EKSKLUZIVE/ Egnatia “poker” në miqësore, Tetova: Skuadra më bind, jemi gati për Champions

Jun 24, 2024 | 10:26
SHPËRNDAJE

Egnatia vijon përgatitjet në tokën sllovene për të qenë gati për duelin e rëndësishëm kundër Borac Banja Lukas. Kampionët e Shqipërisë do të matin forcat me kampionët boshnjakë me 9 korrik në transfertë, më pas mbyllin llogaritë e turnit të parë eliminator në Champions League, më 16 korrik.

TETOVA

Ditën e shtunë rrogozhinasit kanë zhvilluar miqësoren e dytë në Slloveni, duke fituar me rezultatin e pastër 0-4 kundër një seleskioni kroat, që përfaqëson sindikatën e futbollistëve të këtij shteti. Bëhet fjalë për lojtarë pa kontratë, që vijojnë përgatitjet në skuadrën e sindikatës, derisa të gjejnë skuadër. Skuadra e Edlir Tetovës luajti me modulin 4-3-3, ku në portë u aktivizua Sherri. Në mbrojtje nga krahët Ndreca e Fangaj ndërsa Xhemajli e Alijev në qendër.

Në mesfushë u aktivizuan Aleksi, Zajnullai dhe Ibrahimoglu ndërsa më të avancuar luajtën Spahiu, Kasa dhe në majën e sulmit Somalie Bakajoko. Sulmuesi 22-vjeçar gjeti rrugën e rrjetës, ndërkohë që në pjesën e parë Edison Ndreca shkarkoi të majtën e tij nga goditja e dënimit, duke shënuar super gol. Në pjesën e dytë petkun e heroit e mori Redi Kasa që shënoi dopietë. Sulmuesi i djathtë falë inkursioneve të tij i dërgojë shifrat në 0-4. Për Egnatian u aktivizuan edhe Lushkja, Lubas dhe Ahmetaj.

Trajneri Edlir Tetova ekskluzivisht për “Panorama Sport” u shfaq i kënaqur: ” Ishte testi i dytë këtu në Slloveni dhe Egnatia, ndryshe nga sfida e parë, tregoi se po përmirësohet ndjeshëm. Jam i lumtur në tërësi për lojën dhe faktin se lojtarët u munduan të kryenin në fushën e lojës detyrat që i kishin vendosur vetes. Jam i gëzuar që Bakajoko shënoi dhe u paraqit mirë, duke u ndërthurur me ekipin, edhe pse janë ditët e para të sulmuesit me ne. Kasa bëri po ashtu mjaft mirë, përtej dy golave të shënuar, edhe pse nuk është ende në 100% e tij. I përgëzoj djemtë për shpirtin e garës dhe dëshirën për të punuar, sikurse jam i kënaqur me lojtarët e ofruar së fundmi në ekip. Si Lushkja, ashtu edhe qendërmbrojtësi azer Alijev po tregojnë se janë futbollistë që do të na shërbejnë shumë. Kemi edhe 2 miqësore të tjera, ndërkohë që me kalimin e ditëve synojmë të kolaudohemi për të qenë gati për duelin e rëndësishëm në Kupat e Europës”, mbylli Tetova.

I.HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura