosjen e avokatit Dino Leli, prokuroria ka rimarrë në pyetje 53-vjeçaren Fatime Fregja, e arrestuar si autore e ngjarjes. Mjekët ligjorë kanë konstatuar një plagë plumbi në kokë, që kishte goditur kockën anësore në pjesën e pasme të veshit e më pas plumbi ishte devijuar në vesh. Ky rezultat shpjegon faktin se arma e zjarrit është drejtuar në kokë, me qëllim vrasjen e avokatit, i cili fatmirësisht ka shpëtuar vetëm me një plagë në vesh. Për këtë arsye e arrestuara është pyetur sërish për të shpjeguar motivet e krimit. “E kam takuar avokatin Dino Leli për të bërë një pazar me të se sa para mund të kërkonte për mbrojtjen e tim biri. Më ka ftuar të hipja në makinën e tij dhe kam hipur. Fillimisht më tha se për këtë rast kërkonte 200 mijë lekë të vjetra. Por, në këtë moment ka zgjatur dorën drejt meje dhe është shprehur se mund të paguaja edhe më pak në rast se… E shmanga disi dhe i thashë se do ta takoja të nesërmen, në orën dhe vendin ku edhe e plagosa, pranë shkollës “1 Maji”. Nuk doja që këtë incident, për të cilin unë ndihesha mjaft e fyer, të viheshin në dijeni edhe dy djemtë e mi. Ndaj vendosa që ta zgjidhja vetë këtë problem me avokatin. Të nesërmen kam marrë në shtëpi pistoletën dhe shkova ta takoj në vendin ku e kishim lënë. Aty më pas e kam qëlluar”. Kjo ka qenë një pjesë e dëshmisë që ka dhënë në prokurori Fatime Fregja.

AVOKATI

I pyetur në linjë telefonike, një ditë pas ngjarjes, por edhe pas arrestimit të 53-vjeçares për plagosjen e tij, avokati Dino Leli ka mohuar njohjen me të arrestuarën. Pas plagosjes, ai është shprehur se të shtënat e armës më datë 26 korrik nuk kanë pasur lidhje me të dhe plagët ai i ka pësuar kur është përplasur në tokë. Ndërsa, pas arrestimit të së dyshuarës, ai u shpreh se gruan e arrestuar nuk e njeh dhe nuk ka dhënë sqarime të tjera rreth ngjarjes.

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura