Ekonomia, rimëkëmbja nis në vitin 2013

Aug 22, 2012 | 12:35

Spanja, Italia dhe Portugalia mund të jenë në formën më të mirë në vitin 2013, ndërsa Greqisë dhe Irlandës do t’u duhet kohë, të paktën deri në vitin 2016 për të ribalancuar ekonomitë e tyre. Ky ishte vlerësimi në raportin e fundit të Agjencisë së Shërbimit të Investitorëve, “Moody’s”. Sipas saj, vendet periferike të eurozonës janë, në rastin më të mirë, në gjysmën e rrugës së riparimit të zhbalancimeve fiskale që ndikuan në krizën e borxhit dhe duhet të vazhdojnë me reforma strukturore. “Sistemimet, në periferi dhe bërthamë, tashmë kanë nisur të ndodhin, në disa raste në shkallë domethënëse”, janë shprehur analistët e “Moody’s”, përfshirë kryeekonomistin Lucio Vinhas de Souza, në Nju Jork. Sipas raportit, korrektimi i ekonomisë në rastet më të mira është në gjysmë të rrugës, në varësi të vendeve, por ka vende që mund të kenë nevojë për disa vite të tjera reforma. Politikbërësit në vendet në krizë në periferinë e Europës po përpiqen të rimëkëmbin ekonomitë e tyre për të gjeneruar rritjen ekonomike, për të cilën ata kanë nevojë për të paguar borxhet e tyre. Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë dhënë të paktën 393 miliardë euro hua për Greqinë, Irlandën, Portugalinë dhe Spanjën, për t’i ndihmuar ata të paguajnë faturat e tyre, ndërkohë që zbatojnë reformat.
Megjithëse agjencia vlerësuese ka paralajmëruar se do të duhen më shumë vjet për të përfunduar programet e rregullimeve fiskale dhe reformat strukturore në disa vende të eurozonës, raporti i saj nuk është plotësisht i zymtë. “Moody’s” argumenton se, nëse gjërat shkojnë mirë, Spanja, Portugalia dhe Italia mund të jenë në formën më të mirë në vitin 2013.  Moody’s shtoi se Greqia dhe Irlanda kanë nevojë për kohë, të paktën deri në vitin 2016, për të ribalancuar ekonomitë e tyre, përtej pikës ku planet e reformave fiskale, të drejtuara nga FMN-ja, për të dyja vendet do të kenë përfunduar.
Riparimi i financave të lojtarëve më të dobët të eurozonës konsiderohet vetëm një pjesë e problemit. Analistët në agjencinë “Bloomberg” shprehen se “Moody’s” nuk ka sugjeruar se e gjithë zgjidhja e krizës është në gjysmë të rrugës, por ka folur vetëm për disa vende, duke kujtuar një raportim të mëparshëm, se euros mund t’i duhen rreth 20 vjet kohë për një stabilizim të plotë.

Takimi i unifikimit
Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Presidenti francez, Fransua Holande, do të përpiqen të unifikojnë qëndrimet e tyre deri tani të skajshme, për zgjidhjen e krizës së eurozonës, përfshirë edhe se si do të veprojnë me situatën e përkeqësuar të krizës në Greqi. Ata do të takohen në Berlin të enjten në mbrëmje. Kancelaria gjermane ka thënë se nuk kërkon nxitjen e daljes së Greqisë nga eurozona, pasi pasojat mund të jenë sa shpenzuese, aq edhe të paparashikueshme. Por, zyrtarët në Berlin janë shprehur se nuk mund të hedhin vazhdimisht para në fund të një pusi. Merkel ka kërkuar që Franca dhe Gjermania të lëvizin me një hap në menaxhimin e krizës.

© Panorama.al

Te lidhura