Emri i Ardian Ismajlit vazhdon të qarkullojë në shumë prej klubeve të njohura italiane, të cilat janë të gatshme të firmosin me mbrojtësin shqiptar i cili po shkëlqen te Empoli. Një prej tyre është edhe Napoli, pasi Antonio Konte kërkon një përforcim cilësor në prapavijë dhe sheh shqiptarin si një futbollist që plotëson kërkesat e tij.
Gazetari ekspert i merkatos, Gerardo Fasano, ka zbuluar prapaskenat në lidhje me idenë që ka Napoli për mbrojtësin.
“Vijnë zëra gjithnjë e më të fortë për Ardian Ismajlin. Napoli po sheh në mënyrë konkrete nga futbollisti që tani është te Empoli. Problemi tani është që të gjejë një mënyrë të bindë klubin toskan që të heqë dorë nga pronësia e kartonit të futbollistit. Nuk do të jetë e thjeshtë, pasi ai është një element i paprekshëm për klubin e tij.
Napoli mund t’i propozojë Empolit një shkëmbim me kalimin e Zhuan Zhezus te Empoli dhe transferimin e Ismajlit te Napoli. Përveç kësaj, Antonio Konte i ka bërë të qartë qendërmbrojtësit brazilian që të kërkojë një ekip tjetër. Në qershor, nëse Napoli do të jetë në Ligën e Kampioneve, klubi do të blejë një emër të madh në prapavijë”, tha gazetari në një intervistë radiofonike.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al