EKSKLUZIVE/ “Partizani favorit në derbi”, ish-sulmuesi Bejzade: Ja kush është “çelësi” i të kuqve

Dec 2, 2023 | 9:14
SHPËRNDAJE

Partizani luan nesër në 19:00 derbin e radhës ndaj Tiranës, një ndeshje, që pavarësisht çdo gjëje, mbetet më e madhja e futbollit shqiptar. “Demat” vijnë pas një ecurie shumë të mirë, me vetëm një humbje në këtë sezon, ndërsa bardheblutë kanë pasur probleme dhe kjo u duk edhe në humbjen ndaj Erzenit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-bomberi i kuq, Skerdi Bejzade, i ka bërë një analizë të hollësishme derbit të së dielës dhe dy ekipeve të kryeqytetit.

bejzade

Partizani fitoi titullin vjet dhe po bën mirë edhe në këtë sezon. Mendoni se mund të krijojnë një cikël fitues?

Edhe mund ta bëjë, por nuk më pëlqejnë këto ndryshimet e shumta pas çdo sezoni, kur largojnë 10 veta dhe marrin 10 të tjerë. Mund të dalësh kampion, por nuk e krijon dot stabilitetin dhe kjo edhe është dukur. Nuk e kanë pasur stabilitetin, që duhej të kishte një ekip kampion. Kur dolën kampion, patën shumë ndryshme. Ikin lojtarë, ndërrohet trajneri dhe sa të stabilizohen të gjitha hallkat, është e vështirë. Ekipet shqiptare e kanë si sëmundje këtë. Strategjia duhet të jetë më e qëndrueshme, jo vetëm për Partizanin, por për të gjitha. Nuk e kam vetëm me Partizanin në këtë rast.

Kush është ekipi favorit në derbin e së dielës?

Gjithmonë, në asnjë derbi nuk ka favoritë. Edhe nëse skuadrat do të ishin njëra në fund e tjetra në krye, derbi asnjëherë nuk është i lehtë. Por duke u bazuar nga stabiliteti dhe ecuria që ka pasur, më favorit është Partizani. Është një ndeshje që duhet vlerësuar dhe duhet fituar nga ana e Partizanit, sepse atë ndeshje tifozët e duan më së shumti. Nuk i intereson shumë sesi po ecën po nuk fitove derbin. Këtë element e kanë njësoj edhe në anën e Tiranës, padiskutim. E tregon vetë fakti që mbushet stadiumi dhe bëhet një ndeshje e bukur. Tradita vazhdon.

Po dëmtimet, si ndikojnë te Partizani?

Ky është një problem, sepse kanë pasur shumë mungesa prej lëndimeve. Kur ka shumë dëmtime, mendoj se duhet parë mirë fusha ku stërvitet skuadra. Ata stërviten me bar artificial dhe kjo krijon probleme. Partizani duhet t’i krijojë vetes kushtet që të stërvitet në fushë me bar natyral të paktën 2-3 herë në javë. Mendoj se pjesa më e madhe e dëmtimeve prandaj vijnë. Nuk mendoj se ka lidhje me përgatitjen fizike apo gjëra të tilla. Nuk di të them çfarë cilësie është fusha, sepse nuk jam ekspert i cilësisë së tapetit. Duket mirë, por aq mirë sa duhet nuk mendoj se është.

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura