EKSKLUZIVE/ Sherri dhe sjellja e tifozëve në derbi i kushtojnë miliona, ja fatura që duhet të paguajë Tirana

Dec 6, 2023 | 8:35
SHPËRNDAJE

Derbi është “makineria” e parave për Tiranën dhe Partizanin, por edhe ndeshja ku skuadrat e kryeqytetit pësojnë më shumë dëme nga sjelljet e tifozëve. Pas derbit të fundit mes Tiranës dhe Partizanit, përfshirë edhe sfidën e parë me të kuqtë, “Panorama Sport” mëson se bardheblutë duhet të paguajnë një faturë prej rreth 63200 eurosh dëme që kanë bërë tifozët në “Air Albania”.

tirana partizani

Dhe në këtë shumë nuk janë përfshirë dëmet e Partizanit, por vetëm të Tiranës. Në derbin e parë dëmi ka qenë 28700 euro, ndërsa në derbin e së dielës, shuma ka shkuar në 34500 euro, të gjitha këto për dëme në stadium që përfshijnë karrige dhe sende të tjera në impiantin “Air Albania”.

Shkurt, vetëm në dy takime, pa llogaritur sfidat e tjera, Tirana duhet të paguajë 70 milionë lekë të vjetër për dëmet në derbi. Dhe nuk mbyllet këtu, pasi janë edhe dy sfida për t’u zhvilluar plus ndeshjet e tjera të kampionatit.

E KALUARA

Tifozëria është forca më e madhe e Tiranës, por nga shtatori i 2021-shit deri fillim të sezonit 2023-2024 përkrahësit kanë qenë problemi më i madh i Tiranës.

Edhe pse përkrahësit e Tiranës dukshëm në kryeqytet janë tifozëria numër 1, dy vitet e fundit, përveçse e kanë mbështetur, me sjelljen e tyre e kanë dënuar shumë skuadrën 26 herë kampione të Shqipërisë.

Dhe dëmi nuk është i paktë. Sjellja e tyre në stadium i ka kushtuar klubit mbi 200 milionë lekë të vjetër, që Tirana ka marrë në formën e gjobave apo riparimit të dëmeve, 20,086,130.90 lekë për sjelljen e tifozëve. Dëmet janë nga më të ndryshmet dhe në sasi të madhe.

Fakt është se këto para që janë paguar për shlyerjen e dëmeve të tifozëve, klubi mund t’i kishte përdorur për skuadrën, duke investuar në lojtarë të mirë ose duke paguar detyrimet. Tifozët duhet të kuptojnë se sjellja e tyre dëmton klubin dhe drejtuesit e skuadrës nga ana tjetër duhet të bëjnë të pamundurën që ngjarje të tilla të mos përsëriten.

DËNIMI I FSHF-së

Tirana ka grumbulluar 20,086,130.90 lekë dëme si gjoba nga FSHF-ja, pagesa për stolat dhe dëmet në stadium dhe ndëshkimet nga UEFA për sjelljen e tifozëve.

Fatura e Komisionit të Disiplinës nga shtatori 2021 deri maj 2023 është 2,900,000 lekë. Dëmet për stolat janë 6,450,000 lekë, ku llogaritja për çdo derbi është mesatarisht 5 milionë lekë. Në total nga FSHF-ja ndëshkimi është 9,350,000 lekë.

UEFA Tirana për sjelljen e tifozëve është ndëshkuar jashtëzakonisht shumë edhe nga UEFA. Për paraqitjet e vjetshme dhe sivjetshme të tifozëve, Tirana duhet të paguajë një dëm prej 10,736,130.90 lekësh.

Klubi ka paguar nga rrahja e tifozëve në Dudelanzh e deri te sfida e fundit me Beshiktashin, ku ndëshkimi ka qenë 53 mijë euro. Një 100 milionë lekë gjobë që janë jo pak për bardheblutë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura