TANUSH MULLETI/ “Ju tregoj për masakrën e 2 prillit 1991 në Shkodër, ku mbetën të vrarë katër persona dhe u plagëson shumë të tjerë…”/ Dëshmia e rrallë e dëshmitarit dhe protagonistit të asaj ngjarje (Refleksione)
“SI E PASHË, SI E DËGJOVA, SI E PREKA DHE SI E PËRJETOVA”
2 prilli i vitit 1991 ka hyrë në historinë e Shqipërisë, e pranuar sot nga të gjithë krahët politikë si një vrasje makabër, ku u vranë 4 djem të rinj dhe u plagosën mbi 97 vetë, disa prej të cilëve mbetën invalidë të gjithë jetën, të gjithë të rinj e të reja.
Përshkrimi:
Shkaku për të shkruar këto refleksione është se po dëgjojmë dhe lexojmë të deformuar me dashje ose pa dashje historinë e ngjarjes së 2 prillit ’91. Për këto shënime, nuk më shtyn as urrejtja, as hakmarrja, as ambicia, as interesi, por vetëm ndërgjegjja për të vërtetën.
Më 31 mars të vitit 1991, u zhvilluan zgjedhjet e para pluraliste mbas vitit 1945, që u lejuan dhe u pranuan të bëhen nga Partia e Punës e Shqipërisë (ish-Partia Komuniste), në pushtet. Nën presionin e lëvizjes antikomuniste të 14 janarit të zhvilluar në Shkodër për heqjen e bustit të Stalinit, protestat e Kavajës, lëvizja studentore dhe pranimi i pluralizmit politik dhe më vonë me demonstratën e 13 dhjetorit 1990, për heqjen e bustit të Enver Hoxhës në Shkodër, etj.
Me gjithë kohën e shkurtër për përgatitjen e zgjedhjeve, në Shkodër ishte forcuar besimi se humbja e komunizmit ishte e padiskutueshme. Mëngjesi i 1 prillit më gjeti me Besnik Komin, bashkanëtar në Komisionin e Votimeve në rrethin e Shkodrës, ku u informuam se rezultati ishte humbja e plotë e Partisë së Punës, ku kishte marrë vetëm 3 deputetë, ndërsa Partia Demokratike kishte fituar plot 16 deputetë. Kjo tregonte se rrethi i Shkodrës ishte absolutisht i djathtë. Rastësisht degjuam se korrespondenti i RAI-t nga Tirana, kishte raportuar në 7 të mëngjesit se Partia e Punës kishte fituar 62% të votave. Për opinionin masiv të Shkodrës kjo ishte e pabesueshme. RAI e përsëriti disa herë në lajmet e tij. Kjo bëri, që një pjesë e popullit të grumbullohej para Selisë së PD-së, ishMuzeu Ateist, duke kërkuar informacion më të saktë për rezultatin e zgjedhjeve.
Në katin e dytë doli një aktivist i PD-së, Eduart Përjaku, ndërkohë njerëzit e mbledhur kërkonin me insistim drejtuesit e PD-së. Mbas pak kohësh pritje, erdhi sekretari i PD-së, Xhemal Uruçi, por edhe ky nuk e pranua. Pas një ore në dritaren e katit të dytë, doli Azem Hajdari, i cili kishte dalë deputet fitues në Shkodër dhe natën e zgjedhjeve kishte fjetur në Shkodër. Ai sqaaroi masën e njerëzve të mbledhur se PPSh kishte fituar shumicën në këto zgjedhje, ndërsa PD-ja ishte fituese në qytetet kryesore dhe se ky rezultat ishtë pranuar, si vullnet i popullit.
Publiku filloi të dyshojë: kur i numëruan kaq shpejt votat, kur dihej infrastruktura e prapambetur dhe vështirësit e komunikimit në atë kohë. Atëherë filluan kundërshtitë prej shumë të pranishëmve të cilët debatuan dhe iu kundërvunë, Azem Hajdarit, me shprehjet:
“A e di çdo të thotë fitore e komunistëve? Do të fillojnë arrestimet siç bënë me pjesëmarrësit në demonstratat e 14 janarit dhe 13 dhjetorit 1990”.
Nga deklaratat e Azem Hajdarii, i cili fliste nga kati i dytë, pa mikrofon, njerëzit e grumbullur nuk u bindën dhe u larguan të pakënaqur, një ndjenjë të thellë dyshimi. Pesëdhjetë metra më larg selisë së PD, në qendër të qytetit pikërisht në vendin ku kishte qenë busti i Stalinit turma u ndesh me Dedë Kasnecin (një ndër nismëtarët dhe protagonistët kryesorë për heqjen e bustit të diktatorit sovjetik, gjë për të cilën ishte dënuar nga Gjykata me dymbëdhjetë vite burg) dhe që pak ditë më parë kishte dalë nga burgu.
Atëherë turma u mblodh përreth Dedës disa prej të cilëve e kapën dhe po e hidhnin përpjetë, duke hedhur parulla kundër komunizmit duke brohoritur “Rroftë Deda! Poshtë Komunizmi, Enver Hitler! Liri Demokraci!”. Turma u shtua dhe po shumëfishohej dhe u nis në drejtim të Komitetit të Partisë. Nga ora njëmbëdhjetë deri në orën njëzetë e tre të dates 1 prill, populli kishte dalë në shesh dhe nuk lëvizte nga sheshi duke ndenjur ulur, në sheshin para Komitetit të Partisë së Rrethit.
Në orën njëzetë e tre, sëbashku me bashkëshorten, kam qenë tek pragu i derës së sallës së mbledhjeve të Komitetit të Partisë, ku Eduard Përjaku, përfaqësues i Partisë Demokratike si dhe Shefi i Policisë bënë thirrje, që të mbyllej protesta për atë natë dhe të mblidheshin përsëri të nesërmen. Dalngadalë njerëzit u shpërndanë. Data 2 Prill më gjeti në punë. Sa filluam punë rreth orës 8:00, u dëgjuan bataret e armëve. Atëherë ne lamë punën, gjithësecili nxitoi për të shkuar te shkollat e fëmijëve për t’ju gjendur pranë duke e marrë me mend se situate mund të përkeqësohej.
E vërteta ishte se gjimnazistët e “Jordan Misjes”, u kishin bërë thirrje gjimnazistëve të “29 Nëntorit”, (sot Gjimnazi “28 Nëntori”) të dalin në protestë. Policia kishte marrë urdhër të sulmonte që në fillim grumbullimet. Pasi u mblodhën shumë protestues, Policia u përgjigj me shkopinj gome, e më vonë me armë. Kështu filloi përplasja. U vranë katër vetë dhe u plagosën shumë të tjerë. Policisë i erdhën shumë përforcime, prandaj arriti të zmbrapste turmën dy-tri herë. (Ndërkohë që një ditë më përpara, Policia ishte sjellë në mënyrë paqësore me protestuesit dhe nuk kishte patur asnjë incident ndërmjet forcave të policies dhe pretestuesve). Policia solli një blind me municione, i cili u prish në rrugë para kafesë “Rinia” në lagjen “Parrucë”. Disa arka me fishekë u shpërndanë në xhade.
Papritur u përhap lajmi se Komiteti Qendror kishte rënë, Ramiz Alia ishte arrestuar dhe Xhelil Gjoni ishte vënë në krye KQ të PPSh-së. Meqenëse Xhelil Gjoni konsiderohej si i klanit të Hysni Kapos, populli u irritua më tepër. Mesa duket njerëzit e pranishëm kishin më shumë besim tek Ramiz Alia. Te libri “Kujtime Saga e Traboinëve” të Kolec Traboinit, faqe 294, ai shkruan: Unë shkova të bisedoj me shefin e Policisë të Komitetit të Partisë dhe i thashë: “Çfarë bën? Ka rënë Komiteti Qendror dhe ti do të vritesh kot?”. Atëherë populli hyri në Komitet të Partisë. Policia, me udhër e braktisi objektin dhe u shpërnda pasi edhe municionet i kishin mbaruar. (Biseda e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme, Çapajev Taçi me Xh. Çela, faqe 87).
Komiteti i Partisë u dogj. Pas Komitetit të Partisë, populli tentoi t’i drejtohej Bibliotekës së qytetit. Biblioteka e qytetit të Shkodrës ka një fond të pasur, të trashëguar, librash me vlera të mëdha artistike dhe historike, prandaj intelektualët shkodranë i bënë thirrje popullit të mbledhur para Komitetit të Partisë, që biblioteka as të mos prekej. Drejtori i Bibliotekës Skënder Beci, iu drejtua njerëzve duke u thënë: “Ua nxjerr unë librat e Enver Hoxhës, që janë në bibliotekë”. Nxorri nga biblioteka dy – tre karroca me veprat e Enver Hoxhës dhe gjendja u qetësua. Atëherë populli i mbledhur aty u drejtua nga “Radio Shkodra”.
Rrugës kam parë dy karroca romësh, që kishin vjedhur orendi të Komitetit të Partisë, si kolltuqe të vjetër, perde, etj. Populli i ndali në Parrucë, i ktheu mbrapa dhe këto sende të vjedhura u hodhën dhe u dogjën në zjarrin e ndezur para sheshit të Komitetit të Partisë. Duke shkuar drejt Radio Shkodrës, aty ku sot është monumenti i 2 Prillit, takuam Kryetarin e Sindikatës së Shkodrës, Ferdinand Temali, një djalë trim, kurajoz edhe inteligjent. Të gjithë ishim të mendimit që “Radio Shkodra” duhet të ruhej e paprekur. Ai na kërkoi që të shkojmë, të flasim përpara “Radio Shkodrës”, në emër të Sindikatës.
Bashkë me Besnik Komin, shkuam te “Radio Shkodra”. Ndërkohë edhe populli ishte grumbulluar pranë “Radio Shkodrës”, duke vazhduar protestën me thirrjet kundër komunizmit. Te dera ishte një polic i dobët, në prag të pensionit, i cili po ruante më kot derën nga brenda se s’kishte çfarë të bënte. Aty pashë Baç Bilalin, me një flamur pa yll e me qeleshe në kokë, që e valëviste. Fola para protestuesve në emër të Bashkimit të Sindikatave të Shkodrës dhe nuk lejuam njeri të dëmtonte “Radio Shkodrën”.
Aty ishin dhe nja 7-8 ushtarë 19-vjeçarë që i kishin veshur me rrobe blu doku si polic, të shkretët po dridheshin nga frika. I qetësuam dhe i morëm në mbrotje. Morëm takim me drejtorin e “Radio Shkodrës”, Gëzim Podgoricën dhe biseduam te tryeza e kryeredaktorit, që të nxjerrim një mikrofon dhe t’i flasim popullit. Për këtë na ndihmoi një teknik, Gajtani. Me copa telash që i lidhëm dhe nxorëm mikrofonin stativ te ballkoni (konsola e hyrjes në radio) dhe filluam t’i flisnim popullit.
Armët nuk dëgjoheshin më. Gjatë kësaj kohe njerëzit donin të shkonin tek Dega e Brendshme për të liruar të burgosurit politikë të arrestuar për ngjarjet e kaluara. Mbas orës njëmbëdhjetë e gjysmë, u dëgjua një krismë arme.
Unë kërkova, të bisedoj me kryetarin e Degës, në telefon. Një punonjës operativ, i veshur civil, më afroi radiomarrëse dore dhe bisedova direkt me te. E këshillova: “Duhet të kesh shumë kujdes se gjakrat janë nxehur dhe po të vij populli tek Dega e Brendshme, do të shkojnë punët shumë keq”. Ai tha se: “Është një pensionist, një veteran i vjetër që ka gjuajur dhe u mbyll ajo punë”. Kemi folur direkt me zv/kryeministrin në atë kohë, Shkëlqim Cani, të cilit personalisht i shpjegova situatën dhe i kërkova që të jenë shumë të kujdesshëm, nuk duhej të bëhej asnjë arrestim, sepse ky veprim mund të sillte pasoja tragjike.
Ai më premtoi se nuk do të përsëritej 13 Dhjetori 1990 apo, 14 Janari 1991, etj., kur ishin bërë arrestime të pjesëmarrësve ne befasi dhe natën.
Rreth orës 12, erdhi urgjent nga Tirana Azem Hajdari sëbashku me Blerim Çelën, të cilët tanimë ishin edhe deputetët e Shkodrës. Biseduam me ta dhe u kërkuam që t’i flisnin popullit, me qëllim që qyteti të ruhej dhe të mos kishte vjedhje e shkatërrime në Shkodër as gjatë natës. Besnik Komi, iu drejtua: “I dilni zot popullit të Shkodrës se tani jeni deputet e tij”.
Azemi iu përgjigj: “Ne e duam pushtetin me votë”, Blerimi ndërhyri: “Këtu, nuk ka as tre ditë bukë”! Atëherë ne u thamë: “I flisni popullit”. Azemi doli te ballkoni nëpërmjet një dritareje, për t’i folur popullit te mikrofoni statik. Gjatë fjalimit, kishte moskuptim me njerëzit që ishin mbledhur aty, mbi mundësinë e arrestimit të protestuesve, lirimin e të burgosurve në Degën e Brendshme dhe shkatërrimet që mund të ndodhnin gjatë natës në qytet. Azemi, mbeti keq. Kur hyri brenda tek zyra e kryeredaktorit, i ra të fikët. Besniku mori një broke ujë, ia lagu fytyrën dhe ai u përmend: “U bë e dyta herë, që nuk po merrem vesh me shkodranët”, tha ai.
“Mor Azem, komunistët janë të pabesë. Të vrasin natën, e të qajnë ditën. Me 14 janar, kanë arrestuar rreth 300-400 vetë, ndërsa me 13 dhjetor kanë arrestuar mbi 100 vetë”, po i fliste Ferid Lluja. “Në këtë situatë, ne nuk kemi më çfarë të bëjmë këtu! Këta janë deputetë dhe duhet t’i dalin për zot popullit”!, u shpreh Besniku. Së bashku me Besnikun edhe Ferid Llujën u larguam nga Radio-Shkodra. Besniku mori me vete edhe shtatë a tetë ushtarë, që po dridheshin prej frike dhe i tha të hiqnin kapelet, xhaketat e rripat edhe i shoqëroi deri tek ish Kulla e Gjon Markagjonit, në rrugicën e Kafes së Madhe. “Tani”, u tha – shkoni në repartin tuaj, në Degën e Brendshme”!
Edhe ne ikëm. Në lajmet e drekës, në Radio-Shkodra u fol për ngjarjet e asaj dite. Lajmet janë dëgjuar vetëm në qytetin e Shkodrës, për arsye se Drejtori i Radios, Gëzim Podgorica, kishte ulur fuqinë e valëve të antenës nga 24 KëA në 1 KëA (Libri, “Nga gjakosja e Shkodrës, Pranverë ’91, te përgjakja e Shqipërisë, Pranverë ’97”, Shaqir Vuka, faqe 83). Kishte filluar pluralizmi politik, pra në këtë rast drejtori ka vepruar në kundërshtim ligjin e informimit publik. Pasdite rreth orës 15:00 të datës 2 prill, erdhën forcat speciale nga Tirana. E rrethuan vendin, morën në kontroll Komitetin e Partisë, i cili tani ishte djegur plotësisht. Sipas një burimi të besueshëm, instruktori të Komitetit të Partisë, forcat speciale kishin ardhur me qëllimin për të marrë armët dhe larguar nga bodrumet e Komitetit të Partisë, më shumë se 200 armë që gjendeshin në një vend shumë të sigurt si refuxho në rast nevoje për kohë lufte. Demonstuesit nuk kanë mundur t’i gjejnë atë ditë këto armë.
Ditën e nesërme me 3 prill u organizua në mënyrë madhështore varrimi i dëshmorëve të demokracisë: Arben Brocit, Bujar Bishanakut dhe Besnik Cekës. Arkivolet u përcollën nga gjithë populli i Shkodrës, në këmbë nga qyteti i Shkodrës deri te varrezat në Stom Golem, rreth 4 km nga qendra e qytetit.
Në varreza folën Pjetër Arbnori dhe ritet fetare u kryen nga Hafiz Sabri Koçi.
Me iniciativën e sindikatave u shpall grevë dhe në orën 20 të datës 3 Prill u fikën gjithë dritat e qytetit 5 minuta në shenjë respekti dhe nderimi për të vrarët dhe të plagusorit e 2 prillit. Më 4 prill, kryesia e sindikatës së rrethit të Shkodrës vendosi krijimin e dy grupeve: a) Ferdinand Temali, kryetar i Sindikatës Shkodër, Tanush Mulleti, Besnik Komi edhe Myfit Tukiçi, do të merrnin takim me Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, Tereza Marubi. b) Grupi i dytë i përbërë nga Arben Borshi, sekretar i Sindikatës së bashku me Frederik Radovanin, do të shkonin në Korpusin Ushtarak për të falenderuar Komandantin e Korpusit, Enver Gaba, që nuk dha urdhër për të nxjerrë tanket kundër protestuesve.
Në pritje me Tereza Marubin ishin edhe nënkryetarët Esma Ulqinaku edhe Lutfi Troshani, gjithashtu aty gjetëm edhe grupin e të drejtave të njeriut me Kryetar, Cin Jubani, N. Grezda edhe të tjerë. Kryetari i Degës, Ferdinand Temali, paraqiti situatën aktuale edhe i kërkoi Kryetares Marubi të prononcohej në Radio e shtyp për këtë masakër, ku u vranë dhe u plagosën qytetarë shkodranë, të gjithë të rinj e të reja. Marubi u përgjigj: “Nuk mund të komandoj Degën e Brendshme dhe Policinë, nuk na dëgjojnë”. Unë iu drejtova: “Do të ishte mirë, që në këtë situate, të dilni edhe të prononcoheni edhe të jepni dorëheqjen”.
Grupi i të Drejtave të Njeriut, me në krye Cinin kundërshtoi dorëheqjen e Tereza Marubit. “Duam apo nuk duam ne, kjo ngjarje historike ka ndodhur kur kryetare ka qenë Tereza Marubi”, u përgjigja unë. “Emri i Marubëve po keqpërdoret nga Partia e Punës”. U ngrit nënkryetarja, Esma Ulqinaku dhe tha: “Edhe ne i kemi fikur dritat mbrëmë 5 minuta në orën njëzetë”. Ndërhyri Besniku: “Shumë mirë keni bërë! Përse nuk morët pjesë në ceremoninë e varrimit?! Keni patur frikë nga populli i Shkodrës apo nga Partia? Nuk do të kishte qytetar shkodran të ju prekte me dorë e të ju fyente”.
Myfiti u tregoi të pranishmëve se ishte vrarë pabesisht Nazmi Kryeziu, i cili kishte qenë bashkë me të. Mbas kësaj situate edhe këtyre bisedave kryetari Temali, propozoi të mbyllnim bashkëbisedimin dhe u larguam duke lënë grupin e të Drejtave të Njeriut të vazhdonte bisedat me Kryetaren. Nga mbledhja e këshillit të sindikatës u deklarua se sindikata do të ndjekë zbardhjen e krimit dhe dënimin e autorëve, pasi tre nga të vrarët ishin anëtarë të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Propoganda e Partisë së Punës, Radiot, Televizioni, gazetat dhe foltoristët në Parlament i mëshonin variantinse “Ishte djegur Komuniteti i Partisë dhe janë vrarë protestuesit”.
E vërteta ishte ndryshe: “Janë vrarë protestuesit dhe më vonë është djegur Komiteti i Partisë”. Ky variant u pranua më vonë edhe nga Parlamenti Shqiptar, i dominuar nga socialistët.
Me hapjen e Parlamentit të Ri pluralist u kërkua një minutë heshtje për vrasjet e 2 prillit në Shkodër. Grupi i Partisë së Punës, nuk u çua në këmbë. Këmbëngulja jonë e detyroi qeverinë e Partisë së Punës, të fillojë bisedimet me BSPSH-në, Shkodër. Në selinë e saj erdhi zëvendësministri, Hajredin Shyti, i shoqëruar nga nënkryetari i Degës së Punëve të Brendshme – Shkodër, Naim Reçi (sipas Aredin Shyti, Çapajev Taçi dhe Dilaver Papare, janë izoluar). Ferdinand Temali, në cilësinë e kryetarit të Sindikatës u bëri një ekspoze ngjarjeve të 1 dhe 2 prillit, ku sindikalistët dhe anëtarët e kryesisë morën pjesë në diskutim, duke u ndalur në përkeqësimin e situatës, nga njera ditë në tjetrën: më 1 prill, policia ishte paqësore, kurse më 2 prill u përdor që në fillim dhuna, shkopinjtë e gomës edhe armët.
Ndër të tjera unë personalisht u shpreha: “Ju sot keni vrarë veten me duart tuaja”!
“Përse?, më pyeti Hajredini. “Bataret, që keni përdorur për të trembur protestuesit na bënë, që ne të lëmë punën edhe të dalim në shesh. Edhe varianti juaj, që, e ka bërë PD-ja, me Azem Hajdarin në krye, nuk qëndron. Azem Hajdari me Blerim Çelën erdhën pas orës 12.oo dhe atë natë, nuk kanë fjetur në Shkodër. Edhe një natë më përpara, më datë 1 prill, Azem Hajdari ka ikur rreth orës 11:30 – 12:00. Po të ishte organizuar nga PD-ja, Këshilli i Sindikatës do të ishte i gjithi në shesh”.
Të deleguarit nga Tirana, nuk na treguan kush e ka ishte burimi i informacionit të manipuluar në Radio dhe Televizion, për ngjarjet e Shkodrës. Muaj më vonë edhe gjatë hetuesisë është vërtetuar se deklaratën, informacionin e ka dhënë Kryetari i Degës, Çapajev Taçi sëbashku me kupolën e Policisë, për më mbuluar gjurmët e krimeve që ndodhën atë ditë të trishtë të 2 Prillit 1991. (Haredin Shyti, libri “Përballë së keqes” faqe 150-151). Afërsisht mbas dy javësh, një grup sindikalist, i përbërë nga Arben Borshi, Sekretar, unë edhe Skënder Strica, morëm një takim me drejtorin e përgjithshëm të RadioTelevizionit, Fatmir Kumbaro dhe i kërkuam burimin e informacionit. As ai nuk na e dha burimin e këtij informacioni.
Mashtrimi vazhdonte.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al