XHELAL MZIU
Dëshmia më e qartë për këtë ishte dhe raporti që Instituti i Statistikave publikoi para dy ditësh, raport ky që konfirmon rritjen ekonomike për tre muajt e parë të vitit 2011. Sipas rezultateve të këtij institucioni, ekonomia është rritur me 3.4 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Politikat fiskale ndahen në dy rryma, që janë ato konservatore, ku futen dhe ekonomistët e FMN-së, dhe politikat ekspansioniste apo liberale. Në këtë moment nuk është e nevojshme që kjo të ketë një ndarje me thikë. Unë e kam ndjekur me vëmendje atë që ka deklaruar FMN-ja dhe atë që sugjeron kryeministri Berisha. Kjo duhet të vendoset në kontekstin real të ekonomisë së vendit, pasi ekonomia shqiptare ka ardhur në rritje gjatë 7 viteve të fundit, pavarësisht që gjatë 2 viteve të fundit kjo rritje ka qenë paksa më e vogël. Po të marrim parasysh deficitin buxhetor që këtë vit shkon mbi 3%, por vitet e tjera ka qenë më i ulët, kontributin e tij në borxhin publik që është aktualisht nën 60%, këto janë parametra idealë për një vend që aspiron për t’u bërë vend anëtar i familjes së madhe europiane. Madje, tek kjo performancë pozitive e ka bazën dhe rritja e pagave dhe pensioneve, sipas vendimit më të fundit të qeverisë, që është mirëpritur kudo.
Përsa u përket politikave fiskale, janë dy teori: e para, pretendon që të ketë një buxhet vjetor të balancuar, pra është kundërciklike, ku ekonomia tkurret dhe kontribuon në rënien e rritjes ekonomike, ndërsa e dyta është kur kërkon një riciklim të buxhetit, ku buxheti është më i balancuar. Në këto kushte dhe duke pasur parasysh dhe nivelin aktual të ekonomisë shqiptare, jam kategorikisht kundër rritjes së taksave, edhe pse kjo mund të shkaktojë ulje të të ardhurave, apo të ruajnë të njëjtat nivele. Nëse do të realizohet një politikë fiskale, ku do të rritet performanca e autoriteteve që mbledhin të ardhurat fiskale, atëherë do të kemi rritje të këtyre të ardhurave më shumë se sa mund të kishim nga një rritje e taksave. Atëherë këto të ardhura do të shkojnë automatikisht në rritjen e investimeve publike. Kjo do të çonte në rritjen e kërkesës në treg dhe në rritjen ekonomike mbi 3%, që është aktualisht, në 4-5%. Pra, unë besoj në një politikë fiskale ekspansioniste dhe e kundërta do të ndodhte nëse do të kishim rritje të taksave, bizneset do të tkurreshin dhe do ta çonte spiralen ekonomike poshtë. Në këto përfundime arrijmë edhe nga përvoja dhe standardet e krijuara në Bashkinë Kamzë, ku politika e uljes së taksave pati ndikim të drejtpërdrejtë në trefishimin e numrit të bizneseve.
Nga ana tjetër duhet theksuar fakti se amnistia fiskale që sapo ka nisur të zbatohet është mënyra më e mirë për të mbyllur reformën fiskale që filloi në vitin 2005 me uljen e taksave dhe luftën kundër evazionit fiskal. Disiplina fiskale ka arritur sot në atë pikë që përdorimi i amnistisë ka më shumë gjasa të perceptohet si “forcë dhe arsye e shtetit” dhe jo “dobësi e tij”, pra, premton ulje të evazionit fiskal pas zbatimit të amnistisë. Në vendin tone është arritur një maturim i tillë i disiplinës fiskale, që amnistia do të ndihmojë më shumë forcimin e disiplinës fiskale dhe reduktimin e evazionit fiskal dhe nuk jemi në kushtet e shumë viteve më parë që një veprim i tillë kishte dyshime që mund të shkaktonte sërish evazion.
Në kushtet aktuale që po kalon vendi ynë, rritja e investimeve publike nëpërmjet rritjes së të ardhurave do të gjenerojnë vende të reja pune dhe do t’i japin një shtytje ekonomisë shqiptare, ashtu si në të kaluarën. Rritja e investimeve publike për vendet në zhvillim, siç është vendi ynë, ndikojnë pozitivisht në rritjen e investimeve private, pasi ato janë një infrastrukturë bazike që ndikojnë në uljen e kostove të prodhimit, dhe ne do të kemi jo vetëm një rritje të ofertës, por edhe të pagave në këtë sektor. Kjo është në parametra optimalë. Këtë e tregon edhe analiza e Eurostatit, që e rendit Shqipërinë në vendin me çmimet më të lira në Europë, si një mundësi më shumë që rrit imazhin pozitiv të ekonomisë shqiptare në botë. Në këto kushte ekonomia jonë ka pasur një rritje 3-5 për qind dhe rritje të konsiderueshme të eksporteve. Ndërkohë që inflacioni ka shënuar nivelin brenda objektivit të BSH-së dhe sistemi bankar reflekton likuiditet dhe mirëkapitalizim të tij. Sipas Eurostatit, Shqipëria renditet për çmimet, më shumë se 50 pikë nën mesataren e çmimeve të Bashkimit Europian.
*Kryetar i Bashkisë Kamzë, anëtar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë











